Kështu tregojnë të dhënat e hulumtimit të agjencisë REA të prezantuara në një konferencë nacionale, të enjten, me temën “Sektori privat dhe mundësitë për investime në kosovë’.
Sipas këtij studimi, për të cilin janë shfrytëzuar edhe intervistat e zhvilluara me bizneset, ekonomia informale vazhdon të konsiderohet pengesa kryesore; pastaj konkurrenca e pandershme; problemi i furnzimit me energji elektrike; ngarkesat fiskale; mungesa e investimeve në infrastrukturë për nevojat e biznesit; ngarkesat tjera administrative dhe ligjet e mos-zbatueshmeria e tyre. Është identifikuar se numri më i madh i problemeve ndërlidhet me importin.
Njëri ndër problemet më të theksuara nga bizneset është mbikëqyrja dhe funksionimi i tregut, përkatësisht, konkurrenca e pandershme, e cila ende ka përmasa të mëdha. Me këtë problem ballafaqohen të gjitha bizneset, pa marrë parasysh sektorin në të cilin ata veprojnë.
Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Kosova ngecë dukshëm në ofrimin e insentivave për bizneset prodhuese, që punësojnë shumë dhe janë të orientuara në eksport. Nga ana tjetër, vendet e rajonit, si Serbia e Maqedonia ofrojnë lehtësira për investime, pushime fiskale, shfrytëzim të parcelave me tërë infrastrukturën.
“Ndërkaq, në ambientin dhe klimën e të zhvilluarit dhe për operimin e biznesit, problemet janë të theksuara. Kanë ashpërsi, shantazhe, gjyqësi të varfër e të vonuar dhe mungesë të frymës së partneritetit publiko-privat, e plot privatizime të dështuara”, tha Rexhepi.
“Niveli i investimeve është përkeqësuar edhe në sektorin privat, prandaj, rritja ekonomike kryesisht, vjen nga investimet në sektorin publik. Mirëpo, kjo strutkurë e investimeve nuk garanton zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë”, ka treguar Rexhepi.
Ahmet Jetullahu-Meti, drejtor i Prishtina REA theksoi se sektori privat në Kosovë vazhdon të konsolidohet tutje. Por, sipas tij, për fat të keq, institucionet qeveritare nuk arritën të tregojnë performancë kohezive dhe konsistencë ndaj sektorit privat, pa arritur të hartojnë strategji, dokumente a plane të implementueshme me tregues të matshëm dhe perspektiva .