Vlera e kapitalizimit të tregut për rrjetin social Facebook për të parën herë ka arritur rekordin prej 100 miliardë dollarësh, ndërsa rreth një viti më parë kompania mbante rekordin më të ulët të vlerës tregtare e cila ishte regjistruar ndonjëherë.
Javën e kaluar, vlera e aksioneve të Facebook është rritur në 38 dollarë, ndërsa të hënën e njëjta ka arritur në 41.34, për ta ngritur vlerën tregtare të kompanisë në 100 miliardë dollarë.
Krejt rastësisht, të hënën Facebook gjithashtu ka mbyllur rastin e njohur në gjykatë, nga i cili rrjeti social detyrohet që përdoruesve të saj paditës t’i paguajë dëmshpërblim në vlerë prej 20 milionë dollarëve, pasi që këta të fundit e kishin paditur gjigantin e teknologjisë për përdorim të llogarive të tyre personale për qëllime të reklamimit nga bizneset.
Kohëve të fundit, rrjeti social Facebook bashkë me emra të mëdhenj të industrisë, sikurse Google, Apple dhe Microsoft janë vënë në qendër të vëmendjes së publikut ndërkombëtar, për shkak të programit të sigurisë kombëtare të SHBA-së, PRISM, nga i cili dyshohet se shtetet mbikqyrin llogaritë e përdoruesve të dyshimtë. / Telegrafi /