Shumica e juristëve myslimanë janë të mendimit se kapitali i investuar nga secili partner duhet të jetë në formë likuide. Kjo do të thotë se kontrata e musharakah mund të bazohet vetëm në para dhe jo në mallra. Me fjalë të tjera, kapitali aksionar i një ndërmarrjeje të përbashkët duhet të jetë në formë monetare. Asnjë pjesë e tij nuk mund të kontribuohet në mallra ose shërbime. Megjithatë, ka mendime të ndryshme në këtë drejtim.
- Imam Maliku është i mendimit se likuiditeti i kapitalit nuk është një kusht për vlefshmërinë e musharakah, prandaj, është e lejueshme që një partner të kontribuojë në musharakah në mallra, por pjesa e tij do të përcaktohet mbi bazën e vlerësimit sipas çmimit të tregut të vlefshëm në datën e kontratës. Ky mendim është gjithashtu i pranuar nga disa juristë Hanbeli.
- Imam Ebu Hanife dhe Imam Ahmedi janë të mendimit se asnjë kontribut në mallra nuk është i pranueshëm në një musharakah. Qëndrimi i tyre bazohet në dy arsye:
Së pari, ata thonë se mallrat e secilit partner janë gjithmonë të dallueshme nga mallrat e tjetrit. Për shembull, nëse A ka kontribuar një makinë në biznes dhe B ka ardhur me një makinë tjetër, secila nga të dy makinat është pronë ekskluzive e pronarit të saj origjinal. Tani, nëse makina e A shitet, të ardhurat nga shitja duhet të shkojnë te A. B nuk ka të drejtë të kërkojë një pjesë në çmimin e saj. Prandaj, për sa kohë që prona e secilit partner është e dallueshme nga prona e tjetrit, nuk mund të ndodhë asnjë partneritet. Përkundrazi, nëse kapitali i investuar nga çdo partner është në formë parash, kapitali aksionar i secilit partner nuk mund të dallohet nga ai i tjetrit, sepse njësitë e parave nuk janë të dallueshme, prandaj, ato do të konsiderohen si një fond i përbashkët dhe kështu krijohet partneriteti.
Së dyti, ata thonë, ka një numër situatash në një kontratë të musharakah ku partnerët duhet t’i rikthejnë kapitalin aksionar secilit partner. Nëse kapitali aksionar ishte në formë mallrash, një rikthim i tillë nuk mund të ndodhë, sepse mallrat mund të jenë shitur në atë kohë. Nëse kapitali kthehet mbi bazën e vlerës së tij, vlera mund të jetë rritur dhe ekziston mundësia që një partner të marrë gjithë fitimin e biznesit, për shkak të vlerësimit të mallrave që ai ka investuar, duke mos lënë asgjë për partnerin tjetër. Përkundrazi, nëse vlera e atyre mallrave ulet, ekziston mundësia që një partner të sigurojë një pjesë të çmimit origjinal të mallrave të partnerit tjetër përveç investimit të tij.
- Imam Shafiu ka ardhur me një qëndrim të balancuar ndërmjet dy pikëpamjeve të shpjeguara më lart. Ai thotë se mallrat janë të dy llojeve:
- a) Dhevat-ul-emthal (dmth. mallrat të cilat, nëse shkatërrohen, mund të kompensohen me mallra të ngjashme në cilësi dhe sasi, p.sh. gruri, orizi, etj. Nëse 100 kilogramë grurë shkatërrohen, ato mund të zëvendësohen lehtësisht me 100 kg grurë të së njëjtës cilësi).
- b) Dhevat-ul-kimeh (dmth. mallrat të cilat nuk mund të kompensohen me mallra të ngjashme, si për shembull bagëtitë. Çdo dele, për shembull, ka karakteristikat e saj të veçanta që nuk mund të gjenden te ndonjë dele tjetër. Prandaj, nëse dikush vret delen e një personi, ai nuk mund ta kompensojë atë duke i dhënë një dele të ngjashme. Përkundrazi, ai është i detyruar të paguajë çmimin e saj).
Prandaj, Imam Shafiu thotë se mallrat e llojit të parë (dmth. dhevat-ul-emthal) mund të bëjn pjesë në musharakah si pjesë e kapitalit të një partneri, ndërsa mallrat e llojit të dytë (dmth. dhevat-ul-kimeh) nuk mund të formojnë pjesë të kapitalit aksionar.
Me këtë dallim midis dhevat-ul-emthal dhe dhevat-ul-kimeh, Imam Shafiu ka adresuar kundërshtimin e dytë mbi ‘pjesëmarrjen me mallra’, siç u shpreh nga Imam Ahmedi. Kjo për shkak se, në rastin e devat-ul-emthal, rishpërndarja e kapitalit mund të bëhet duke i dhënë secilit partner mallrat e ngjashme që kishte investuar. Megjithatë, kundërshtimi i parë mbetet ende i paqartë nga Imam Shafiu.
Për të adresuar edhe këtë kundërshtim, Imam Ebu Hanife thotë se mallrat që bien nën kategorinë dhevat-ul-emthal mund të formojnë pjesë të kapitalit aksionar vetëm nëse mallrat e ofruar nga secili partner janë përzier së bashku, në mënyrë të tillë që mallrat e një partneri të mos dallohen nga ato të tjetrit.
Me pak fjalë, nëse një partner dëshiron të marrë pjesë në një musharakah duke kontribuar me disa mallra, ai mund ta bëjë këtë sipas Imam Malikut pa asnjë kufizim, dhe pjesa e tij në musharakah do të përcaktohet mbi bazën aktuale te vlerës së tregut të mallrave, të vlefshme në datën e fillimit të musharakah. Sipas Imam Shafiut , kjo mund të bëhet vetëm nëse mallrat janë nga kategoria dhevat-ul-emthal.
Sipas Imam Ebu Hanifes, nëse mallrat janë dhevat-ul-emthal, kjo mund të bëhet duke përzier mallrat e secilit partner së bashku. Dhe nëse mallrat janë dhevat-ul-kimeh, atëherë ato nuk mund të formojnë pjesë të kapitalit aksionar.
Duket se mendimi i Imam Malikut është më i thjeshtë dhe më i arsyeshëm dhe i përshtatet nevojave të biznesit modern.