Legjislacioni më i fundit në Indi që lidhet me sistemin e vakëfit u miratua në vitin 1995. Ligji për vakëfin i vitit 1954, i cili fillimisht u konsiderua si një ligj i shkëlqyer, solli në praktikë shumë vështirësi dhe u desh të ndryshohej në vitet 1959, 1964 dhe 1969. Në vitin 1984 u miratua një ligj tjetër për ndryshime, i cili solli ndryshime të thella. Megjithatë, ky ligj nuk mundi të zbatohej plotësisht përveç dy dispozitave të tij. Kritika kryesore ndaj këtij ligji lidhej me kompetencat e komisionerit të vakëfit. Thuhej se komisioneri kishte kompetenca mbizotëruese dhe se Bordi i Vakëfit ishte nënshtruar ndaj tij. Për më tepër, ligji i vitit 1984 u konsiderua me të drejtë si një ndërhyrje e rëndë nga shteti dhe qeveria qendrore në punët e përditshme të vakëfeve dhe të mytevelive.
Këto opinione sugjerojnë se ligji i vitit 1984 përfaqëson ndoshta kulmin e centralizimit të sistemit indian të vakëfit. Ligji i vitit 1995 duket se pasqyron një reagim ndaj këtij centralizimi. Tani le të shohim në çfarë mase ky ligj mund të konsiderohet i tillë.
Ligji i ri për vakëfin përmban këto veçori: një dispozitë interesante e ligjit të vitit 1984 ishte krijimi i Tribunalëve të Vakëfit, të cilët përjashtonin juridiksionin e Gjykatave Civile në çështjet e mosmarrëveshjeve për vakëfin. Kjo dispozitë është përfshirë edhe në ligjin e ri të vitit 1995. Bordet e Vakëfit janë riorganizuar në mënyrë që të kenë 13 anëtarë, ku shumica do të zgjidhen nga komuniteti mysliman. Një kriter specifik përzgjedhjeje lidhet me mytevelitë: kujdestarët e atyre vakëfeve që kanë një të ardhur vjetore më të madhe se 1 lakh rupia kanë të drejtë të zgjidhen si anëtarë të Bordit. Kështu, individët që administrojnë në praktikë vakëfet lejohen të kenë fjalën e tyre në administrimin e tyre.
Komisioneri i Vakëfit, i cili sipas ligjit të vitit 1984 kryesonte Bordin, tani do të quhet Kryeshefi Ekzekutiv dhe do të jetë i nënshtuar ndaj Bordit të Vakëfit. Megjithatë, në aspektet thelbësore, kompetencat e tij nuk janë kufizuar shumë. Kështu, ligji i vitit 1995 rezulton të jetë po aq centralist sa çdo ligj tjetër para tij. Si pasojë, argumentet se ka filluar një proces decentralizimi në sistemin indian të vakëfit duhet të merren me rezerva.
Norma e kontributit të vakëfeve për Bordin do të rritet nga gjashtë për qind e të ardhurave vjetore në shtatë për qind. Kështu, fondet që i përkasin bamirësisë janë përfshirë pak më shumë për të mbështetur mekanizmin kontrollues.
Ndryshe nga ligji i vitit 1954, i cili nuk zbatohej në disa shtete, ky i riu do të zbatohet në të gjitha shtetet, përveç Jammu dhe Kashmirit.
Dhënia si vakëf e pasurive të luajtshme konfirmohet sërish në kapitullin e parë. Ky problem trajtohet më tej në kapitullin e shtatë, ku përcaktohet se një myteveli lejohet të japë hua fonde që i përkasin vakëfit, me kusht që të ekzistojë një dispozitë e shprehur në aktin e vakëfit.
Në të njëjtin seksion, rikonfirmohet vlefshmëria e vakëfeve familjare, me kusht që qëllimi përfundimtar i vakëfit të jetë i devotshëm dhe bamirës. Kjo do të thotë, natyrisht, se sapo të shterojë linja familjare e themeluesit, vakëfi do të kalojë në një përdorim të devotshëm ose bamirës, gjë që është në përputhje me mësimet bazë të ligjit islam.
Në kapitullin e dytë, qeverive shtetërore u jepet autoriteti për të nisur dhe kryer anketa mbi vakëfet. Për të standardizuar informacionin e marrë nga këto anketa, pyetjet që duhet të bëhen janë të detajuara. Gjithashtu, thuhet në mënyrë të qartë se kostot e anketave do të mbulohen nga ato vakëfe që kanë të ardhura neto vjetore mbi 500 rupia. Shuma e saktë që duhet të kontribuojë çdo vakëf, që plotëson këtë kriter, do të përcaktohet në përpjesëtim me të ardhurat neto vjetore të tyre. Kështu, kemi një tjetër gërryerje të fondeve të vakëfeve të destinuara për bamirësi në emër të kontrollit.
Për krahasim, mund të vihet re se në SHBA organizatat jofitimprurëse nuk janë të detyruara të regjistrohen, dhe numri i tyre mund vetëm të supozohet, “me shumë gjasa që i kalon dy milionë”.
Një tjetër gërryerje ndodh përmes mbështetjes së një trupi burokratik të ri, të ashtuquajturit Këshilli Qendror i Vakëfit. Qëllimi i këtij Këshilli, i përshkruar në kapitullin e tretë, është të këshillojë qeverinë për çështjet që lidhen me funksionimin e Bordeve të Vakëfit dhe administrimin e duhur të vakëfeve. Financimi i Këshillit do të bëhet si vijon: çdo Bord do të paguajë nga Fondi i tij i Vakëfit çdo vit në Këshill 1% të shumës së të ardhurave neto vjetore të vakëfeve. Të gjitha këto fonde do të krijojnë një fond të quajtur Fondi Qendror i Vakëfit, i cili do të jetë nën kontrollin e Këshillit.
