KUSH ËSHTË I GJYMTUARI I VËRTETË?

Shumica e njerëzve besojnë se i gjymtuari i vërtetë është ai që ka humbur mundësitë elementare për një jetë normale. Kjo kategori njerëzish që jeta i ka sprovuar me aftësi të kufizuara janë të shpërblyer në fenë Islame. Ata kanë statusin e tyre të kujdesit, respektit dhe mbështetjes. Ndërsa i gjymtuari i vërtetë është ai që ka defekt të qëllimshëm në mendje. I ka të ngurtësuara shqisat dhe i ka të vdekura ndjenjat. Jeton si njeri i pavlerë dhe i paaftë.
Kush nuk mendon me mendjen e tij, kush nuk beson me zemrën e tij, kush nuk ec në rrugën e lavdisë dhe të njerëzillëkut, është pa dyshim i gjymtuari i vërtetë.
Ndërsa sa u përket atyre që janë sprovuar me aftësi të kufizuara trupore, ka ngjarë që të ishin motiv për epërsi.
Kam lexuar për njerëzit e mëdhenj të botës dhe arrita të zbuloj se shumica nga ata kanë qenë me aftësi të kufizuara fizike. P.sh, Ibn Abasi, dijetari universal i bashkësisë islame u verbua nga fundi i jetës së tij. Katadeja po ashtu ishte i verbër. Ata ibn ebi Rebah- xhevahiri i diturisë, ishte jo i pashëm. Zamahsheriu ishte çalaman. Roosevelti
po ashtu kishte probleme në ecje. Bethoveni i shurdhët. E sa shumë të tjerë patën jetuar në gjendje jo të favorshme ekonomike, familjare, shëndetësore e sociale. Megjithatë, ata e ndriçuan botën me lavdi, suksese dhe lanë gjurmë të bukura kudo.

Ndërsa tek ne sheh mijëra të rinj të fortë, të plotë të shëndoshë, të trashë, të mbushur e të plotësuar, aq sa mund të dalin në dyluftim me demin, ta kthejnë gomarin në shpinë. Mirëpo ata janë vërtet dështakë në të githa fushat e jetës. Qoftë në shkencë e zanate, ashtu edhe në arsim, në besim, në edukatë dhe në moral. Sikur nuk janë piesë e jetës ku frymon gjallëria!
Allahu i ka qortuar dhe zhvlerësuar hipokritët, ndonëse kishin trupa të fuqishëm dhe flisnin në mënyrë elokuente. Sepse në të vërtetë ata kanë karaktere të rënda dhe biografi që s’merret shembull.

Botës i duhen mendje inteligjente, mendime të ekuilibruara, moral dhe ambicie e mprehtë. Ndërsa kur është fjala tek skeletet dhe trupat e pa shpirt, pa ndjenja dhe pa dritë, ato nuk janë më shumë se një barrë e rëndë dhe një kob për njerëzinë.
Kemi takuar njerëz nga ata me nevoja të veçanta, të cilët qenë bërë histori më vete. Ata u bënë pjesë e bisedave dhe ndryshimeve të mëdha, shembuj spektakolarë në virtuozitet e stoicizëm. Njëri nga ata kishte fituar -pavarësisht paralizës të tij- titullin doktor shkence.

Tjetri kishte shkruar një raft me libra duke ndenjur ulur në karrocë.
Kanali Ikra ka bërë një emision special kushtuar njerëzve me nevoja të veçanta. Aty dëgjuam histori të mahnitshme të mjeshtërisë që hapnin portat e shpresës. Nga histori të tilla të freskohet gjoksi dhe demoralizimi kthehet në fuqi e optimizëm.

Përgëzime për të sfiliturit fizikë, por të shëndoshë në shpirt dhe të përndritur në mendje. Urime për ata që nga limoni bënë pije të ëmbël. Paqe mbi ata që humbjet i shndërruan në fitore, që nuk i gjunjëzoi fati dhe nuk i përuli sfida.
I gjymtë është ai që i shkeli me këmbë dhe i shtyu tutje dhuntitë e Allahut dhe jetoi i pavlerë dhe vdiq po ashtu.
O ju vëllezër dhe motra që e konsideroni veten si njerëz me nevoja të veçanta. Ju nuk keni asnjë gjymtim. I gjymtuari i vërtetë është dështaku, përtaci, i cili jetoi pa asnjë mesazh. Ai që frymon pa asnjë synim madje është edhe llafazan dhe jo premtues në librin e jetës.

Çelësi i Suksesit nga Aid El Karni | Përktheu Agron Islami

Artikulli paraprakSUKSESI DHE ANIJA E JETËS
Artikulli tjetërNDËRTUESIT E LAVDISË