LANISTAR, mashtrimi i ri financiar?

Sa mund t’i kushtojë tregut financiar dhe njerëzve shembulli me i ri i mashtrimit nëpërmjet kartave LANISTAR? Markë që ka filluar të reklamohet nga “influencer” të rrjeteve sociale edhe në Shqipëri. Sa janë të ekspozuara financat e shqiptarëve ndaj një mashtrimi të tillë, që nëse provohet i vërtet, mund të rezultojë me balancë llogarie 0.00Lek dhe detyrime marramendëse në faturat e kartave të kreditit? Ky aktivitet financiar zhvillohet jashtë skemës së sigurimit të bankave. Nuk do kemi të bëjmë me një faliment bankar, por me një mashtrim si pasojë e moskujdesisë të klientit / kartëmbajtësit. Pra, dëmet mund të jenë të parimbursueshme.

 Çfarë është karta LANISTAR?

Kompania Lanistar LTD, e themeluar vitin e kaluar në Londër, reklamon që do hedhë në tregun financiar shërbimin e kartës së debitit me të re dhe më të sigurt në planet. Ajo do të operojë si një portofol, ku mund të regjistrohen deri në 8 karta. Këto karta priteshin të dilnin në treg në fund të vitit 2020, por prodhimi i tyre është shtyrë në Janar 2021. Përdoruesit aktualisht janë në gjendje të shkarkojnë vetëm aplikacionin zyrtar dhe të regjistrohen në listën e pritjes.

Sipas tipologjisë si kartë debiti, rrjedhimisht do pranohet regjistrimi i kartave bankare të debitit, kartëmbajtësi përdor fondet e veta në llogari. Marketingu i Lanistar shpeshherë ka lënë të kuptohet që do pranojë edhe kartat e kreditit, ku kartëmbajtësi përdor fondet e bankave, të cilat në të ardhmen janë detyrim për t’u paguar.

Sipas kompanisë, karta e re përdor teknologjinë polimorf dhe nuk do përfshijë të dhëna personale në kartën fizike, por do ketë tastierën dhe ekranin e saj që do të lejojë klientët që për çdo blerje apo tërheqje në ATM të gjenerojë një PIN dhe kod CVV2 që do skadojë pas çdo përdorimi.

Karta mund të përdoret falas vetëm për një llogari me veçoritë e saj të sigurisë polimorfike. Portofoli prej 8 kartave do lejohet vetëm kundrejt një tarife mujore përdorimi prej 19.99 £ / muaj për abonime 6 mujore, 14.99 £ / muaj për abonime 1 vjeçare. Versioni më i lirë është karta Lanistar me portofol që do lejojë regjistrimin e vetëm katër kartave bankare, e cila do kushtojë, 5.99 £ / muaj për abonime 6 mujore, 3.99 £ / muaj për abonime 1 vjeçare.

Në qershor, Mastercard, procesori i dytë më i madh i pagesave globale, deklaroi se kishte hyrë në një partneritet nëpërmjet kompanisë Transact Payments (TPL) me kompaninë Lanister, për të lëshuar kartën e saj të re të debitit që pritet të ndryshojë “lojën”  e tregut të kartave.

Postimet e influencerave

“Influencerat” dhe problematika e parë me autoritetin rregullator financiar në Britani, FCA

Lanistar filloi një fushatë marketingu në Instagram duke kontraktuar influencera me miliona ndjekës, të tillë si futbollisti belg Kevin De Bruyne, modelja Demi Rose, të dashurën e Cristiano Ronaldos, Georgina Rodriguez etj. Ne Shqipëri, ky lloj marketingu në Instagram, për herë të parë u përdor nga “influencerja” Aulona Musta.

 

Fillimisht, kompania njoftoi që ka paguar 3,000 influencera në rrjetet sociale si pjesë e fushatës së parë promocionale, në mënyrë që të depërtonte tek klientët e rinj të gjeneratës Z dhe Millennials. Kompania “reklamohej” si një kompani pjesërisht në pronësi të 3,000 influencerave, ku linte të nënkuptohej që çdo marketing për këtë kartë paguhej në përqindje aksionesh të kompanisë.

