Nga; Justinian Topulli
Nëse i hedhim një vështrim jetës personale të mjaft gjenive që ka parë historia njerëzore, në të gjitha fushat e jetës dhe të dijes, do të vëmë re lehtësisht se shumë prej tyre kanë përjetuar kriza të mëdha psikike dhe dilema të forta ekzistenciale. Në veçanti kjo ka ndodhur me gjenitë e artit, shkencës dhe mendimit, të cilët nuk janë ndjerë të vlerësuar nga njerëzit e kohës dhe vendit ku jetuan, për shkak se ata mendonin se njerëzit nuk i kuptonin, ose donin t’i shfrytëzonin për interesa të tyre.
Në përgjithësi, gjenitë kanë të theksuar ndjenjën e vetmisë, sepse ata jetojnë më së shumti me artin, shkencën apo mendimin e tyre, dhe për atë që bëjnë e ndjejnë, se janë ndryshe nga të tjerët. Sa më shumë ta forcojnë këtë ndjesi, aq më shumë zhyten në vetminë e tyre. Kjo vetmi mendore, në radhë të parë, ku ata ndjehen tepër unikë, gati të papërsëritshëm dhe ndoshta të vetmit e llojit të tyre, është shkaku kryesor i krizave të tyre në jetë.
Ndjesia e të qenit i veçantë, ndryshe nga të tjerët, plekset me egon njerëzore dhe njeriu pa e kuptuar kalon në adhurim të vetvetes, sidomos kur kjo i ushqehet edhe nga admirimi i jashtëm, e cila mund ta çojë atë në shfrenim, e nëse jo, ajo kalon në krizë që mund të shkojë edhe në vetëvrasje.
Çdo gjeni ushqen brenda vetes një ndjesi madhështie, por ai që është besimtar dhe kupton e ndjen siç duhet vendin e tij në këtë botë, e kapërcen këtë ndjesi shumë më lehtë sesa dikush tjetër. Një besimtar e ka të qartë se ekzistenca përbëhet nga Krijuesi dhe krijesat. Krijuesi është i vetmi që është unik, i pangjashëm, i pakrahasueshëm dhe i paafrueshëm me askënd. Ndërsa krijesa sado unike dhe e veçantë qoftë, ajo mbetet në një formë ose në një tjetër e përsëritshme, e krahasueshme dhe e ngjashme me sojin e saj. Dhe pikërisht, jo më kot, Krijuesi betohet në Kuran në “çiftin dhe në tekun”. Dhe tek absolut është vetëm Ai dhe askush tjetër, ndërsa çdo krijesë është çift. Dhe çifti këtu nuk përfshin vetëm një dimension, por çdo dimension që e përbën një krijesë, qoftë kjo fizike ose jo.
Zoti është Krijuesi i pashembullt dhe çdo krijim i Tij ka diçka unike në të, sepse Ai nuk i bën krijesat si prodhimet në seri të fabrikave, por unikja e çdo krijese vjen më së shumti nga kombinimi i larmisë së shumtë të tipareve të tij, të krahasueshme dhe të ngjashme me krijesat e tjera dhe jo nga veçantia unike e thelbit të krijesës, pasi bie fjala, një njeri sado unik që të jetë, përsëri njeri ngelet, dhe nuk mund të ndryshojë në mënyrë të plotë nga njerëzit e tjerë, qoftë kjo nga ana fizike, qoftë kjo nga ana shpirtërore dhe mendore e tij. Kështu është edhe me gjenitë, sado unikë, të ndryshëm, e të veçantë të jenë, ata nuk janë të papërsëritshëm në aspektet e ndryshme që i përbëjnë ata. Kështu që çdo krijesë në thelb mbetet “çift” dhe vetëm Krijuesi është “teku” absolut.
Nëse kuptohet qartë thelbi dhe pasojat e këtij realiteti, atëherë çdo gjeni njerëzor i kësaj bote, sado i madh, i veçantë dhe unik qoftë në gjenialitetin e tij, e kupton se dhuntia që ai posedon është dhuratë e Krijuesit dhe se në thelb ai është si të gjithë njerëzit e tjerë. Një besimtari do t’i mjaftonte si shembull Profeti i fundit i njerëzimit, Muhamedi (alejhi salatu ue selam), i cili edhe pse ka veçantinë dhe uniken e tij, ndryshe nga të tjerët, atë Allahu e quan qenie njerëzore si të tjerët, në librin e Tij, Kuranin. Po kështu, edhe vetë Profeti i Zotit, e krahason veten e tij me profetët e tjerë, si tulla e një shtëpie, mes gjithë tullave të tjera. Edhe pse ishte tulla e fundit e kësaj ngrehine, ai nuk thotë se ishte ndryshe nga të tjerët. Ai nuk ishte unik, sepse ishte “pasqyrim i qenies së Zotit”, apo vetë esenca njerëzore e pasqyrimit të Krijuesit, siç mendojnë disa, por ai ishte unik për aspekte të jashtme të tij, që nuk preknin esencën e tij njerëzore, të ngjashme me të gjithë njerëzit e tjerë. Dhe kur Profeti i Zotit ishte i tillë, atëherë çdokush tjetër mes njerëzve, çfarëdo përmasash gjeniale të mbartë, do ngelet shumë më pak unik se ai. Kur vetë Profeti më i madh i njerëzimit pranoi si tipar të tij dhe u quajt edhe nga Zoti si abd (rob, skllav), kjo tregon se askush tjetër në këtë jetë nuk meriton të jetë më shumë sesa ai, kushdo qoftë ai.
Nëse njerëzit e zgjuar, e ditur dhe inteligjentë nuk arrijnë të kuptojnë dhe ndjejnë këtë gjë, atëherë ata kurrë nuk do bëhen të mençur, të urtë, e të qetë shpirtërisht, cilësi kjo që e fitojnë vetëm ata që i përulen modestisht Krijuesit dhe nuk iu lartësohen krijesave.