Koncepti i bankimit islam dhe disa përkufizime mbi veprimet e tyre
Bota sot po vuan nga një krizë e madhe ekonomike, e cila ka përfshirë të gjitha sektorët bankarë dhe prej aty është shtrirë edhe më tej, duke përfshirë të gjithë sektorët ekonomikë të vendeve të botës. Kjo ka shtuar edhe më tepër vuajtjet e vendeve të varfëra, të cilët që në fillim kanë vuajtur nga sëmundje ekonomike të tjera, siç janë varfëria, normat e larta të papunësisë, mungesa e stabilitetit ekonomik, inflacioni etj.
Kjo gjendje padyshim që ka edhe shkaktarët e saj, ku në krye qëndron mungesa e servirjes së një kuadri bankar dhe monetar të qëndrueshëm dhe të drejtë, pra një sistem ekonomik efiçent, që të ruajë gjallërinë dhe aktivitetin e tij për të mbërritur në realizimin e objetivave socialë dhe ekonomikë. Por një sistem bankar i pjekur dhe i drejtë nuk mund të bëhet realitet, vetëm nëse ky sistem funksionon nën dritën e parimeve islame.
Për këtë arsye është e domosdoshme që të kërkohet kjo alternativë, të cilën e servirin sot kryesisht bankat islame, të cilat dallohen për kujdesin që tregojnë për sa i përket aspektit social dhe moral dhe që kontribuojnë në konsolidimin e shoqërisë mbi bazën e një programi hyjnor gjithëpërfshirës.
Fusha e bankimit vendor dhe ai rajonal ka dëshmuar një zhvillim të madh në shërbimet bankare islame, qoftë në themelimin e bankave te reja islame, por edhe në transformimin e bankave tradicionale tërësisht në banka islame.
Sipas disa statistikave që u paraqitën së fundmi në Kongresin e Bankave Islame, që u mbajt në Damask, numri i institucioneve financiare islame është 390 të shpërndara në 75 shtete, me një kapital që mbërrin shumën nga 500 deri në 1,000 miliard dollarë, ndërsa përqindja e industrisë të bankimit islam është rritur me 15 deri në 20 përqind çdo vit.
Ky është një zhvillim i madh për sa i përket peshës së bankimit islam, gjë të cilën askush nuk mund ta imagjinonte, që prej provës së parë të hapjes së Bankës Islame, e cila nuk kishte të bënte me kamatën, as në dhënie dhe as në marrje. Kjo ndodhi në vitin 1975 në fillimet e ngritjes së Bankës Islame për Zhvilllim në Xhedah dhe të Bankës Islame në Dubai.
Një nga faktorët kryesorë të suksesit të bankimit islam ishte se ato iu përmbajtën parimeve islame në të gjitha transaksionet e tyre, sepse këto norma islame konsiderohen themelore në marrëdhëniet që ngren banka islame me klientët e saj.
Për shkak të botëkuptimeve dhe përkufizimeve të ndryshme që i janë dhënë bankimit islam dhe industrisë monetare islame kërkuesit dhe studiuesit janë marrë nga afër me çështjet e ekonomisë islame. Për këtë arsye ne do të paraqesim disa përkufizime, në mënyrë që të njohim nga afër konceptin e bankimit islam dhe të përpiqemi të ofrojmë një botëkuptim të ri për të, me shpresën që kjo do t’i shërbejë shtimit të njohurive të individëve në lidhje me bankimin islam.
Dr. Muhamed Beltaxhi e përkufizon bankimin islam, si një grup institucionesh, që ofrojnë shërbime financiare, bankare dhe investimi nën dritën e dispozitave të legjislacionit islam nisur nga metoda e ndërmjetësimit financiar, që ngrihet mbi bazën e pjesëmarrjes së ortakëve së bashku si në humbje edhe në fitim.
Ky përkufizim e vë theksin në disa çështje të rëndësishme:
1- Bankat islame janë institucione të mirëfillta financiare.
2- Bankat islame ofrojnë shërbime të njohura bankare, por përveç kësaj bankat islame merren edhe me investimin e parave, si dhe me investime të drejtëpërdrejta në shërbimin e vet dhe të tjerëve.
3- Bankat islame bazohen mbi dispozitat e legjislacionit islam nëpërmjet një komisioni fetar, që kontrollon të gjitha verpimet e këtyre bankave dhe nëpërmjet një rregulloreje themelore të bankës, që funksionon mbi bazën e dispozitave tolerante të fesë islame.
4- Bankat islame ngrihen mbi parimin e ndërmjetësimit në të gjitha veprimet e tyre, duke pranuar depozita, duke lëshuar garanci financiare dhe duke ofruar shërbime bankare në dobi të vetvetes dhe të tjerëve.
5- Boshti i bankave islame në transaksionet bankare është pjesëmarrja në fitim dhe në humbje.
Disa të tjerë e kanë përkufizuar në këtë mënyrë bankën islame:
1- Bankat islame janë institucione financiare, që nuk operojnë me interes, as në të dhënë dhe as në të marrë, dhe i përmbahen dispozitave islame në transaksionet e tyre.
2- Bankat islame janë të sanksionuara me ligj, ku shprehet qartazi, se ato i përmbahen legjislacionit islam dhe nuk operojnë me interes.
3- Banka islame janë institucione financiare që kanë si qëllim akumulimin e parave dhe vënien e tyre në efiçencë, sipas parimeve të legjislacionit islam dhe në shërbim të shoqërisë dhe individit me të gjitha format e financimit, siç është Mudarebeja (investimi i punës dhe i kapitalit), tregtia me mallra dhe shërbime, Murabeha (blerja e mallit me porosi dhe shitja e tij me fitim), mbledhja e fondeve dhe investimi i tyre në këmbim të një fitimi të përcaktuar apo të papërcaktuar etj.
Pavarësisht përkufizimeve të ndryshme, që mund t’i jepen bankimit islam, të gjitha përputhen në disa pika:
1- Bankat islame janë institucione financiare, që punojnë për akumulimin e parave dhe për investimin e tyre pa rënë ndesh me dispozitat islame.
2- Banka islame bazohen mbi paratë e pastra dhe hallall nga investimi i të cilave pritet fitim, por edhe humbje.
3- Në marrëdhëniet me klientët e tyre bankat islame bazohen mbi ato shërbime, që plotësojnë kriteret islame të financimit dhe që i përgjigjen të gjitha nevojave që kanë sektorët e ekonomisë.
Nga sa u tha më sipër nxjerrim, si përfundim se bankat islame i qëndrojnë larg kamatës dhe punojnë për të nxjerrë fitime nga investimet. Gjithashtu institucionet financiare islame punojnë për të mbledhur kursimet dhe për t’i investuar ato në formën me të mirë të mundshme, dhe ndryshe nga bankat tradicionale ato marrin përsipër rrezikun e humbjes nga investimimet e përbashkëta mes palëve dhe nga ana tjetër fitimin e tyre e marrin prej këtyre investimeve dhe jo prej kamatës.
LHSH