Etika e lajmdhënies

nga hoxhë Justinian Topulli

 

Gazetaria, për shkak të përhapjes së madhe që ka sot, mund të quhet me të drejtë si profesioni i shekullit, nëse na lejohet të themi kështu, për shkak të dimensionit gjithëpërfshirës që lajmdhënësi ka marrë në këtë kohë. Në thelb, ajo bazohet në një praktikë shumë të vjetër dhe universale njerëzore, të përçimit të lajmit mes njerëzve.
Lajmi në vetvete është shumë i rëndësishëm për njerëzit, sepse prej tij varen shumë gjëra, por mbi të gjitha, shpesh varet jeta e njeriut, pasuria, nderi dhe siguria e tij ekzistenciale, në të gjitha nivelet e saj. Dhe pikërisht për këtë arsye, lajmi para se të shihet nëse është i rëndësishëm ose jo, është i dobishëm ose jo, duhet parë nëse është i saktë dhe i vërtetë ose jo. Ky është detyrim e obligim moral, fetar e ligjor për çdo njeri, qoftë ky gazetar profesionist, apo njeri i thjeshtë që përhap një lajm të caktuar. Mbi lajme të rreme ose gjysmë të rreme, të deformuara e të ngatërruara janë bërë luftëra, janë marrë jetë njerëzish, janë shkretuar kombe dhe shtete, e janë rrënuar familje dhe individë.
Lajmi ka fuqi të paparë mes njerëzve, ndaj të gjithë ata që merren me përçimin e lajmeve, sidomos ata që e kanë profesion, apo që e bëjnë për pasion në mënyrë vullnetare nëpër rrjetet sociale, duhet të njohin etikën minimale të detyruar e obligative, se si duhet të sillen me përçimin e lajmit tek njerëzit. Saktësia e lajmit dhe preciziteti i detajeve të tij të rëndësishme, mbi të cilat më pas ndërtohen edhe qëndrimet, është thelbësore për përçimin e lajmit, dhe jo shpejtësia e dhënies së tij. Saktësia dhe vërtetësia e lajmit prevalon mbi çdo prioritet tjetër, menjëherë pas kësaj vjen dobia dhe rëndësia e tij, e më pas vjen koha e dhënies së tij. Nëse kjo renditje logjike, morale dhe fetare përmbyset, jo vetëm nga dashakeqësia, por edhe nga papërgjegjshmëria njerëzore dhe natyra e nxituar e tij, jep të njëjtin përfundim të dhimbshëm të keqkuptimeve dhe fatkeqësive që ajo mund të shkaktojë.
Kështu që për vetë rëndësinë që ka ky rend, vetë Krijuesi i Gjithësisë, Allahu i Madhërishëm na ka treguar në Librin e Tij, se si duhet të sillemi me lajmin. Ai thotë në Kuran:
“Kur ju vjen ndonjë lajm qetësues apo shqetësues, ata e përhapin menjëherë atë. Por, nëse këtë lajm do t’ia përcillnin Profetit ose parisë së tyre, hulumtuesit e vërtetë do të dinin të nxirrnin përfundime.” (4:83)
“O ju që keni besuar! Nëse ndonjë i padrejtë ju sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, në mënyrë që të mos e lëndoni ndonjë njeri pa dashje e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë.” (49:6)
“O ju që keni besuar, kur marshoni në rrugën e Allahut, të jeni të matur dhe të mos u thoni atyre që ju përshëndesin me selam: “Nuk jeni besimtarë”, për të arritur me këtë ndonjë fitim në jetën e kësaj bote! Tek Allahu ka begati të mëdha. Ashtu ishit edhe ju më parë, derisa Allahu ju dha nga të mirat e Tij. Pra, matuni mirë! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (4: 94)
Të tria këto ajete Kuranore kanë pasur si shkak zbritjeje, pikërisht këtë fenomen kaq të vjetër të përçimit të lajmeve të pakontrolluara dhe të paverifikuara më parë, për saktësinë apo dobinë e tyre. Ngjarjet e mira dhe të hidhura janë të pandara nga jeta njerëzore dhe derisa të ketë jetë kjo botë, do të ketë një mori pafund ngjarjesh dhe ndodhish që do të na vënë në sprovë, ndaj dhe preokupimi ynë parësor duhet të jetë mënyra se si duhet të sillemi me to, si konsumatorë emocionalë të momentit, apo si besimtarë, të cilët në çdo gjë që bëjnë, kanë parasysh pikërisht këto porosi hyjnore, që cituam më sipër? Në fund të fundit, një besimtar nga një jo i tillë, dallohet pikërisht edhe për të tilla gjëra, dhe jo vetëm nëse falet dhe agjëron, por edhe se si sillet në jetën e kësaj bote me njerëzit, ngjarjet, lajmet etj.  /LHSH/
Artikulli paraprakStatistikat e Mirëqenies Sociale
Artikulli tjetër“Kriza e COVID-19 i ka shkaktuar Gjermanisë një dëm prej 300 miliardë euro”