Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë thotë se shpreh shqetësimin në lidhje me renditjen e Kosovës në Indeksin e Lirisë Ekonomike të Heritage Foundation për vitin 2022.
Sipas këtij indeksi, vlerësimi i përgjithshëm i Kosovës është nën mesataren rajonale.
“Në një kohë kur Kosova ka nevojë për nxitjen dhe tërheqjen e investimeve të brendshme dhe të jashtme, vlerësimi i ulët i Kosovës për liritë ekonomike demonstron domosdoshmërinë e një qasje aktive të institucioneve të shtetit për të adresuar çështjet që lidhen me indikatorët e sundimit të ligjit, madhësinë e qeverisë dhe efikasitetit rregullativ, me fokus në çështjet pronësore, efektshmërinë gjyqësore, integritetin e qeverisë, ngarkesën tatimore, shpenzimet qeveritare, shëndetin fiskal, lirinë afariste dhe lirinë e punës”, thuhet në reagimin e OEAK-ut.
Oda thotë se brenda pesë viteve liritë ekonomike janë përkeqësuar.
“Oda Amerikane është veçanërisht e shqetësuar lidhur me trendin përkeqësues pesëvjeçar të lirisë ekonomike, ku vendi ka shënuar rënie në fund të kategorisë së shteteve me “Liri mesatare”, si dhe reagimin jo të duhur të Qeverisë karshi krizës COVID-19 në aspektin e rreptësisë, me renditje në vendin e 91-të globalisht, shqetësim ky i ngritur në mënyrë të vazhdueshme nga Oda Amerikane dhe organizatat e tjera të sektorit privat në vend”, vijon reagimi.
Në fund, OEAK i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës të ndjekë një agjendë aktive të zhvillimit ekonomik, duke adresuar në mënyrë urgjente indikatorët me vlerësim më të ulët./telegrafi/