Epistemologjia dhe qasja multiplekse fetare

Recep Şentürk et al.

 

Burimi: Recep Şentürk et al., Comparative Theories and Methods: Between Uniplexity and Multiplexity (Instabul, Ibn Haldun University, 2020), 71-105.

Çështja e asaj që ekziston është shumë më e ndërlikuar sesa duket në shikim të parë. Nëse besojmë se gjithçka që ekziston është materia, atëherë natyrshëm besojmë se të gjitha llojet e gjërave si mendja, të menduarit, ndjenjat dhe vetëdija mund të shpjegohen në terma materialë dhe se realiteti është ‘aty jashtë’ pavarësisht nga qeniet njerëzore.  Megjithatë, nëse besojmë se gjithçka që ekziston janë vetëm idetë, atëherë nuk besojmë në realitetin objektiv të gjërave.  Gjërat rreth nesh janë thjesht iluzione. Nuk ka realitet të pavarur nga qeniet njerëzore.  Mendja njerëzore ndërton atë që ne e quajmë realitet i jashtëm.  Ose, nëse besojmë se dy qasjet e mëparshme ndaj realitetit dhe ekzistencës nuk janë domosdoshmërisht reciprokisht përjashtuese, atëherë besojmë në faktin se ekzistojnë realitete objektive dhe subjektive.  Fenomenet materiale janë reale dhe sërish realiteti nuk kufizohet vetëm në materie, energji ose marrëdhënie kauzale.  Përveç realitetit material, ekziston edhe një realitet ideal ose jomaterial dhe atë nivel e studion semiotika në shkencat natyrore, retorika (balagha) në gjuhësi dhe fikh al-batin ose sufismi në studimet shoqërore.

Qëndrimi jonë ndaj këtyre tre pozicioneve ontologjike do të ndikojë dhe do të përcaktojë se si e konceptojmë dhe marrim njohurinë e realitetit me të cilin keni të bëjmë. Konceptimi ontologjik i materializmit përfshin bindjen epistemologjike se njohja e realitetit është objektive.  Konceptimi ontologjik i idealizmit, nga ana tjetër, të çon në idenë se njohja e realitetit është subjektive dhe relative, ndërsa qasja multiplekse nënkupton se ekzistojnë nivele objektive dhe subjektive të njohjes së realitetit.  Siç mund ta keni vënë re, supozimet ontologjike janë gjithmonë të lidhura ngushtë me supozimet epistemologjike, pasi konceptimi ontologjik i një personi për realitetin ka implikime në atë se si konceptohetn përftimi i njohurisë.

Në këtë kapitull do të mësojmë në detaje se çfarë është epistemologjia. Do të kuptojmë se garancitë tona të përditshme rreth njohurive nuk janë aq të bazuara sa mund të supozojmë.

 

Çfarë është Epistemologjia?

 

Epistemologjia është një nga degët themelore të filozofisë dhe merret me pyetje të tilla si ‘Çfarë do të thotë të njohësh?’, ‘Cilat janë mjetet e diturisë?’ dhe ‘Si ndodh njohja?’. Duke rrjedhur etimologjikisht nga fjala greke episteme, që do të thotë ‘njohuri’, epistemologjia, në formën e saj më të thjeshtë, është studimi i dijes. Ajo ka të bëjë me natyrën dhe shtrirjen e njohurive dhe mënyrën se si ne arrijmë të njohim.

Nëse do të shqyrtojmë, për një moment, depozitën e informacionit që zotërojmë, do të zbulojmë se një pjesë e saj është e sigurt, ndërsa një pjesë e saj jo. Ne përgjithësisht ndihemi mjaft të sigurt për informacionin tonë bazuar në përvojat tona personale. Megjithatë, jemi skeptikë, ose të paktën më pak të sigurt për informacionin që marrim nga burime që nuk janë autoritete të besueshme. Ndonjëherë bëjmë gabime, dhe po ashtu bëjnë edhe ekspertët të cilëve u besojmë. Përgjatë jetës, e rishikojmë vazhdimisht depozitën tonë të informacionit. Shumë shpesh, informacioni ose pikëpamja që kemi fituar përmes përvojës sonë personale rezulton të jetë i hapur ndaj dyshimit. Ndodh që mund të mendojmë se shohim ose dëgjojmë diçka, por në fakt realiteti nuk është i tillë. Edhe në rastet më të zakonshme, vërejmë se informacioni ynë shqisor mund të na mashtrojë. Për shembull, kur e trazojmë çajin me një lugë, shohim se luga e çajit duket e përkulur kur zhytet pjesërisht në ujë. Kur del jashtë, duket drejt. Në një rast të tillë, shqisat tona na japin informacione kontradiktore për lugën e çajit. Kjo situatë mund të na shqetësojë dhe madje mund të na bëjë skeptikë rreth faktit nëse jemi, apo jo, të afttë për të njohur gjërat. Filozofët janë edhe më të shqetësuar për këtë dhe hetojnë natyrën e dijes.

