Shoqata e Qumështorëve të Kosovës dhe Shoqata e Fermerëve Kosovar të Qumështit, kanë ngritur kallëzim penal ndaj Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AVUK) dhe disa kompanive vendore, për të cilët thuhet se ekziston dyshimi se kanë kryer vepër penale ‘mashtrim i blerësve”.
Shoqatat thonë se padia e tyre ka për bazë rezultatet e mostrave të dalura nga laboratorët e Institutit të Ushqimit në Shkup, të cilët kanë gjetur përdorim të produkteve të vajit të palmës në prodhimet e tre kompanive prodhuese kosovare të produkteve të qumështit.
Sipas tyre, konsumatorët kosovarë kanë blerë produkte me yndyrë bimore, ndërsa në të vërtetë atyre iu janë reklamuar dhe shitur si produkte të qumështit.
Kryetari i Shoqatës së Qumështorëve të Kosovës, Ramadan Memaj, në një konferencë për shtyp, tha se edhe përkundër thirrjeve dhe paralajmërimeve të vazhdueshme që u kanë bërë institucioneve të Kosovës dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret. Dhe kjo ka qenë arsyeja që Shoqatat kanë dorëzuar një kallëzim penal.
“Duke u gjendur në një situatë të tillë shumë të rëndë dhe përkundër thirrjeve të vazhdueshme që ne u kemi bërë institucioneve të Kosovës, sidomos të Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinës dhe përkundër asaj që agjencioni i ushqimit dhe Veterinës nuk ka ndërmarrë asnjë lloj hapi në drejtim të analizimit dhe të rregullimit të këtij problemi, ne kemi dorëzuar një kallëzim penal për Agjencionin e Veterinës dhe të Ushqimit, si dhe kundër disa kompanive vendore të cilat janë duke i përdorur këto produkte”, tha ai.
Kallëzim penal nga këto dy shoqata është ngritur edhe për tre kompanitë vendore, prodhues të qumështit nga Fushë Kosova, Lipjani dhe nga Prizreni.
Kryetari i Shoqatës së Qumështorëve të Kosovës, Ramadan Memaj, tha se kemi një mashtrim mjaft të madh të konsumatorëve të Kosovës me produkte të cilat paraqiten si produkte të qumështit, po që sipas tij kanë përmbajtje të lartë të yndyrave bimore.
“Kemi një mashtrim mjaft të madh të konsumatorëve të Kosovës me produkte të cilat paraqiten si produkte të qumështit, mirëpo në fakt kanë përmbajtje të lartë të yndyrave bimore, kryesisht të vajit të palmës. Sigurisht që shqetësimet tona janë rritur shumë më tepër pas raportit të agjencionit evropian për siguri ushqimore, i cili në majin e vitit 2016, ka dalë me një raport të detajuar lidhur me efektet e vajës së palmës për konsum human. Nga ky raport shihet se vaji i palmës është kancerogjen dhe gjenoteksik. Pra, është një shqetësim shumë i madh për faktin se në Kosovë kemi një vërshim të prodhimeve me yndyra bimore, gjithashtu kemi një numër të madh gjithnjë e më të madh edhe të prodhuesve vendorë të cilët janë duke i prodhuar këto produkte”, tha Memaj.
Ai tha se kosto e lirë që e kanë prodhimet me yndyrë bimore po e ngulfasin prodhimtarinë vendore të qumështit.Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Fermerëve Kosovar të Qumështit, Besim Kuqi, tha se importet dhe prodhimi brenda vendit i produkteve me yndyrë palme kanë shkaktuar dëme të jashtëzakonshme për industrinë e qumështit në Kosovë.
Sipas tij, kjo ka ndikuar më së shumti tek fermerët e qumështit të cilët nëse nuk i kanë mbyllur fermat tërësisht atëherë e kanë pasur dhe vazhdojnë ta kenë të pamundur zhvillimin.
Ai tha se nëse importi i vajit të palmës dhe prodhimeve bazë do të kontrolloheshin, atëherë do t’i hapej rrugë prodhimtarisë vendore.Në këtë konferencë gjithashtu u tha se bazuar në sasinë e qumështit të papërpunuar të cilin e grumbullojnë qumështoret në Kosovë, kjo sasi në tri vitet e fundit nuk është rritur, përkundrazi në vitin 2016 ka pasur një zvogëlim të sasisë, e cila ka ardhur si pasojë e rritjes së vazhdueshme të importeve si dhe zvogëlimit dhe mbylljes së fermave në vitin 2014 dhe 2015./KosovaPress/