Në gjysmën e dytë të janarit suksesivisht mandarina ua lë “primatin” dy produkteve të tjera, poashtu tashmë goxha popullore – mollëve dhe portokallit. Mollët, në të shumtën janë prodhim kosovar, pra vendor, ndërsa portokalli me shumicë importohet nga Shqipëria, Greqia dhe Turqia. Këto produkte, poashtu i bëjnë popullore çmimi dhe sasia e madhe e tyre në treg.
Prishtinë, janar – Tregjet kosovare të tregtimit më shumë të produkteve bujqësore, ka disa vjet që në nëntor, e sidomos gjatë dhjetorit dhe ditëve të para të janarit, janë dominuar ndjeshëm nga mandarina, ky frut tropikal i ardhur nga Shqipëria më shumicë në Kosovë dhe i bërë ndër më të konsumuarit në këtë periudhë. Mandarina nga Shqipëria në vitet e fundit është bërë produkti më popullorë nga frutat edhe për shkak të çmimit të pranueshëm, edhe për shkak të cilësisë dhe furnizimit me mandarina të freskta dhe me shumicë nga viset jugore të fqinjve tanë. Por, në gjysmën e dytë të janarit suksesivisht mandarina ua lë “primatin” dy produkteve të tjera, poashtu tashmë goxha popullore –mollëve dhe portokallit. Mollët, në të shumtën janë prodhim kosovar, pra vendor, ndërsa portokalli me shumicë importohet nga Shqipëria, Greqia dhe Turqia. Këto produkte, poashtu i bëjnë popullore çmimi dhe sasia e madhe e tyre në treg.
Ndërkaq nga perimet, në tregjet e kryeqytetit shitje më të madhe kanë patatja edhe qepa.
Kështu tha njëri nga tregtarët në tregun e Gjelbërt në Prishtinë. Ai në kushte anonimiteti për Buletinin Ekonomik tha se kryesisht këto produkte ushqimore importohen nga vendet e tjera.
Sipas tij, molla është produkt e cila është edhe vendore, mirëpo importohet edhe nga Maqedonia, ndërkohë që portokalli është njëra nga pemët që kryesisht importohet nga Greqia, Turqia dhe Shqipëria.
Ai tutje tha se një kilogram i mollës vendore aktualisht në treg shitet diku rreth 50 centë dhe diku 60 centë i atyre të importuara, ndërkohë që çmimi i kilogramit të portokallit sillet nga 60 centë tek ato të Shqipërisë deri tek 80 centë të atyre që importohen nga Greqia.
Ndërkaq, sa i përket perimeve gjatë janarit në Kosovë më e kërkuara, pra edhe më e shitura del të jetë patatja e cila aktualisht kushton 40 -50 centë për kilogram dhe qepa e cila shitet 50 centë kilogrami për konsumatorët kosovarë.
Ndër të tjera, ai tha se produktet të cilat janë me bollëk dhe janë vendore në Kosovë gjatë kësaj kohe është karrota, gjë që sipas tij, viteve të kaluara ka pasur shumë mungesë të saj. Sivjet karrota vendore gjendet në një sasi të madhe, thuaja në të gjitha tregjet e Kosovës. Gjithashtu, bien në sy si sasi edhe produktet e tjera si spinaqi, sallata jeshile dhe patatja.
Ndëkohë, ato që importohen më shumë janë domatja, speci dhe trangujt.
Një tjetër tregtar në treg të Prishtinës, poashtu në kushte anonimiteti për Buletinin Ekonomik tha se krahasur me një vit më përpara shitje të pemëve dhe perimeve ka më pak gjatë kësaj periudhe.
Sipas tij, përveç mollës dhe portokallit, në këtë kohë ka shitje edhe të shegës, ftonjëve dhe mandarinës, ndërsa nga perimet shitet më shumë patatja, qepet, por edhe spinaqi, lakra dhe sallata e gjelbërt.
Ai gjithashtu tha se nga pemet vendore në Kosovë dominon molla pasi që ka më bollëk, ndërsa nga perimet janë spinaqi, sallata jeshile, patatja, lakra dhe qepa e re, për të cilat nuk ka nevojë edhe aq shumë për import.
Sa i përket importit, sipas tij pemët që importohen më shumë gjatë periudhës së janarit përveç portokallit janë edhe dardha dhe mandarina. Ndërsa, nga perimet janë domatja dhe trangujt./Buletini Ekonomik/