Myteveliu – kujdestari i vakëfit

Myteveli janë kujdestarët e vakëfeve, të cilët, sipas ligjit islam, konsiderohen thjesht si administratorë të ngarkuar me menaxhimin e vakëfit. Për shekuj me radhë, këta individë kanë luajtur një rol jetik në ruajtjen e trashëgimisë islame, duke mundësuar mbijetesën e vakëfeve.

Myteveli, sipas kuptimit leksikor, i referohet dikujt që kujdeset për punët e tjetrit, tregon miqësi dhe merr përsipër përgjegjësinë e një detyre. Si term juridik, ai përdoret për personin e ngarkuar me administrimin e vakëfeve sipas kushteve të vakfijes (dokumentit mbi themelimin e vakëfit), ligjeve islame dhe rregulloreve në fuqi. Detyra dhe kompetenca e tij quhet velajet, ndërsa emërimi i tij quhet tevlijet.

Emërimi i myteveliut bazohet kryesisht në vullnetin e themeluesit të vakëfit. Në rastet kur vullneti i tij nuk mund të përcaktohet, kompetenca i kalon gjyqtarit. Myteveliu i caktuar nga themeluesi i vakëfit quhet “meshrut myteveli”, ndërsa ai i emëruar nga gjykata quhet “mensub myteveli”. Në periudhën osmane, në fillim emërimi i myteveliut bëhej nga gjykatësit, por pas Tanzimatit, kjo filloi të realizohej me ferman mbretëror, njohur si “sadaka tevlijet”.

Dijetarët e jurisprudencës islame kanë interpretime të ndryshme mbi kushtet dhe detyrimet e myteveliut. Megjithatë, ata pajtohen se vakëfdhënësi ka të drejtë absolute për të caktuar një myteveli. Sipas shkollës hanefite, nëse themeluesi i vakëfit nuk ka caktuar një myteveli, ai vetë e merr këtë rol, ose emëron një tjetër. Në rast se ka ndërruar jetë dhe ka lënë një ekzekutor testamenti, ky i fundit mund të konsiderohet automatikisht myteveli, përveç rasteve kur testamenti përmban ndonjë ndalesë specifike. Kur asnjëra prej këtyre kushteve nuk plotësohet, kompetenca e emërimit i kalon gjykatës.

Përparësi u jepet fëmijëve dhe të afërmeve të vakëfdhënësit, me kushtin që të jenë të aftë për administrim. Nëse vakëfdhënësi ka përdorur shprehjen “më i menquri mes fëmijëve të mi”, interpretimi i këtij kushti i mbetet gjykatës.

Myteveliu duhet të ketë integritet moral dhe profesional, të jetë i drejtë dhe i besueshëm, pa dallim gjinie. Madje, sipas hanefive, ai nuk ka pse të jetë patjetër mysliman. Myteveliu ka përgjegjësinë të menaxhojë pasurinë e vakëfit, duke zbatuar kushtet e vakëfdhënësit dhe duke e ruajtur pasurinë nga dëmet. Ai mund të kryejë veprime të ndryshme si:

  • Dhënia me qira e pronave të vakëfit sipas vlerës së tregut.
  • Mirëmbajtja dhe riparimi i objekteve të vakëfit.
  • Menaxhimi i pagave dhe detyrimeve financiare.
  • Mbajtja e llogarive financiare dhe raportimi i tyre tek institucionet përkatëse.

Nga ana tjetër, ai nuk ka të drejtë të shesë pronat e vakëfit, përveç rasteve të jashtëzakonshme të miratuara nga gjykata. Gjithashtu, nuk mund të japë hua nga fondet e vakëfit pa garanci të mjaftueshme.

Myteveliu i caktuar ligjërisht nuk mund të shkarkohet pa një arsye të vlefshme. Ndër shkaqet e shkarkimit janë:

  • Përdorimi i pasurisë së vakëfit për interesa personale.
  • Mosrespektimi i kushteve të vakëfdhënësit.
  • Neglizhimi ose menaxhimi i dobët i pasurisë së vakëfit.
  • Probleme morale si faji në mashtrime financiare ose korruptim.

Sipas sistemit osman, kontrolli mbi veprimtarinë e myteveliut kryhej nga inspektorët e posaçëm të vakëfeve (nazır), të cilët kishin detyrën të siguronin që gjithçka të funksiononte sipas rregullave.

Institucioni i myteveliut ka pasur një rol kyç në administrimin e vakëfeve në Perandorinë Osmane. Duke qënë se vakëfet ishin një nga mekanizmat kryesorë të shoqërisë islame për sigurimin e shërbimeve publike, përgjegjësia e mëtevellit ishte thelbësore për funksionimin e tyre të suksesshëm.

Artikulli paraprakDhjetë kushtet e vakëfit
Artikulli tjetërVakëfet monetare