Por, kompania në fillim të këtij muaji i ka hedhur poshtë këto pretendime. Ndërsa thotë se karta është ‘për ata që e dinë se ndikimi (influenca) është monedha e vetme që ka rëndësi’, kompania ka hedhur poshtë çdo pretendim se influencerat që reklamuan kartën kanë aksione në kompani.

Sipas This is Money, kundrejt pretendimeve nëse Gill dhe de Bruyne zotëronin aksione të kompanisë, Lanistar është përgjigjur që janë mëse të gatshëm për të bashkëpunuar me influencerat në rrjetet sociale, kur produkti të dalë ne treg, por kanë refuzuar të komentojnë që sa prej 3,000 influencerave kishin pranuar ofertën e kompanisë dhe çfarë u kishte ofruar atyre, duke u justifikuar se informacioni ishte konfidencial dhe po diskutohej me çdo influencer individualisht.

Fushata e gjerë e marketingut e Lanistar ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve rregullatore në Britani.  Më 18 Nëntor 2020, Autoriteti i Sjelljes Financiare (FCA) ne Britani ka lëshuar një paralajmërim për investitorët e ardhshëm të Lanistar, duke deklaruar se firma po ofron shërbime / produkte të paautorizuara. “Kjo firmë nuk është e autorizuar nga ne dhe po synon tregun në Mbretërinë e Bashkuar, “paralajmëroi FCA. “Bazuar në informacionin që kemi, ne besojmë se po kryen veprimtari të cilat kërkojnë rregullim dhe autorizim”.

FCA gjithashtu paralajmëroi, “jini veçanërisht të kujdesshëm në marrëdhënie me këtë firmë të paautorizuar dhe të mbroheni nga mashtruesit. Jini të vetëdijshëm se mashtruesit mund të japin detaje të tjera të rreme ose të ndryshojnë detajet e tyre të kontaktit me kalimin e kohës, në adresat e reja të postës elektronike, numrat e telefonit ose adresat fizike. ”

FCA shtoi: “Pothuajse të gjitha firmat dhe individët që ofrojnë, promovojnë ose shesin shërbime financiare ose produkte në Mbretërinë e Bashkuar duhet të autorizohen nga ne”.

Lanistar në një deklaratë për mediat, tha se ishte në dijeni të paralajmërimit të FCA, por mohoi se po operonte pa leje. “Përputhshmëria ligjore dhe rregullatore janë thelbësore për Lanistar dhe ne konfirmojmë se nuk po ofrojmë shërbime financiare ose produkte pa autorizimin e FCA. Ne kemi njoftuar që shërbimet tona në të ardhmen do të jenë partnerë me firma që janë të autorizuara nga FCA.”

 

Deklara e FCA

 

Pas disa komunikimesh mes FCA dhe Lanistar, që pasuan deklaratën e mësipërme, FCA ne fund te muajit nëntor tërhoqi paralajmërimin duke deklaruar:

“Pas marrjes së një numri raportesh të konsumatorëve nga FCA, të Mërkurën 18 Nëntor ne lëshuam një paralajmërim ndaj konsumatorit kundër Lanistar. Sot, kompania ra dakord të shtojë përshijë informacionin e nevojshëm në materialet e saj të marketingut, duke azhurnuar statusin e saj rregullator për të konfirmuar që nuk po kryen aktivitete të autorizuara. Firma gjithashtu do të ndryshojë disa aspekte të faqes së saj të internetit. Bazuar në këto ndryshime, ne kemi tërhequr paralajmërimin ndaj konsumatorit. Firma ka konfirmuar se është në një proces para hedhjes në treg të produktit”

Kush fshihet pas LANISTAR?

Gurhan Kiziloz

Gjerësisht në media reklamohet se themeluesi dhe CEO i kompanisë Lanistar Ltd është Gurhan Kiziloz, por nga një kërkim i të dhënave të publikuar në regjistrin tregtar të Mbretërisë së Bashkuar (Companies House) rezulton që Kiziloz nuk zotëron aksione të kompanisë dhe për më tepër është emëruar si administrator i kompanisë jo më herët se 12 Tetor 2020 së bashku me Soner Demiralay.

