Puna dhe prona në optikën e fesë islame

Feja islame, si sistem edukimi dhe mënyrë jetese, nuk kujdeset vetëm për sferën shpirtërore të njeriut, sepse duke qenë njëkohësisht një sistem praktik, përmbledh besimin, ashtu edhe jetën, ose sa vlerëson idealen, aq kërkon të përfillet dhe materialja. Brenda këtij koncepti mjaft të pranueshëm për arsyen, Islami e sheh individin gjithmonë në kompleks, e para së gjithash në marrëdhënie me njerëzit dhe i dikton atij rregullat e veta për ta ndihmuar të gjejë rrugën e drejtë, jo vetëm në aspektin individual e shpirtëror, por edhe në atë shoqëror, ekonomik e politik.

Në Kur’an njeriut i thuhet: “Unë do të vendos mëkëmbës në tokë” (2:30). Kjo barrë, të cilën e mori përsipër njeriu, e ngarkon atë me përgjegjësinë e madhe për ta bërë botën të lulëzuar në çdo aspekt. Prandaj njeriut i është dhënë aftësi e liri e plotë mendore për studimin e kësaj bote materiale, në mënyrë që, nëpërmjet punës së vazhdueshme, të kërkojë e të zbulojë çdo gjë, e cila mund ta bëjë gjithnjë e më shumë zotërues të saj. Për këtë arsye, feja islame nxit në masat e pasuesve të saj punën dhe çdo veprimtari tjetër aktive që çon në përmirësimin e kushteve të jetës. Puna konsiderohet si një aktivitet parësor, i cili ka një funksion sa moral, aq edhe material, sepse ajo është sa faktor lufte kundër mendimeve dhe pasioneve të këqija, po aq edhe faktor kundër varfërisë për të cilën profeti Muhamed a.s. ka thënë: “Varfëria e çon njeriun deri në mohim të Zotit dhe mosmirënjohje…”

Prandaj myslimanët me moshë madhore, veçanërisht ata që kanë në ngarkim familje, e kanë për detyrë të punojnë e të përdorin aftësitë dhe burimet që i ka falur Zoti për të siguruar jetesën me mundin dhe djersën e tyre.

Islami mbështet fuqishëm devizën: “Në djersën e fytyrës tënde do të hash bukën tënde” dhe dënon papunësinë pa shkaqe madhore, përtacinë, lypjen, apo pritjen e lëmoshës prej të tjerëve, të cilat i prishin njeriut karakterin, e vënë nën varësi, duke i mohuar kështu lirinë dhe vetëveprimin. Për të evituar të këqijat që sjellin këto feja jonë nuk e këshillon dhënien e lëmoshës, përveç rasteve kur ajo jepet si ndihmë për atë që ndodhet në vështirësi të vërteta dhe jo për faj të tij. Ndihma dhe mbështetja ekonomike në këto raste, përcaktohet si detyrë e çdo myslimani. Por, dihet se askush nuk e shijon më shumë ushqimin sesa ai që e ka siguruar me djersën e vet. Prandaj Islami këshillon që myslimani të mos mendojë kurrë se mjerimi mund të shmanget duke shpresuar në ndihmën e të tjerëve. Konkretisht, sot, për shqiptarin po bëhet gjithnjë e më e qartë se asnjë individ apo shtet ekonomikisht i fortë, nuk i shpenzon paratë e tij në Shqipëri pa pasur të siguruar një përfitim material ose politik. Nga ana tjetër, pushteti i diktaturës së proletariatit i mësoi njerëzit të punojnë pak e të kënaqen me varfërinë e asaj page që i mbante gjallë, por nuk i pasuronte kurrë. E katandisi fshatarin në atë gjendje sa të kishte ushqim bazë bukën e misrit dhe gjellë dhallin ose sherbetin. Në këtë mënyrë i bëri të kuptojnë punonjësit se tani djersa e tyre e harxhuar në punë, nuk i sillte më fitimin e merituar. Kjo çoi në shmangien ndaj punës së vërtetë dhe kultivoi tek ata indiferentizmin ndaj punës, pastaj dembelizmin dhe për pasojë hilen e vjedhjen. I detyroi të kompensojnë nevojat e domosdoshme të jetës me vjedhjen fillimisht të çdo produkti që prodhonte dhe pastaj të çdo gjëje që ishte pronë e të gjithëve, duke e vënë kështu individin kundër shoqërisë, pasojat më të tmerrshme të të cilit i pamë gjatë kalimit të pushteteve. Të gjitha këto çuan në shndërrimin e shumë virtyteve në vese, të cilat pa dashur e gradualisht u përvetësuan dhe u shndërruan në norma dhe krijuan te shqiptari një varfëri shpirtërore nga zhveshja e shumë vlerave morale të çmuara të trashëguara nga brezat e mëparshëm.

