Ndonëse të gjithë duket se kanë një koncept të mirë biznesi, pak njerëz i ekzekutojnë idetë e tyre me sukses. Një ndër objektivat kryesorë të krijimit të një biznesi ka të bëjë me gjenerimin e pasurisë: për mjedisin, për shoqërinë dhe për pronarin e biznesit. Gjenerimi i pasurisë lidhet me paranë dhe menaxhimin e saktë të saj. Shumë sipërmarrës e fillojnë biznesin e tyre si operatorë ose teknikë dhe kurrë nuk thellohen në menaxhimin e parave. Kjo i bën bizneset e tyre të qëndrojnë të vogla ose të mos mbijetojnë.
Më poshtë gjenden 7 sekretet e parave për një sipërmarrës të suksesshëm:
- Mendësi sipërmarrëse
Shumë njerëz mendojnë se gjithçka që nevojitet për të filluar është një ide e mirë. Fatkeqësisht nuk është ashtu, idetë e mira janë me bollëk kudo dhe janë të destinuara të dështojnë, nëse nuk keni një mentalitet sipërmarrës.
Krijimi i një biznesi të ri kërkon punë të palodhur, tolerancë të lartë për zhgënjimin, të jesh i gatshëm për të vazhduar kur duket se gjithçka ka humbur, zbatim, zbatim dhe më shumë zbatim. Por mbi të gjitha, kërkon një mani për të arritur ëndrrat tuaja, më shumë sesa një mani për të gjeneruar para.
Nëse kërkoni para, shanset tuaja për sukses do të ulen (sepse në fillim nuk do t’i keni). Nëse kërkoni të transformoni jetën e njerëzve dhe të bëni një ndryshim në planet, paratë do të vijnë si pasojë e kësaj.
Pra, a keni apo nuk keni një mentalitet sipërmarrës?
- Model i qëndrueshëm biznesi
Shumica e njerëzve që fillojnë një biznes bëhen të fiksuar pas markës së tyre dhe produktit të tyre dhe ky është një nga gabimet më të zakonshme tek sipërmarrësit. Marka juaj dhe produkti juaj nuk vlejnë asgjë, përveç nëse tregojnë se janë të aftë të gjenerojnë para.
Së pari: duhet të siguroheni që dikush është i gatshëm të blejë produktin/shërbimin tuaj. Përshkruani se kush mund të jetë konsumatori juaj i vlefshëm, afrohuni tek njerëzit që plotësojnë karakteristikat dhe shikoni nëse janë të gatshëm ta blejnë.
E dyta: duhet të zhvilloni modelin tuaj të biznesit – domethënë të dini se si të ndërlidhni të gjitha pjesët e biznesit tuaj. Ju duhet të dini se si do t’i tërheqni klientët potencialë, si do t’i ktheni ato në blerës, si të prodhoni dhe shpërndani produktin ose shërbimin tuaj, si do të tarifoni dhe si do të paguani. Kur ta keni vendosur, do të kuptoni se modeli juaj kërkon para për të funksionuar. Këto janë kostot dhe shpenzimet tuaja.
E treta: duhet të ndërtoni pasqyrat tuaja financiare ose numrat tuaj dhe të siguroheni që biznesi juaj është fitimprurës dhe i shkallëzuar. Ju e shihni përfitimin kur llogarisni shitjet tuaja minus kostot dhe minus shpenzimet tuaja. Zhvillimin e arrini kur vërtetoni se ka shumë njerëz që plotësojnë karakteristikat e klientit potencial, të cilëve mund t’i shërbeni përmes modelit të biznesit tuaj dhe se ke para të mjaftueshme për ta filluar dhe mirëmbajtur atë.
Nëse i përmbushni këto tre pika, mund të themi se biznesi juaj është i vlefshëm. Nëse e kuptoni që nuk është, ju mund ta rregulloni modelin tuaj të biznesit për sa kohë që vërtetoni se dikush është i gatshëm të blejë atë që ju ofroni.
- Shtrëngim absolut
Një ndër gabimet që njerëzit bëjnë kur fillojnë biznesin e tyre është se ata blejnë dhe shpenzojnë shumë. Ata kërkojnë kompjuterin më të mirë, zyrat më të mira, makinën më të mirë ose i përdorin paratë e tyre në gjëra që nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me gjenerimin e shitjeve.
Një parim që Carlos Slim përdor dhe që rekomandohet shumë quhet Absolute Austerity (shtrëngim absolut). Kur blini diçka, sigurohuni që ajo të ketë lidhje të drejtpërdrejtë me gjenerimin e shitjeve.
Nëse keni nevojë për një kompjuter, pyesni veten se cili kompjuter i plotëson nevojat tuaja themelore (jo cili plotëson nevojat e egos suaj). Dhe pyesni veten, nëse blej një kompjuter më të shtrenjtë, a do të rrisë kjo shitjet e mia?
