Kulturë korruptive – Justinian Topulli

Në mendësinë e shumë shqiptarëve sot, vjedhja, korrupsioni dhe ryshfeti që marrin ata të cilët janë në pushtet, qoftë në para të thata apo në forma dhuratash, janë të këqija për aq kohë sa këtë “përfitim” e marrin të tjerët, ndërsa kur këtë “përfitim” e marrin vetë, justifikimin për të e kanë të gatshëm: “kështu bëjnë të gjithë”, “ka të tjerë që marrin më shumë”, “pse më të zgjuar se ne janë ata”, “ndershmëria është virtyt i budallait”, “nuk më del rroga”, “jeta ka shpenzime”… etj.

Abuzimi me pushtetin, në të gjitha format e mundshme, për përfitim material, është kthyer në një kulturë të përgjithshme mbizotëruese në këtë vend, aq sa edhe nëse ka njerëz të ndershëm dhe të papërlyer, ata ose nuk besohen se janë të tillë, ose shihen si derdimenë që nuk marrin vesh nga jeta. Kjo gjendje është kthyer në një sistem dhe kulturë masive, ku i keq dhe i korruptuar shihet vetëm tjetri, ai që ka mundësi të “përfitojë” miliona, për shkak të mundësisë që i jep pozita e punës, dhe jo ai që “përfiton” shumë herë më pak, sepse nuk e ka një pozitë të tillë që ia mundëson këtë. Ndaj dhe thellë-thellë kritikat për të korruptuarit në mjaft raste nuk janë gjë tjetër, vetëm se një shprehje smire dhe zilie për atë që kanë arritur të tjerët dhe keqardhje për veten.

Kjo lloj mendësie, e cila përflet dhe dënon vetëm tjetrin për milionat e përfituara pandershmërisht dhe justifikon e hesht ndaj pandershmërisë së vetes, nuk bën gjë tjetër, vetëm se krijon një mjedis social dekadent që kultivon me lehtësinë më të madhe në vazhdimësi breza të korruptuar, duke e kthyer korrupsionin në një kulturë popullore masive që riciklon vetveten dhe është tepër e vështirë të shkulet.

A i kemi bërë ndonjëherë pyetje vetes: Sa i korruptuar është brezi i ri?
Ata që u lindën dhe u rritën në këtë periudhë tranzicioni, sot janë bërë burra dhe prindër dhe po u trashëgojnë fëmijëve të tyre të njëjtën kulturë korruptive, që morën nga brezi paraardhës, kështu që pse duhet të jetë ndryshe brezi pasardhës?!

Kultura ndryshohet me kulturë, vesi me virtyt, dhe edukimi i ndërgjegjes njerëzore është mjeti themelor i ndryshimit, përkrah ligjeve dhe ndëshkimeve shembullore. Nëse lufta kundër korrupsionit nuk ka heronjtë dhe mbështetësit e saj politikë, mediatikë, arsimorë, socialë, familjarë dhe kulturorë dhe nuk arrin deri në ndërgjegjësimin individual dhe shoqëror të njeriut, ligjet dhe gjykatat janë të pamjaftueshme për të ndryshuar situatën. Sistemin e mirë ose të keq e bëjnë në radhë të parë individët dhe shoqëria dhe pastaj ai i riciklon ata.

J.topulli

Artikulli paraprakCIKLI PLANIFIKO-BËJ-KONTROLLO-VEPRO (PDCA)
Artikulli tjetërDallimi midis menaxhimit islam dhe menaxhimit perëndimor