Ligji qendror për vakëfet, 1954 – Indi

Periudha 1947-1954 ishte një periudhë kritike për vakëfet në Indinë e pavarur. Pas ndarjes së Indisë, shumë vakëfe mbetën pa kujdestar ose përfitues, pasi një numër i madh njerëzish ishin larguar ose kishin emigruar në Pakistan. Ndërkohë, një migrim i kundërt nga Pakistani çoi në okupimin e paligjshëm të pronave të vakëfit nga personat e zhvendosur. Të gjithë përfituan nga situata kaotike e kohës për të siguruar përfitime personale në dëm të vakëfeve.

Kur myslimanët e shqetësuar u organizuan brenda radhëve të Anjuman Himayat-e-Islam dhe Xhemijetu-l-Ulema el-Hind dhe paraqitën një raport të detajuar para Nehru-së, ai u bind menjëherë për nevojën urgjente për veprim. Rezultati ishte Ligji Qendror për Vakëfet i vitit 1954. Është argumentuar se ky ligj ishte “gjëja më e mirë që i ndodhi vakëfeve në Indi”, pasi, sipas këtij argumenti, për herë të parë pas periudhës mogule, u vendos një ligj mbarëkombëtar për administrimin e vakëfeve. Kështu, tendenca botërore drejt centralizimit të vakëfeve gjeti shprehje edhe në Indi përmes këtij ligji, i cili përbën një moment historik në administrimin e vakëfeve indiane.

Ligji krijoi Këshilla me autoritet dhe kompetenca, vendosi detyrime të sakta mbi kujdestarët (mytevelitë) dhe e bëri shkeljen e tyre një vepër penale. Ai i dha qeverive shtetërore përgjegjësi mbikëqyrëse dhe i dha Qeverisë Qendrore autoritetin për të përcaktuar politikat që do të ndiqnin Këshillat. Me këtë ligj, të gjitha vakëfet fetare dhe bamirëse, pavarësisht nga përkatësia e tyre, kaluan nën kontrollin shtetëror. “Menaxhimi dhe siguria e të gjitha pronave të dhuruara tashmë përfshihet në detyrat e qeverisë.”

Ligji gjithashtu kërkonte që të gjitha vakëfet fetare dhe bamirëse të regjistroheshin në regjistrin zyrtar të vakëfeve. Departamenti Shtetëror i Vakëfeve caktoi një drejtor, i cili ishte përgjegjës para secilës qeveri shtetërore për administrimin e efektshëm të departamentit. Ishte detyra e të gjithë drejtorëve të vakëfeve të mbronin të gjitha pronat e dhuruara dhe të siguronin që ato të funksiononin sipas statusit të tyre fillestar.

Shkurtimisht, ky ligj vendosi një strukturë administrative të qëndrueshme për të siguruar administrimin e duhur të vakëfeve në vend. Është argumentuar se mangësitë që ekzistonin në këtë ligj janë korrigjuar me Amendamentin e Ligjit për Vakëfet të vitit 1964 dhe se, për rrjedhojë, ligji i ndryshuar është një legjislacion shumë i qëndrueshëm.

Pavarësisht këtyre pretendimeve, është më e mundshme që kemi të bëjmë me fillimin e një procesi të madh të centralizimit, të ngjashëm me ato që janë vërejtur pothuajse në të gjithë botën islame. Ligji Qendror për Vakëfet shtrihet në të gjithë Indinë, përveç shteteve Xhamu, Kashmir, Bihar, Uttar Pradesh, Bengal Perëndimor dhe Gujarat, të cilat kanë ligje të veçanta për vakëfet.

Ligji Qendror për Vakëfet e përcakton vakëfin në nenin 3 si një kushtim të përhershëm të çdo pasurie të luajtshme apo të paluajtshme nga një mysliman për çdo qëllim të njohur nga Ligji Islam si i devotshëm, fetar apo bamirës. Kështu, ligji e eliminon në mënyrë të qartë çështjen shumë të diskutueshme të vakëfeve në para të gatshme, duke i bërë ato plotësisht të vlefshme në Indi. Një tjetër çështje e debatueshme, vakëfi familjar ose i ashtuquajturi vakëf alel evlad, është gjithashtu i lejuar, me kusht që pasuria të jetë kushtuar për ndonjë nga qëllimet e sipërpërmendura. Neni 66-C i ligjit parashikon gjithashtu krijimin e vakëfeve nga jo-myslimanët.

