Në rastin e humbjes në financimin e musharakës, të gjithë juristët myslimanë janë të një mendimi se çdo partner duhet të përballojë humbjen saktësisht sipas përqindjes së investimit të tij. Kështu, nëse një partner ka investuar 40% të kapitalit, ai duhet të përballojë 40% të humbjes, as më shumë, as më pak, dhe çdo kusht që bie ndesh me këtë parim do ta bëjë kontratën të pavlefshme. Ka një konsensus të plotë mes juristëve mbi këtë parim.
Prandaj, sipas imam Shafiut, përqindja e pjesës së një partneri në fitim dhe në humbje duhet të jetë gjithmonë në përputhje me përqindjen e investimit të tij.
Por, sipas imam Ebu Hanifes dhe imam Ahmedit, përqindja e fitimit mund të ndryshojë nga përqindja e investimit, sipas marrëveshjes mes partnerëve, por humbja duhet të ndahet mes tyre saktësisht në përputhje me përqindjen e kapitalit të investuar nga secili prej tyre.
Ky parim përmendet edhe në maksimën e njohur:
“Fitimi bazohet në marrëveshjen e palëve, por humbja gjithmonë i nënshtrohet përqindjes së investimit.”