A ju kanë telefonuar shpesh për t’ju thënë se keni përfituar një ofertë për sisteme të pastrimit të ujit, një fshesë çudibërëse me korrent apo një dyshek me aloe vera e sa e sa produkte të tjera?
Telefonatat e marketingut që synojnë telefonimin (e paautorizuar) në bllok të klientëve të ndryshëm nga një bazë të dhënash të siguruar nga palë të treta janë bërë shqetësim herë pas here, por duket se kjo ka qenë e pamundur të vendoset nën rregull.
Komisioneri për të Drejtën e informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale raportoi se në vitin 2019 ka një rritje të numrit të ankesave nga ana e qytetarëve për disa aspekte përfshirë këto lloj telefonatash. Ky institucion pranon se gjatë hetimeve që ka zhvilluar një nga problematikat që ka ndeshur është ajo e dërgimit të thirrjeve të pakërkuara telefonike ose dërgimi i mesazheve me postë elektronike nga ofrues të ndryshëm shërbimi (kontrollues), të cilët përmes komunikimit synojnë të ushtrojnë aktivitet promocional. Gjithsesi kjo sipas Komisionerit ka nevojë për kuadër ligjor të veçantë.
“Lind si domosdoshmëri për zgjidhjen e kësaj problematike hartimi i një kuadri ligjor të veçantë që do të bënte të mundur zgjidhjen aktuale dhe afatgjatë të këtij problem” thuhet në dokument.
Në listën e problematikave janë shtuar sidomos mediat online që Komsioneri ka vlerësuar se mund të ndërhyhet vetëm në disa raste që e specifikon ligji. Të tjera problematika që nënvizohen në raport janë mungesa e masave teknike dhe organizative gjatë proçesit të përpunimit, për të mbrojtur përhapjen e paligjshme të të dhënave personale, veçanërisht mungesa e sistemeve të menaxhimit të sigurisë së informacionit.
Po kështu, mbledhja, ruajtja dhe përpunimi i paligjshëm i të dhënave imazhe-video nëpërmjet sistemit të video-survejimit (CCTV), tejkalimi i qëllimit dhe afateve të përpunimit të të dhënave personale, mungesa e rregullimit kontraktor në marrëdhëniet midis kontrolluesit dhe përpunuesit, mungesa e trajnimit të stafit që ka akses dhe përpunon të dhëna personale si dhe nevoja për të përmirësuar masat e sigurisë gjatë procesit të autentifikimit në portalet online.
Në total në vitin 2019 ka pasur 301 ankesa pranë Komisionerit kurse hetime administrative 142 me fokus sektorë të tillë si institucione të administratës shtetërore, shëndetësi, call center, subjekte financiare jobankare, të transportit.
Aktualisht ka një iniciativë të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, për të krijuar një regjistër ku individët që nuk duan të telefonohen për arsye marketingu mund të regjistrohen. /eo/