Procesi i centralizimit të sistemit të vakëfeve fillon me nenin 4, i cili përcakton që qeveritë shtetërore duhet të caktojnë një komisioner për të kryer regjistrimin dhe inspektimin e vakëfeve. Këto regjistrime duhet të përmbajnë të dhëna standarde. Për më tepër, çdo kujdestar (myteveli) është i detyruar me ligj të raportojë dhe regjistrojë vakëfin e tij në Këshillin Shtetëror të Vakëfeve. Çdo ndryshim në të dhënat e vakëfit ose të kujdestarit të tij duhej gjithashtu të raportohej në Këshill. Mosrespektimi i këtyre detyrimeve konsiderohej vepër penale.

Falë regjistrimeve të iniciuara nga Ligji për Vakëfet i vitit 1954, u mësua për përmasat e mëdha të sektorit të vakëfeve në Indi. Më e rëndësishmja, këto regjistrime zbuluan gjithashtu detaje mbi pronat e vakëfit që ishin uzurpuar në mënyrë të paligjshme.

Një dispozitë e rëndësishme e Ligjit Qendror i lejon Këshillit të marrë në administrim të drejtpërdrejtë një vakëf për një periudhë jo më të gjatë se pesë vjet. Një masë e tillë mund të merret nëse:

  1. Zyra e myteveliut është bosh dhe nuk gjendet ndonjë person i përshtatshëm sipas kushteve të dokumentit të vakëfit;
  2. E drejta e një personi për të vepruar si myteveli është e kontestuar;
  3. Myteveliu ose komisioni që administron vakëfin ka keqpërdorur pushtetin e tij dhe ka dështuar në përmbushjen e detyrave të veta.

Sipas këtij ligji, istibdali (shkëmbimi i pronës së vakëfit me një pronë tjetër) kërkon leje nga Këshilli i Vakëfeve. Nëse istibdali kryhet pa leje, Këshilli urdhëron personin që e ka në posedim pronën ta dorëzojë atë brenda 30 ditësh. Një person që e konsideron veten të dëmtuar nga ky urdhër mund të apelojë në Gjykatën e Qarkut.

Një kujdestar (myteveli) mund të shkarkohet nga detyra vetëm nëse tre të katërtat e anëtarëve të Këshillit mbështesin një masë të tillë. Myteveliu është i detyruar që, para datës 1 maj të çdo viti, t’i paraqesë Këshillit një deklaratë të plotë të llogarive të vakëfit. Këto llogari auditohen nga një auditor i emëruar nga Këshilli. Nëse vakëfit i shkaktohet ndonjë humbje për shkak të neglizhencës ose pakujdesisë së myteveliut, ai është i detyruar të kompensojë humbjen sipas Nenit 33 të Ligjit Qendror.

Neni 46 i këtij ligji e detyron myteveliun e çdo vakëfi të paguajë Këshillit 6% të të ardhurave neto vjetore të vakëfit përkatës. Megjithatë, Ligji Qendror për Vakëfet ka përjashtuar nga ky detyrim ato vakëfe, të ardhurat neto vjetore të të cilave nuk e kalojnë shumën prej 100 rupi. Çdo myteveli është i detyruar të kryejë këtë kontribut ndaj Këshillit të Vakëfeve. Mosrespektimi i këtij detyrimi çon në masa penale ndaj tij. Këto pagesa konsiderohen të domosdoshme për financat e Këshillit, të cilat përdoren për promovimin e arsimit fetar dhe teknik, si dhe për mirëqenien sociale.

Funksionet dhe kompetencat që Ligji i ka dhënë Këshillit të Vakëfeve tregojnë qartë shkallën e lartë të centralizimit që ai ka vendosur. Këshilli është i ngarkuar me këto përgjegjësi:

