Statistikat e Tregtisë së Jashtme (STJ), Nëntor 2020
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin nëntor 2020
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për (-0.9%) në muajin nëntor 2020, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2019, gjegjësisht në vlerë prej 259.9 milionë Euro, krahasuar me deficitin prej 262.2 milionë Euro në vitin 2019. Eksporti mbulon importin me 15.0%.
Eksporti i mallrave në muajin nëntor 2020 kishte vlerën 45.7 milionë Euro, ndërsa importi 305.7 milionë Euro, që është një rritje prej 29.4% për eksport dhe 2.7% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 34.2% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 14.8% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 11.8% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 9.5% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 6.4% e përbëjnë produktet bimore; 4.4% e përbëjnë produktet minerale; 4.4% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.
Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 14.1% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12.2% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.2% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.5% e përbëjnë produktet minerale; 9.3% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 8.0% e përbëjnë mjetet e transportit; 7.1% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 16.9 milionë Euro, ose rreth 37.0% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 8.5%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Italia (11.0%), Gjermania (9.8%), Holanda (4.2%), etj.
Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 139.0 milionë Euro, ose 45.5% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-1.8%). Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (13.0%), Italia (7.3%), Greqia (3.6%), Polonia (3.0%), Sloveni (3.0%) etj.
Në muajin nëntor 2020, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 18.1 milionë Euro, ose 39.7% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 32.1%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (17.8%), Maqedonia e Veriut (10.6%), Serbia (6.5%), dhe Mali i Zi (3.7%).
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin nëntor 2020, arritën në 64.1 milionë Euro, ose 21.0% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 55.4%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (6.6%), Serbia (6.5%) dhe Maqedonia e Veriut (5.5%).
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 10.6 milionë Euro, ose 23.4%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: Zvicra (10.1%) dhe SHBA (7.5%).
Ndërsa importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 102.4 milionë Euro, ose 33.5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (11.9%) dhe Kina (10.6%).