Marrëveshja e arritur: një taksë globale kundër parajsave tatimore

Më shumë se 130 vende të botës ranë dakord të premten për ndryshimet në mënyrën se si do të taksohen kompanitë e mëdha globale, përfshirë një taksë minimale prej 15 përqind të korporatës për të parandaluar kompanitë shumëkombëshe të fshehin fitimet në parajsat tatimore.

Kompakti Global shënon një pikë kthese në taksimin e korporatave. Kompanitë e mëdha do të paguajnë një taksë minimale prej 15 përqind dhe do ta kenë më të vështirë të shmangin.

Negociatat zgjatën për katër vjet dhe patën mbështetjen e Presidentit amerikan Joe Biden. Kostot e lidhura me krizën pandemike i kanë dhënë shtysë marrëveshjes muajt e fundit.

“Vendosja, për herë të parë në histori, e një takse minimale të fortë globale më në fund do të barazojë fushën e lojës për punëtorët dhe taksapaguesit amerikanë, së bashku me pjesën tjetër të botës,” tha Biden në një deklaratë.

Marrëveshja u arrit midis 136 vendeve që përfaqësojnë 90 përqind të ekonomisë botërore, tha Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

Katër anëtarë të OECD – Kenia, Nigeria, Pakistani dhe Sri Lanka – nuk i janë bashkuar marrëveshjes, raporton Reuters.

OECD thekson se taksa minimale do të sjellë të ardhura prej rreth 150 miliardë dollarësh.

Marrëveshja do të parandalojë firmat e mëdha të fitojnë në vende me taksa të ulëta si Irlanda, pavarësisht se ku janë klientët e tyre, një çështje që është bërë gjithnjë e më urgjente me rritjen e gjigantëve të “Big Tech” të cilët lehtë mund të bëjnë biznes përtej kufijve.

“Sot ne kemi ndërmarrë një hap tjetër të rëndësishëm drejt drejtësisë më të madhe tatimore,” tha ministri gjerman i Financave Olaf Scholz.

Analistët thonë se marrëveshja e sotme është një përpjekje për të kontrolluar mënyrat në të cilat globalizimi dhe dixhitalizimi po ndryshojnë ekonominë botërore. /tesheshi.com/

Artikulli paraprakEuropa dhe Britania e Madhe përballen me krizën dimërore të energjisë, ndërsa rritja e çmimit të gazit intensifikohet
Artikulli tjetërBelgjikë, shqyrtohet reduktimi i ditëve javore të punës nga 5 në 4