  1. Të japë udhëzime për administrimin e vakëfeve
  2. Të përcaktojë se si do të përdoret teprica e një vakëfi për të cilin nuk ka një akt kushtimi; myteveliu i këtij vakëfi është i detyruar të zbatojë udhëzimet e Këshillit
  3. Të inspektojë pronat e vakëfit, llogaritë e tij, etj.; myteveliu është i detyruar t’i lejojë këto inspektime
  4. Të mbajë informacion për origjinën, të ardhurat, qëllimin dhe përfituesit e çdo vakëfi
  5. Të sigurojë që të ardhurat e vakëfit të përdoren sipas qëllimit të tij fillestar
  6. Të vendosë skema menaxhimi për një vakëf
  7. Të shqyrtojë dhe aprovojë buxhetet e paraqitura nga mytevelitë
  8. Të auditojë llogaritë
  9. Të caktojë dhe shkarkojë mytevelitë në rast të një vakance ose kur e drejta e një personi për të shërbyer si myteveli është e kontestuar
  10. Të marrë masa për rikuperimin e pronave të vakëfeve që janë humbur
  11. Të ngrejë dhe mbrojë çështje gjyqësore që lidhen me vakëfet
  12. Të aprovojë dhënien me qira të pronave të vakëfeve për më shumë se tre vjet ose shkëmbimin e tyre sipas dispozitave të Ligjit Islam. Istibdali i kryer pa miratimin e Këshillit konsiderohet i pavlefshëm, edhe nëse ai ishte parashikuar në aktin fillestar të vakëfit
  13. Të administrojë fondet e vakëfit
  14. Të kërkojë të dhëna statistikore nga vakëfet
  15. Të organizojë regjistrimin dhe inspektimin e pronave të vakëfeve
  16. Të mbledhë informacion mbi një pronë të caktuar dhe të vendosë nëse ajo është pronë vakëfi apo jo. Vendimi i Këshillit, përveçse nëse rrëzohet nga një Gjykatë Civile, është përfundimtar
  17. Të kryejë të gjitha veprimet e nevojshme për mbikëqyrjen, mirëmbajtjen dhe administrimin e vakëfeve.

Në Bihar ekzistojnë borde të ndara për vakëfet sunite dhe shi’ite. Kjo ndarje dikur ekzistonte edhe në Delhi, por të dyja bordet u bashkuan në vitin 1962. Duket se bordet e vakëfeve shpeshherë janë shfuqizuar, bashkuar ose rivendosur në varësi të ndryshimeve të vazhdueshme që kanë ndodhur në kufijtë e shteteve indiane. Kjo situatë ka krijuar konfuzion të konsiderueshëm.

Në dhjetor të vitit 1960 u organizua një Konferencë Ndërshtetërore për Vakëfet. Në këtë konferencë, Këshillat e Vakëfeve u ankuan se fondet në dispozicionin e tyre ishin shumë të kufizuara. Për t’i rritur ato, u propozuan masat e mëposhtme:

  1. Meqenëse kontributet nga vakëfet janë burimi kryesor i të ardhurave të këshillave, mytevelitë që nuk i kanë paguar detyrimet e tyre duhet të shkarkohen
  2. Duhet të kryhen survejime të vakëfeve
  3. Të ardhurat e akumuluara të pronave të vakëfit, që ndodhen në administrimin e kujdestarëve (mytevelive), duhet të transferohen në këshilla
  4. Fondet që ndodhen nën administrimin e drejtpërdrejtë të këshillave të vakëfeve duhet të investohen
  5. Interesi i papretenduar nga vakëfet për arsye fetare mund të transferohet në këshilla për t’u përdorur për qëllime bamirësie
  6. Paratë që u përkasin vakëfeve duhet të ruhen në llogaritë publike nëse shuma e tyre e kalon kufirin prej 500 rupi

Rashidi pretendon se pothuajse të gjitha vështirësitë e hasura në zbatimin e Ligjit të vitit 1954 janë eliminuar me Amandamentin e Ligjit për Vakëfet të vitit 1964. Për të reduktuar tensionet midis sekteve të ndryshme islame, është shpallur një amandament i rëndësishëm, sipas të cilit, nëse numri i vakëfeve shi’ite në një shtet e kalon 15% të numrit total të vakëfeve, duhet të krijohen borde të veçanta për to.

Më parë, Këshilli nuk kishte autoritet të jepte urdhra një myteveliu lidhur me përdorimin e fondeve të tij të tepërta. Me këtë amandament, tashmë e ka këtë të drejtë.

Ndërsa Ligji i vitit 1954 e autorizonte Këshillin të miratonte dhënien me qira afatgjatë të pronave të vakëfeve, hipotekimin apo shkëmbimin e tyre, ai nuk e përfshinte shitjen. Për rrjedhojë, në rastet kur shitja ishte e domosdoshme, duhej kërkuar leja e gjykatës. Ky problem tani është zgjidhur.

Në përgjithësi, Ligji i shumëlavdëruar i vitit 1954 dhe amandamenti i tij duken se kanë dështuar në krijimin e një sistemi efikas të vakëfeve në Indi. Madje është pranuar se, pavarësisht kompetencave të dhëna, Këshillat e Vakëfeve nuk kanë qenë efektive. Autorët e pavarur këtë dështim e lidhin me pamjaftueshmërinë e kontributit të çdo vakëfi ndaj këshillave. Ata argumentojnë se përcaktimi i një kontributi prej pesë për qind të të ardhurave të vakëfit për këshillin është i pamjaftueshëm dhe duhet rritur.