Ndërkohë Gursel Niyazi, 59 vjeç, rezulton të jetë zotëruesi i 75% ose më tepër të aksioneve të kompanisë si dhe rezulton të jetë themeluesi dhe pronari përfitues i vetëm i kësaj kompanie.

Companies House: Informacioni për Lanistar LTD

Gjatë vitit 2020, kjo kompani ndërmori një fushatë të gjerë investimi me anë të cilës synonte rritjen e kapitalit të saj. Në muajin Korrik, Lanistar njoftoi që kompania Milaya Capital LTD (ish Ayavefe Investments) me pronar themelues dhe përfitues Yasam Ayavefe kishte investuar në kompani shumën prej 15 milion £ (~19 milion USD) duke blere 10% të aksioneve të Lanistar. Megjithatë pak muaj më vonë, kompania Lanistar informoi që Milaya Capital LTD është tërhequr nga investimi dhe fondet e kërkuara janë dhënë nga familjarët dhe te afërm të CEO-s Gurhan Kiziloz. Ndërkohë sipas Tracxn, një nga platformat kryesore në treg për ndjekjen e startup-eve dhe kompanive private të shpërndara në sektorë të teknologjisë, rezulton se Milaya Capital LTD vazhdon të figurojë si investitor në kompaninë Lanistar për vlerën 19 milion USD. Gjithashtu edhe platformat pitchbook.com dhe topionetworks.com, në profilin e kompanisë Lanistar, konfirmojnë që Milaya Capital LTD si investitor të kompanisë.

Companies House dhe Tracxn: Infomacioni për Milaya Capital LTD

 

A është tërhequr në të vërtetë Yasam Ayavefe nga Lanistar dhe kush është ai?

Së fundi Lanistar deklaroi që ka hapur zyrat edhe në Athinë. Nga një verifikim i bërë në regjistrin tregtar të Greqisë (General Enlectronic Commercial Registry of Greece – GEMI) rezulton e regjistruar më 2 Nëntor 2020, kompania Lanistar Greece Sole Shareholder P.C. me themelues dhe administrator Yasam Ayavefe.

Pra, natyrshëm lind pyetja nëse Milaya Capital LTD është tërhequr me të vërtetë nga investimi apo kemi të bëjmë me një tentativë për të fshehur gjurmët e pronësisë reale të kompanisë Lanistar? Ndoshta kjo për arsye të lidhjeve shumë të ngushta të Yasam Ayavefe me botën e krimit dhe mashtrimit financiar.

GEMI: Informacioni për Lanistar Greece Sole Shareholder P.C.

 

Yasam Ayavefe lindur në 1983 në Adana të Turqisë, është djali i një ushtaraku dhe shumicën e jetës e kaloi mes Qipros dhe Mersinit (qytet në Turqi). Megjithatë, jeta e tij nuk mund të përshkruhet kaq thjesht. Ajo që bie në sy nga një vështrim i shpejtë i të dhënave të kompanive të tij, rezulton se ai ka patur ose ka minimumi tre nënshtetësi, Serbe, Turke dhe atë Dominikane. Ndërkohë që ishte në listën e kuqe të Interpolit, ai vazhdonte jetën e tij, i pa shqetësuar në Greqi, duke arritur deri aty sa bënte edhe bamirësi në bashkëpunim me Kishën Ortodokse Greke. Nëse i referohemi faqes së internetit të vetë Yasam Ayavefe, ai paraqitet si një biznesmen i suksesshëm me investime të shumta në Qipro, Ballkan, Kirgistan, Kazakistan dhe në Angli. Në Qipro, në vitin 2015 ai ka marrë nga Ministri i asokohe i Turizmit, çmimin e biznesmenit më të mirë të vitit.

