Një biznes bëhet i qëndrueshëm, nëse ndërtoni sistem
Kush është sipërmarrës? Ka shumë përgjigje në këtë pyetje. Megjithatë, njëra që më pëlqen më shumë, thotë kështu: “Një sipërmarrës është kushdo që i shton diçkaje vlerë në këmbim të kompensimit monetar, me ose pa prezencën e tij.” Pjesa e fundit është kritike, sepse nëse gjithçka që bëni është të shkëmbeni vlerën me para, atëherë një sipërmarrës nuk do të ishte aspak i ndryshëm nga një profesionist i pavarur. Por pjesa “me ose pa prezencën e tij” është ajo që e bën një sipërmarrës ta dallojë veten nga një profesionist i pavarur.
Për të ndërtuar një biznes në të cilin mund të fitohet mirë pa qenë prezent fare, një sipërmarrës duhet të ndërtojë sistem brenda kompanisë. Kjo mund të bëhet përmes teknologjisë ose punësimit të njerëzve adekuat, ose të dyja bashkë. Megjithatë, për të qenë një sipërmarrës, duhet të keni sisteme të vendosura për të qenë të suksesshëm.
Shumë sipërmarrës gabojnë kur ndërtojnë një sistem tepër të ndërlikuar. Ata shkojnë drejt gjërave komplekse për tu dukur se “ata janë ndryshe prej tjerëve”.
Fatkeqësisht, kur bizneset fillestare fillojnë me këtë qasje komplekse shpesh përfundojnë në dështim. Sistemet më të besueshme, veçanërisht kur fillojnë, janë ato që janë të thjeshta për t’u kuptuar dhe pranuar nga të tjerët. Nëse sistemi juaj është i komplikuar që nga fillimi, askush nuk do ta pranojë vizionin tuaj.
Kjo teori është përmbledhur bukur nga autori dhe pediatri i famshëm John Gall. Gall shkroi një libër të quajtur “Systemantics: Si funksionojnë sistemet dhe si dështojnë ato”. Në libër, ai shprehet: “Një sistem kompleks që funksionon pa ndryshim zbulohet se ka evoluar nga një sistem i thjeshtë që ka funksionuar më parë. Një sistem kompleks i krijuar që në fillim nuk funksionon kurrë dhe nuk mund të rregullohet për ta bërë atë funksional. Duhet të filloni qysh në fillim me një sistem të thjeshtë dhe që funksionon.”
Ligji i Gall-it mund të përdoret për të shpjeguar disa nga kompanitë më të mëdha në botë, duke filluar nga Google tek Facebook. Shumica e kompanive të mëdha janë ngritur nga sisteme të thjeshta dhe gradualisht kanë shkuar drejt sistemeve më komplekse.
Pra, kur ndërtoni biznesin tuaj, është thelbësore të filloni sa më thjeshtë që të jetë e mundur. Kështu do t’i lejoni vetes ta rrisni kompaninë në një grup sistemesh më komplekse. /INC – Buletini Ekonomik/