Të paktën 37% e shqiptarëve vuajnë nga varfëria energjetike, shumë më lart se mesatarja evropiane prej 5%, sipas një studimi nga DOOR dhe EIHP ku trajtohet varfëria energjetike në vendet që janë anëtare të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.
Sipas EurActiv, mungesa e ngrohjes i shtyn familjet e varfra të përdorin dru për të ngrohur shtëpitë, duke ndikuar drejtpërdrejt në shëndetin e tyre.
Në mesin e nëntë vendeve te marra në shqyrtim nga raporti, Kosova ka pjesën më të madhe të familjeve që jetojnë në varfëri energjetike me 40%. Në vend të dytë vjen Shqipëria me 37%, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 33%, Serbia me 22% dhe Mali i Zi me 15%.
Varfëria energjetike përkthehet si paaftësi për të ngrohur siç duhet shtëpitë ose për të përmbushur nevojat e përditshme për energji.
Raporti gjithashtu vuri në dukje se familjet e konsideruara në varfëri energjetike nuk marrin mbështetje në plotësimin e nevojave të tyre për energji.
Një studim i tjetër zbuloi se pothuajse gjysma e të gjitha familjeve në Ballkanit Perëndimor përdorin drurin si lëndë të parë për ngrohje, duke ndikuar negativisht në shëndetin e tyre. Agjencia Evropiane e Mjedisit vlerësoi se ndotja e ajrit shkaktoi më shumë se 30,000 vdekje të parakohshme në vitin 2019 në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Pavarësisht se çfarë djegim, ne krijojmë ndotje – kjo vlen edhe për djegien e drurit. Është shumë e thjeshtë: djegia e drurit ndot ajrin që thithim, si brenda ashtu edhe jashtë. Ndotja e ajrit shkakton sëmundje tek njerëzit, përkeqëson sëmundjet kronike dhe madje çon në vdekje të shumta të parakohshme. Nga pikëpamja shëndetësore, Ballkani Perëndimor duhet urgjentisht të kalojë në ngrohjen e ekonomive familjare me parimin e efikasitetit energjetik, jo ndotës dhe të shëndetshëm”, tha Vlatka Matkoviç, zyrtare e lartë e aleancës për shëndetësisë dhe energji.
Ajo shtoi se Ballkani Perëndimor “duhet urgjentisht të kalojë drejt ngrohjes shtëpiake me efikasitet energjetik, jo ndotës dhe të shëndetshëm”. /telegrafi/