Duke e konsideruar punën shumë të dobishme dhe moralisht të ndershme, profeti Muhamed a.s. në kohën e tij këshillonte: “Është më mirë që secili prej jush të marrë një litar dhe të ngarkohet me dru për t’i shitur sesa t’ua lypë ushqimin të tjerëve, pa marrë parasysh nëse japin ose jo”. Sot, te ne, shohim jo pak të rinj e familjarë, të cilët, pa ndrojtje dhe në mënyrë të ndershme, e sigurojnë jetesën duke shitur vetëm pak produkte të konsumit të shpejtë. Por shohim njëkohësisht mjaft të tjerë, të cilët e konsiderojnë turp një veprim të tillë. Duke qëndruar kot me shokët trotuareve, në qoftë se nuk merren me gjëra imorale, më e pakta që bëjnë është përgojimi i të tjerëve, ose më keq, e vrasin kohën me lojëra të padobishme e moralisht të ndaluara. Natyrisht, është detyrë edhe e shtetit në këtë periudhë që të krijojë mundësi punësimi.

Edhe çudirat për Islamin nuk ekzistojnë si mrekulli, por krijohen nga vetë njerëzit. Më të përkryera dhe të çmuara janë vetëm ato që arrihen nëpërmjet përsosjes së mjeteve të punës e të prodhimit. Prandaj kurrë nuk duhen pritur mrekulli të cilat mund të largojnë në mënyrë të çuditshme varfërinë e atij që duke u ngrohur në diell, sheh ëndrra me sy hapur. As shpresat e gënjeshtërta në lojërat e fatit, as bixhozi nuk e zhdukin varfërinë. Në lotari humbasin mijëra dhe fitojnë më shumë organizatorët dhe disa individë. Shpresat e vazhdueshme për disa fitore të rastit që mund të mos arrihet kurrë, të çojnë vetëm në pasivitet. Akoma më e keqe është loja e bixhozit, e cila përfundon me humbje morale e materiale të rënda. Prandaj të dyja këto Islamin i dënon dhe i ndalon.

Sot ndodh shpesh që shumë familjarë, të detyruar nga kushtet e vështira ekonomike, detyrohen të kërkojnë borxhe për të përballuar jetesën, ose për të filluar një punë fitimprurëse. Islami e lejon në të tilla raste borxhin (asnjëherë me kamatë), por këshillon që ai të evitohet sa më shumë. Marrja e borxhit, e mbështetur gjithmonë në një kontratë ku përcaktohet afati i kthimit, kur për arsye të ndryshme nuk respektohet, krijon shqetësime të forta e tensione psikologjike, jo vetëm tek individi, por për pasojë dhe në familje e shoqëri. Duke i vlerësuar shumë pasojat e borxhit, Muhamedi a.s. ka thënë: “Zoti më ruajttë prej mëkateve dhe borxheve!” Prandaj, për të ruajtur dinjitetin dhe lirinë tënde, Islami këshillon të mos marrësh borxhe, por me punën dhe me një fitim të vogël, planifiko drejt shpenzimet.

Kush punon, fiton dhe mundet të sigurojë veç mjeteve të nevojshme të jetesës edhe pasuri, e cila në fenë islame konsiderohet një dukuri normale dhe mjaft pozitive. Por ajo përcakton kufij për atë, cakton taksa për çdo pronar, të cilat rriten në proporcion me pronësinë dhe fitimin dhe venë si detyrë parësore fetare shlyerjen e zekatit, ku çdo mysliman pastron pasurinë e tij nga teprica. Të gjitha këto vihen në shërbim të shoqërisë dhe kryesisht të të varfërve. Kërkon gjithashtu që pasuria e fituar në para të vihet në qarkullim në ato veprimtari ekonomike që favorizojnë shoqërinë dhe të mos mbahet e bllokuar në ar, etj. Pasurinë e patundshme që krijon çdo individ me punën dhe djersën e tij, feja islame e mbron dhe ndalon përvetësimin nga të tjerët edhe në ato raste kur padrejtësisht mund të bëhet në rrugë ligjore. Nuk përkrah gjithashtu idenë e privatizimit të burimeve të mëdha të pasurive shoqërore e sidomos të burimeve natyrore, duke i lënë ato në duar individësh. Ato duhet t’i shërbejnë shoqërisë, duke mbetur pronë e bashkësisë (shtetit) për t’i shërbyer të gjithë anëtarëve si bazë materiale për të mbështetur zhvillimin e sferave të ndryshme të jetës.

Nëpërmjet këtyre pikëpamjeve dhe qëndrimit shumë të arsyeshëm mbi punën dhe pronën, Islami, pa penguar lirinë e mendimit dhe veprimit individual të njeriut për të fituar të mira materiale, kërkon që këto t’i shërbejnë jo vetëm atij, por tërë shoqërisë. Duke e parë të pleksur besimin me jetën, duke e konsideruar punën e ndershme si kolona që mban në ekuilibër shpirtëroren me materialen, Muhamedi a.s. ka urdhëruar: “Çdo myslimani i është detyrimisht e shenjtë dhe e paprekshme jeta, pasuria dhe nderi i tjetrit.”

Alban Islami

/Revista Drita Islame – Shkurt 2017/

Artikulli paraprakE drejta që i takon pasurisë që keni
Artikulli tjetërDisa vendime të Akademive dhe Institucioneve shkencore bashkëkohore rreth tregtisë me këste