- Hyrje-daljet e të ardhurave
Hyrje-daljet e parave janë benzina që nxit bizneset. Shumë biznese që janë mjaft fitimprurëse (domethënë, që gjenerojnë fitim), dështojnë sepse sipërmarrësi ose pronari i biznesit nuk dinë si të menaxhojnë rrjedhën e tyre të parave.
Ekzistojnë tre mënyra që për të menaxhuar mirë rrjedhën tuaj të parave:
E para: tarifoni para dhe paguani më vonë. Në këtë mënyrë ju mund të financoni biznesin tuaj me paratë e klientëve tuaj, në vend që të bëheni banka e tyre.
E dyta: punoni me pak inventarë. Një nga vendet ku paratë tuaja bllokohen janë inventarët, nëse keni shumë sigurisht. Mundohuni të mos i nënshtroheni tundimit për të blerë një vëllim shumë të lartë.
E treta: rezerva e mbrojtjes. Mundohuni të keni mjaft para rezervë për të paguar për një ose dy muaj. Gjithmonë ka probleme të mëdha dhe probleme të vogla. Kur nuk keni para për të paguar për operacionet e nevojshme, një biznes fitimprurës mund të përfundojë duke falimentuar.
- Riinvestoni fitimet tuaja
Një ndër tundimet e sipërmarrësve është që të shpenzojnë fitimet e tyre sa më shpejt që ato të munden. Sugjerimi im është që t’i riinvestoni në të njëjtin biznes. Ju mund t’i përdorni ato për të tërhequr më shumë klientë potencialë me marketing dhe shitje, ose për të modernizuar operacionet tuaja dhe për të ulur kostot dhe shpenzimet tuaja.
Deri kur duhet t’i riinvestoni fitimet tuaja? Derisa të keni arritur një pikë të lartë kritike dhe biznesi të mund të funksionojë edhe pa ju.
- Planifikoni tranzicionin tuaj
Një nga pyetjet më të shpeshta është: kur është koha e duhur të lë punën dhe t’i përkushtohem plotësisht biznesit tim?
Përgjigja është kur biznesi juaj është në gjendje të gjenerojë para të mjaftueshme (vazhdimisht) për të zëvendësuar pagën që gjeneron puna juaj.
Është e rëndësishme të planifikoni tranzicionin me qëllime dhe objektiva të qarta. Në mënyrë që të mund të thoni: për gjashtë muaj biznesi im duhet të gjenerojë këtë shumë parash. Kur të arrij këtë shumë parash do ta lë punën. Në këtë mënyrë ju do të dini se ku të përqendroheni dhe kur do të mund të ndodhë tranzicioni.
Shumë sipërmarrës janë të gatshëm të heqin dorë që tani.
A mund ta bëni dhe të arrini sukses? Sigurisht. Sidoqoftë, nëse doni të shmangni ose zvogëloni ndikimin e traumës sipërmarrëse dhe krizave emocionale, rekomandohet që të planifikoni tranzicionin tuaj.
- Mësimi i vazhdueshëm
Kjo pjesë është thelbësore për çdo sipërmarrës. Ju duhet të jeni të gatshëm të mësoni vazhdimisht nëse doni të jeni të suksesshëm. Nëse nuk ju pëlqen të mësoni, mbase sipërmarrja nuk është për ju sepse, për një kohë të shkurtër, dijet tuaja do të vjetrohen dhe biznesi do të përfundojë duke dështuar.
Tani, ekziston një lloj arsimi për çdo qëllim.
Nëse dëshironi të mësoni të jeni një bashkëpunëtor më i mirë në një kompani, duhet të merrni në konsideratë arsimin akademik (të tilla si master, diploma, specializime).
Nëse ajo që dëshironi është të mësoni se si të gjeneroni rezultate më të mira në biznesin tuaj, ajo që ju nevojitet është edukimi i përqendruar (të tilla si konferenca, seminare, trajnime).
Dallimi midis të dyve është se e para ju jep shumë teori (dhe ju merr shumë kohë) dhe ju mëson se si të drejtoni biznesin e dikujt tjetër dhe e dyta ju mëson parime të zbatueshme (brenda një kohe të shkurtër) dhe ju mëson se si drejtoni biznesin tuaj.
Cila është gjëja e parë që ju rekomandoj të mësoni? Të menaxhoni paratë tuaja. Të menaxhoni financat tuaja personale.
Menaxhimi i parave të biznesit janë një reflektim se si i trajtoni paratë tuaja. Nëse mësoni ta bëni, do të mundësoni që biznesi juaj të gjenerojë rezultate të qëndrueshme.