Rritja dhe rënia ekonomike është një nga temat më të studiuara dhe më të disktutuara në mesin e ekonomistëve. Përafërsisht çdo dhjetë vite për arsye të ndryshme bota kalon nëpër një periudhë recesioni. Kriza e fundit që e përjetuam, ajo e vitit 2008 përveç që ishte një goditje për ekonominë globale, ishte edhe një goditje për modelin ekonomik me të cilin bota ishte zhvilluar deri atëherë.
Tani jemi duke e përjetuar një tjetër goditje për ekonominë botërore dhe një sfidë që na bën ta rimendojmë mënyrën se si funksionon ekonomia dhe shoqëria në përgjithësi. Situata aktuale jo e mirë në aspektin ekonomik global dhe nga tronditja në tregun e punës tregon se nevoja për veprim dhe përshtatje të bizneseve ndaj transformimeve shoqërorë është e domosdoshme.
Kjo krizë e quajtur me emra të ndryshëm si “Recesioni i Covid-19”, “Mbyllja e Madhe”, apo “Kriza e 2020-tës”, për dallim prej krizave tjera merr disa karakteristika unike. Në një krizë si kjo sektori i prodhimit merr goditje të trefishtë:
1. Pengesa në furnizim direkt që ndikon në uljen e prodhimit;
2. Ndërprerja e zingjirit të furnizimit që do të godasë të gjitha vendet përnjëherë dhe do të bëj më të shtrenjta produktet bazike industriale;
3. Rënia e kërkesës agregate si pasojë e recesionit, rrjedhimisht nënkupton ulje të investimeve.
Përveç vështirësive në funksionimin normal të bizneseve prodhuese e shërbyese, vendet si Kosova e Shqipëria preken edhe nga mungesa e turistëve dhe mungesa e bashkatdhetarëve, dërgesat e të cilëve në para direkte në dy vitet e fundit në Kosovë kanë qenë rreth 750 milion euro në secilin vit, duke përbërë rreth 10% të PBB-së së përgjithshme.
E nxitur kryesisht nga ky faktor, këtë vit, sipas raportit të BQK-së, ekonomia e Kosovës pritet të shënojë rënie të rritjes reale ekonomike prej dy deri në katër përqind. Ndërsa, në nivel global, sipas studimit të disa profesorëve të Universitetit të Floridas Jugore turizmi mund të bie për rreth 50%.
Për t’iu përgjigjur kësaj krize intervenimi qeveritar duhet të jetë shumëdimenzional. Do të paraqitet nevoja për aksion fiskal dhe monetar njëkohësisht, pastaj duke e pasur parasysh natyrën e krizës, bizneset e vogla dhe të mesme do të përballen me vështirësi likuiditeti. Dhënia e granteve dhe kredive të subvencionuara tek këto biznese do të jëtë poashtu veprim emergjent dhe shumë i nevojshëm.
Për dallim nga krizat tjera, kjo krizë edhe pse është ndër më të rëndat që kemi përjetuar, lehtësia e punës nga distanca si rrjedhojë e progresit teknologjik është një faktor lehtësues i saj. Megjithatë e dimë se jo çdo punë mund të kryhet nga distanca dhe se shumica e punëve kërkojnë prezencë fizike. Poashtu, jo të gjitha bizneset janë të gati për t’iu përshtatur punës në distancë. Kjo është një nga arsyet pse nga bizneset Kosovare kërkohet të përshpejtojnë procesin e digjitalizimit.
Cka është digjitalizimi i bizneseve?
Digjitalizimi i bineseve i referohet përdorimit të teknologjisë digjitale në prodhim dhe në ofrimin e shërbimeve. Automatizimi i proceseve komplekse biznesore i mundësuar nga teknologjia me qëllim të thjeshtimit të procedurave menaxheriale, përmirësimit të raportit me klientët apo uljen e kostove operacionale përmes aplikacioneve kompjuterike është një definim më i gjerë i digjitalizimit.
Procesi i digjitalizimit tashmë kishte filluar vite më parë, pandemia tashmë është duke luajtuar një rol vetëm përshpejtues në këtë proces. Industria 4.0 ashtu si njihet ndryshe kjo periudhë digjitalizimi përfshin sisteme të prodhimit në mënyrë të automatizuar, robotë të pavarur apo sisteme kompjuterike përmes të cilave është lehtësuar komunikimi dhe menaxhimi i punëve në distancë.
Pse transformimi digjital?