Tani që ky organ i ri është krijuar, lind nevoja për të audituar llogaritë e tij! Kostot e auditimit do të mbulohen nga Fondi Qendror i Vakëfit. Kompetenca për administrimin e vakëfeve i jepet Qeverisë Qendrore. Është interesante që kjo kompetencë i është dhënë Qeverisë Qendrore dhe jo qeverive shtetërore, gjë që tregon një vazhdimësi të politikës së centralizimit. Për më tepër, thuhet se çdo rregull i tillë duhet të paraqitet përpara secilës dhomë të parlamentit… dhe vetëm nëse të dyja dhomat bien dakord, ai do të zbatohet.
Qeveritë Shtetërore, nga ana tjetër, do të krijojnë Bordin e Vakëfeve dhe do të caktojnë anëtarët e tij. Një Kryeshef Ekzekutiv (CEO) gjithashtu do të emërohet, i cili do të ketë funksion kontrollues mbi Bordet. Kështu, krijohet një hierarki kontrolli që përfshin:
- Bordet të krijuara nga Qeveritë Shtetërore
- Vendimet e këtyre Bordeve do të zbatohen nga CEO-ja
- Si CEO-ja ashtu edhe Bordet do t’i përgjigjen Qeverisë Shtetërore
- Këshilli Qendror i Vakëfit, i cili këshillon Qeverinë Qendrore
Me sa duket, kjo hierarki kontrolli është konsideruar e pamjaftueshme, pasi ligji përcakton gjithashtu se Bordi mund të emërojë një Oficer Ekzekutiv me staf mbështetës për çdo vakëf që ka një të ardhur bruto vjetore prej jo më pak se 5 lakh rupia. Funksioni i Oficerit Ekzekutiv është të sigurojë që buxheti i vakëfit të paraqitet dhe llogaritë të mbahen siç duhet.
Kjo na bën të pyesim: Nëse Bordi cakton këta oficerë ekzekutivë, cili do të jetë roli i myteveliut vetë? Pse do të nevojitej ai më tej? Për më tepër, ekziston shqetësimi se me kaq shumë nivele hierarkike, vakëfet indiane thjesht do të mbeten të ngulfatura. Prandaj, ligji i vitit 1995 vështirë se mund të konsiderohet një përmirësim.
Ligji përcakton gjithashtu se Bordet do të jenë përgjegjëse për miratimin e çdo transferimi të pronës së vakëfit përmes shitjes. Ligji i ka bërë të vështira këto transferime pronësore dhe i ka kushtëzuar ato me miratimin e të paktën 2/3 të anëtarëve të Bordit. Ndërsa ligji e bën të ndërlikuar procesin e istibdal-it, zhvillimi i pronave të vakëfit është bërë i detyrueshëm. Nëse Bordi e konsideron një pronë të vakëfit të përshtatshme për zhvillim, fillimisht do t’i kërkojë myteveliut ta kryejë këtë zhvillim. Nëse ai nuk arrin ta realizojë brenda një afati të caktuar, Bordi, me miratimin paraprak të Qeverisë Shtetërore, do të marrë nën kontroll pronën dhe do ta zhvillojë vetë. Bordi mund të përdorë për këtë ndërtim fondet e vakëfit ose të marrë kredi duke përdorur si garanci pronat përkatëse të vakëfit. Ligji i vitit 1995 gjithashtu kërkon që të gjitha vakëfet të regjistrohen në zyrën e Bordeve. Gjithashtu, përcaktohet se të gjithë kujdestarët duhet të ofrojnë informacion standard gjatë aplikimit për regjistrim.
Sa i përket qiradhënies afatgjatë të pronave të vakëfit, një tjetër çështje kontroverse, çdo qira për një periudhë më të gjatë se tre vjet, pavarësisht nga çfarë parashikohet në aktin e vakëfit, konsiderohet e pavlefshme. Përfundimisht, mund të shtojmë se ligji i vitit 1995 nuk ka zgjidhur problemet komplekse të taksave të përmendura më parë.
Për të përfunduar: India përbën një rast jashtëzakonisht interesant, pasi ishte vendi i parë me një popullsi të konsiderueshme myslimane që ndjeu ndikimin masiv të ideve dhe sundimit perëndimor. Sundimi i drejtpërdrejtë dhe i vazhdueshëm britanik që nga fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë çoi në shfaqjen e veçorive të tilla si Ligji Anglo-Muhamedan. Megjithëse më sipër kemi qenë kritikë ndaj shumë veprimeve të britanikëve në Indi dhe ndaj shpërfilljes së hapur të ligjit islam, veçanërisht për sa i përket “rregullimit të përhershëm” dhe vakëfeve familjare, fitorja përfundimtare e myslimanëve nën udhëheqjen e Jinnah-it qëndron si një dëshmi e tolerancës britanike dhe respektimit të sundimit të ligjit. Është edhe më domethënës fakti që myslimanët modernistë indianë kanë qenë edhe më radikalë në zbatimin e vlerave perëndimore sesa vetë britanikët. Kjo pikë do diskutohet gjithashtu në shkrimet e ardhshme.