Bankat Komerciale në vend gjatë vitit 2012 kanë fituar hiç më pak se 36.4 milionë euro nga tarifat dhe komisionet, e ku vërehet një rritje prej 9 për qind, apo 3.2 milionë euro më shumë se vitin 2011.
Disa banka komerciale që veprojnë në Kosovë, kanë shtrenjtuar tarifat për shërbimet bankare, që në disa vende tjera ofrohen falas. Për të paguar ndonjë faturë të nevojshme, tarifat fillojnë nga dy euro në disa banka – nëse nuk je klient i atij institucioni.
Kurse, në disa banka tjera mund të përfundosh shërbimet me një euro, respektivisht 70 centë.
Ngritja e këtyre tarifave, për ekspertë të ekonomisë dhe qytetarë, konsiderohet e papranueshme dhe joreale në krahasim me pagat e klientëve të tyre.
Drita Selmani, një qytetare nga Prishtina, tregon se në njërën nga bankat komerciale në vend, i është kërkuar të paguajë provizion dy euro për një pagesë të faturës.
“Pasi nuk isha kliente e bankës, ata më kërkuan dy euro për pagesën e faturës. Pagesën nuk e përfundova dhe shkova në bankën ku jam kliente. Është shumë shtrenjtë për kushtet në të cilat jetojmë. Nuk kemi nevojë që të japim dy euro më tepër provizion” , thotë Drita Selmani për Radio Evropa e Lirë.
Në anën tjetër, zyrtarë të ProCredit Bank, në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike kanë thënë se tarifat nuk janë ngritur, por ka pasur një diferencim të llojit të pagesave, përfshirë provizionet.
Pra, pagesat për klientët e bankës janë të njëjta apo edhe zvogëluar nëse bëhen me e-banking. Në këtë kontekst, qëllimi i bankës është që të ulë përdorimin e parave të gatshme dhe të inkurajojë pagesat jo me para të gatshme dhe kanalet alternative, siç janë e-Banking, bankomatët etj.
Një përgjigje e ngjashme i është dhënë nga bankat tjera edhe Institutit për Zhvillime të Avancuara, GAP, në një hulumtim që ka përfunduar me disa banka komerciale. Në numrin e fundit të Bankometriit, ky institut ka sjellë informata të detajuara sa i përket tarifave të shërbimeve – respektivisht produkteve bankare.
Në bazë të bisedave joformale, përgjigjja e zyrtarëve të bankave, për institutin GAP, ka qenë se për shkak të kostos nga ngarkesa e madhe në sportele dhe me qëllim të edukimit të klientëve për përdorim të e-banking, bankat detyrohen të aplikojnë tarifa për shërbimet e tyre në sportele.
Aplikimi i tarifave të larta është dekurajues për qytetarët që pagesat e faturave të tyre t’i realizojnë përmes sistemit bankar, thotë Muhamet Sadiku, ekspert për çështje ekonomike.
“Qytetarët kanë nevojë për pagesën e faturave të ndryshme dhe nëse kemi parasysh nivelin e të ardhurave personale, vërtet, duhet ndarë mjete të konsiderueshme nga paga prej 250 eurosh për të mbuluar këto transaksione financiare. Dhe, kjo është dekurajuese për qytetarët që të vazhdojnë që faturat e veta t’i realizojnë me kanale bankare”, vlerëson Sadiku.
Flamur Keqa, ekspert për çështje financiare, konsideron se tarifat e shërbimeve bankare janë të larta, por ky fenomen shfrytëzohet nga bankat për shkak se institucionet financiare janë të lira për përcaktimin e çmimeve të produkteve dhe normave të interesit.
Sidoqoftë, në bazë të statistikave të Bankës Qendrore të Kosovës, gjatë vitit 2012, fitimet nga tarifat dhe komisionet te bankat komerciale kanë shënuar ngritje për 9 për qind (3.2 milionë euro), apo 36.4 milionë në total, gjë që tregon se përfitimet nga tarifat dhe komisionet janë shumë më të larta se kostoja e ofrimit të tyre.