Yasam Ayavefe: çmimi, bamirësitë dhe arrestimi

Ndërkohë, në vitin 2018 Yasam Ayavefe rezultoi të ishte pjesë e organizatës kriminale të drejtuar nga turku Veysel Sahin dhe anglezi Scott William Masterton, anëtaret e të cilës asokohe akuzoheshin (dhe sot rezultojnë të jenë të dënuar nga drejtësia turke) për krijimin dhe organizimin e lojërave të fatit të paligjshmendërkombëtare dhe mashtrim financiar nëpërmjet një algoritmi të palejueshëm.  Yasam Ayavefe është arrestuar nga policia Greke për llogari të Turqisë, në Shkurt të 2019.

Sipas mediave turke, rrjeti ndërkombëtar i lojërave të fatit dhe basteve virtuale me bazë në Britani dhe Qipro, u shkatërrua nga autoritet turke në Dhjetor 2016. Anëtarët e këtij rrjeti në vitin 2018, përfshirë dhe Yasam Ayavefe janë dënuar me 3 vjet dhe 4 muaj për akuzat e lartpërmendura.

Ndoshta jo vetëm Yasam Ayavefe?

Së fundi në rrjetet sociale ka zëra se themeluesi dhe pronari përfitues i Lanistar, Gursel Niyazi, është në të vërtetë babai i CEO-s të kompanisë, Gurhan Kiziloz.

Postimi i gazetarit të The Times

Nisur nga këto zëra dhe duke supozuar që për arsye të panjohura, Gursel Niyazi mund të ketë patur mbiemrin Kiziloz, pas një verifikimi në regjistrin tregtar të Mbretërisë së Bashkuar (Companies House) rezulton se Gursel KIZILOZ (pronar i Phoenix Manning Lettings Ltd) dhe Gursel NIYAZI kanë të njëjtin muaj dhe vit të lindjes. Kjo nuk vërteton ndonjë dyshim mbi veprimtarinë e Gursel Niyazi, por nëse ka baza të vërteta si dhe duke parë profilin e dyshimtë të kompanisë, lindin natyrshëm dyshimet mbi arsyen e ndryshimit të mbiemrit.

 A e ka FinTech vigjilencën e duhur?

I gjithë studimi dhe analiza në këtë artikull është bërë online. Ndoshta në të ardhmen ky artikull do ndihmojë një investigim më të thelluar në terren dhe dyshimet e artikullit mund të hidhen poshtë. Në kundërpeshë me këtë artikull kundrejt dëmit potencial që mund të shkaktojë një mashtrim i këtij niveli, në këtë rast do të preferonim që Lanistar LTD në përfundim të rezultojë një investim që do sjellë një erë të re në sektorin e teknologjisë financiare ose ndryshe njohur si FinTech.

Pavarësisht kësaj mjaftonte vetëm disa kërkime online të përqendruar për kompanitë dhe personat e përfshire në kompaninë Lanistar LTD, për të gjetur pikat e dyshimta në profilin e kësaj kompanisë.

FinTech, një nga sektorët me investime dhe përfitime marramendëse, është njëkohësisht dhe sektori më delikat dhe ndër më të rrezikuarit për mashtrime financiare. Alarmi Lanistar LTD vjen pas më pak se 6 muaj nga kolapsi më 25 Qershor 2020 i dikur gjigandit Wirecard, që pas zbulimit të mashtrimit në fryrjen e shitjeve dhe të ardhurave rezultoi në 3.5 miliardë Euro humbje tek kreditorët. Këtu lind pyetja dhe jo për herë të parë, a e ka FinTech vigjilencën e duhur?   /BM/

Referenca:

FORBES

GEMI

COMPANIES HOUSE (LANISTAR LTD INFO)

COMPANIES HOUSE (MILAYA CAPITAL LTD)

COMPANIES HOUSE (Gursel KIZILOZ)

Tracxn

Pitchbook

Topio Networks

MILAYA CAPITAL

Lanistar

FCA 

BUSINESS CLOUD

SME MAG

FINANCIALIT

MILLIYET

FINTECH FUTURES

AA

 

Artikulli paraprakFitoni besimin e klientëve tuaj, theksoni cilësinë mbi sasinë
Artikulli tjetërPersoni më i paguar në YouTube për 2020 është vetëm 9 vjeç