Gjithashtu, është vënë re se këshillat janë treguar të paaftë në administrim, të dobët financiarisht dhe praktikisht vatra korrupsioni dhe nepotizmi. Ata nuk kanë arritur të luajnë një rol të rëndësishëm në ringjalljen socio-ekonomike të komunitetit. Përçarjet e brendshme dhe grupimet mes anëtarëve të tyre, si dhe ndërhyrjet e një këshilli në punët e tjetrit, janë vetëm dy nga shumë problemet që tregojnë se këto institucione nuk e kanë justifikuar besimin që komuniteti ka vendosur tek to.

Më konkretisht, këshillat janë akuzuar për dështim në detyrën e tyre më të rëndësishme: auditimin. Këshilli i Biharit ka qenë veçanërisht neglizhent. Si pasojë, Qeveria e Biharit u detyrua të suprimonte Këshillin Shtetëror të Vakëfeve Sunite të Biharit (Bihar Subai Sunni Majlis-e-Auqaf) në prill të vitit 1971. Por ky nuk ishte rasti i vetëm. Edhe këshillat e vakëfeve në Punxhab, Tamil Nadu dhe Andhra Pradesh u shpërndanë për pothuajse të njëjtat arsye.

Duke analizuar 18 këshilla shtetërore, është arritur në përfundimin se shumica e tyre kanë qenë të paefektshëm në auditim, dhe se “auditimi i llogarive është mënyra e vetme e besueshme që një Këshill Vakëfi të dijë nëse mytevelitë po i zbatojnë qëllimet e vakëfit sipas dëshirës së themeluesit … nëse ky detyrim thelbësor nuk kryhet nga Këshillat e Vakëfeve, atëherë ekzistenca e tyre nuk ka ndonjë justifikim”.

Kjo zgjidhja, megjithatë, duket se është një përsëritje e së njëjtës qasje: zëvendësimi i sistemit të vjetruar me një sistem të ri, më rigoroz dhe më efektiv. Megjithatë, nuk sqarohet se si do të jetë ky sistem. Ka arsye për t’u frikësuar se “sistemi i ri rigoroz” do të jetë thjesht edhe më shumë kontroll shtetëror, por po aq i paefektshëm sa më parë.

Në të vërtetë, u bënë përpjekje të mëtejshme për një kontroll më rigoroz me krijimin e Seksionit të Vakëfeve të Qeverisë së Indisë në vitin 1958. Pas organizimit të një konference dhe disa aktiviteteve fillestare, ky organ nuk ishte efektiv pas vitit 1974.

Në vitin 1961, u krijua edhe një organ tjetër qeveritar, Këshilli Qendror Këshillues për Vakëfet, i cili u pajis me status ligjor nga Qeveria e Indisë. Këshilli kishte për detyrë të këshillonte qeverinë për çështjet e vakëfeve dhe të merrte masa për përmirësimin e kushteve të komunitetit. Për të përmbushur këto objektiva, Këshilli mori si financim 1% të të ardhurave vjetore të çdo këshilli vakëfi, si dhe disa grante qeveritare dhe të ardhura nga interesat.

Megjithatë, edhe ky organ dështoi të përmbushte misionin e tij, gjë që e çoi në përfundimin:

“Por, kur të gjitha janë thënë dhe bërë, Këshilli në përgjithësi ka dështuar të përmbushë pritshmëritë.”

Pothuajse askush nuk ka vënë re paradoksin e kontrollit shtetëror: kontrolli efektiv nga shteti kërkon një ushtri inspektorësh, të cilët supozohet se janë individë të ndershëm. Duke bërë këtë supozim heroik, ata që mbështesin gjithnjë e më shumë kontroll shtetëror përmes agjencive me emra gjithnjë e më pompozë, harrojnë se ekziston një konflikt themelor midis kontrollit të vakëfeve dhe përmbushjes së objektivave të tyre.

Duke qenë se këto agjenci financohen nga vetë vakëfet, rritja e zbritjeve nga të ardhurat e tyre për të rritur kontrollin bëhet një proces vetëshkatërrues. Kjo vetëm sa çon në një reduktim të fondeve të vakëfeve për qëllimin e tyre kryesor: bamirësinë. Askush nuk duket se po mendon për përmirësimin e sistemit të vakëfeve duke u dhënë atyre më shumë, dhe jo më pak, autonomi.

Artikulli paraprakLigji për vakëfet, 1995 – Indi
Artikulli tjetërVakëfet në Malajzi dhe Singapor