Alarmi nga një epokë e teknologjike me pasoja
Inteligjenca artificiale (AI) mund të shkaktojë ndërprerje të konsiderueshme në tregun e punës, paralajmëroi Gita Gopinath, zëvendësdrejtoresha e parë e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), duke u kërkuar ligjvënësve që të rregullojnë sa më shpejt përdorimin e teknologjisë së re.
“Qeveritë, institucionet dhe ligjvënësit duhet të jenë të shpejtë në rregullimin e të gjitha fushave, por edhe në përgatitjen për ndërprerje të mundshme të rëndësishme në tregjet e punës,” tha ajo për Financial Times (FT).
Ajo u tha qeverive që të forcojnë “rrjetat e sigurisë sociale” për punëtorët, vendet e punës të të cilëve do të kërcënohen nga inteligjenca artificiale dhe të kujdesen që të mos shpërblejnë kompanitë që zëvendësojnë punëtorët me makina me masa tatimore, raporton Reuters.
Ata gjithashtu duhet të sigurojnë që kompanitë të mos ndërtojnë një pozicion të paarritshëm në teknologjinë e re, theksoi zyrtarja e FMN.
AI do të zëvendësojë 7800 vende pune në IBM
Mesazhet shqetësuese nga FMN vijnë pasi disa kompani, përfshirë gjigantin e teknologjisë IBM, njoftuan zëvendësimin e punëtorëve me teknologji të reja.
IBM njoftoi më parë se do të ngrijë punësimin pasi pret që gati 7800 vende pune të zëvendësohen nga inteligjenca artificiale në vitet e ardhshme.
Drejtori i Përgjithshëm i IBM, Arvind Krishna, tha për Bloomberg News se ai mund “të shohë lehtësisht” gati një të tretën e punonjësve që nuk përballen me klientët duke u zëvendësuar në pesë vitet e ardhshme.
“Këto role që nuk përballen me klientët përbëjnë rreth 26,000 punëtorë,” tha Krishna.
“Unë mund të shoh lehtësisht 30 për qind të asaj që zëvendësohet nga inteligjenca artificiale dhe automatizimi brenda pesë viteve.” /tesheshi.com/