Digjitalizimi i biznesit nënkupton adaptimin e teknikave të reja digjitale e të automatizuara të prodhimit, shitjes dhe distribuimit. Duke e rritur kështu përdorimin e teknologjisë dhe informatikës në proceset e zakonshme operacionale të firmës. Sipas një hulumtimi nga shoqata gjermane për digjitalizim Bitkom, vetëm 2% e bizneseve e refuzojnë digjitalizimin. Bizneset tashmë e kanë kuptuar se për të qenë konkurrentë në këtë periudhe, digjitalizimi është i domosdoshëm.
Është e pritshme që efekti i kësaj pandemie do të ndjehet në pothuajse të gjitha sferat e jetës. Përveç recesionit të pritur ekonomik që është aspekti ndoshta më i madh negativ i pandemisë, kjo gjendje mund të prodhojë edhe efekte tjera pozitive sociale dhe ekonomike.
Të dhënat tregojnë për rritjen e trendit të përdorimit të teknologjisë në këtë periudhë. Vërehet së prej fillimit të pandemisë aplikacioni Zoom ka pasur një rritje prej 131.1%, Netflix rritje prej 28.1% dhe Amazon një rritje prej 26.9%. Pra njerëzit janë më të prirur që në këtë situatë të kthehen tek përdorimi më i madh i teknologjisë. Rritja e përdorimit të teknologjisë në afat të gjatë mund të përkthehet në rritje të produktivitetit dhe lehtësim të mënyrës së jetesës.
Marketingu Digjital si trend në rritje të shpejtë
Distanca fizike mes konsumatorëve dhe bizneseve e shton nevojën e marketingut online duke e përdorur internetin si mjet. Shërbimi profesional i marketingut digjital nënkupton ndërmarrjen e hapave konkret nga bizneset si: shitje online, optimizimi i sistemit të kërkimit (SEO) me qëllim të rangimit të webfaqes sa më lart në google, kontent marketingu, marketingu në rrjete sociale, platformat e-commerce etj.
Sisteme digjitale të menaxhimit të brendshëm të firmës
Puna në distancë kërkon njëkohësisht edhe adaptimin e sistemeve të brendshme të menaxhimit me qëllim të lehtësimit të proceseve të përditshmërisë biznesore. Shembuj konkret të programeve të cilat firmat mund t’i përdorin me qëllim të përmirësimit të menaxhimit të firmës janë:
– CRM (Customer Relationship Management – Menaxhimi i Marëdhënieve me Klient) – është një program kompjuterik që i mundëson bizneseve që të monitorojë raportin aktual me klientët, të përcjellë historikun e marrëdhënieve me klientët në të kaluarën, si dhe të bëj menaxhimin dhe seleksionimin e klientëve potencial. Ky sistem është dëshmuar shumë efikas në analizimin e të dhënave të shitjes dhe organizimin e stafit në ofrim të shërbimeve në mënyrë më efikase. Modifikimi i këtij sistemi për qëllime marketingu është duke i ndihmuar bizneset që të rrisin shitjet në këtë kohë pandemie.
– ERP (Enterprise Resource Planning – Planifikim i Resurseve të Ndërmarrjes) – është poashtu një tjetër program kompjuterik i nevojshëm në kohë pandemie. Për dallim nga CRM, një sistem i ERP i ndihmon bizneset në menaxhimin e aktiviteteve të përditshme të bizneseve në kohë reale. Përmes këtij sistemi menaxhmenti dhe stafi i firmës janë në gjendje të shohin në një vend të gjithë informacionin e nevojshëm të funksionimit të firmës si: gjendjen e stokut, shitjet ditore, kapacitetin prodhues, rrjedhën e parasë, gjendjen e porosive, llogaritjet financiare etj.
Sistemet e përmendura më lart dhe shumë të tjera për të cilat do të nevojitej më shumë elaborim janë duke u bërë trend dhe është evidente se bizneset që adaptojnë të parat këto sisteme do të diferencohen dhe krijojnë avantazh ndaj konkurrentëve.
Sa i përket bizneseve që për synim e kanë tregun global, adaptimi i sistemeve të automatizimit nënkupton të flasësh në gjuhën e njejtë me bizneset ndërkombëtare të cilat tashmë me ritme të shpejta janë duke u transformuar sipas kërkesës së kohës.
Prandaj ndryshimi i mënyrës së perceptimit të situatës për shumë biznese mund t’a kthejë situatën nga disavantazhi në avantazh. Sikur çdo krizë tjetër edhe kjo është një mundësi e mirë për transformim të shpejtë gjithëshoqëror.
Arbnor Bajraliu