 

Pse është e rëndësishme epistemologjia? Si lidhet ajo me ndërtimin e teorisë?

Respektimi i një sistemi besimi ontologjik, qoftë në mënyrë eksplicite apo të nënkuptuar, e udhëheq njeriun drejt supozimeve të caktuara epistemologjike, dhe supozimet tona epistemologjike ndikojnë në hartimin tonë të kërkimit për përftimin e njohurisë. Epistemologjia, siç është përmendur tashmë, ka të bëjë me mënyrën se si formojmë pretendime të justifikueshme për njohuritë tona në lidhje me gjërat që dëshirojmë të studiojmë.

Ndërgjegjësimi për supozimet tona ontologjike dhe epistemologjike është i rëndësishëm për disa arsye. Të qenit i ndërgjegjshëm për besimet ontologjike dhe epistemologjike të një studiuesi na ndihmon të kuptojmë më mirë studimin. Prandaj, duhet të mësojmë rreth epistemologjisë për të qenë në gjendje të dallojmë dhe zgjedhim midis teorive dhe metodave konkurruese dhe, më e rëndësishmja, të ndërtojmë teorinë tonë. Përndryshe, vetëdija joadekuate për epistemologjinë mund të na bëjë të artikulojmë pyetje kërkimore të gabuara ose të zgjedhim qasje të papërshtatshme për pyetjt tona kërkimore.

Qëllimi i kërkimit është të fitojë njohuri për një temë, por mungesa e vetëdijes për natyrën e njohurive dhe burimet e saj do ta dëmtojë këtë përpjekje. Në të kundërt, ndërgjegjësimi për natyrën e njohurisë dhe burimet e duhura për ta përftuar atë do të na ndihmojë të arrijmë më lehtë dhe sistematikisht qëllimin tonë duke zgjedhur mjetet e duhura për ta arritur atë. Supozimet e gabuara për natyrën e të dhënave mund të na bëjnë të kryejmë analiza të rreme të të dhënave të mbledhura. Për shembull, një pozitivist mund të bjerë në gabim nëse nuk merr parasysh elementin subjektiv të mbledhjes së të dhënave.

 

Eksplorimi i bazave filozofike të teorive sociale: Lidhja e epistemologjisë me kërkimin shoqëror

Nuk ka teori pa një epistemologji në themel të saj. Besimet tona epistemologjike, të cilat formohen nga supozimet tona ontologjike, përcaktojnë metodologjinë tonë, të cilat së bashku mbështesin teorinë dhe kërkimin që kryejmë. Hulumtimi përgjithësisht konceptohet si një bazë për të ndërtuar ‘pohime njohurie’. Supozimet tona filozofike në lidhje me natyrën e njohurive dhe shtrirjen e njohurive njerëzore do të përcaktojnë se cilin burim(et) të njohurive do të përdorim në kërkimin tonë. Çfarë mendojmë se është dituria? Mund të mendojmë kjo është diçka e thjeshtë dhe e lehtë për t’u mësuar, por kur mendoni vërtet rreth saj, nuk është aq e lehtë sa ç’duket. Në fakt, termi ‘njohuri’ përdoret në mënyra të ndryshme nga filozofë dhe studiues të ndryshëm. Në këtë kapitull, me njohuri nënkuptojmë informacionin ose besimet që janë padiskutim të vërteta. Për ta thënë më qartë, njohuria është një ide që kemi në mendjen tonë e cila korrespondon me realitetin e jashtëm. Nëse është e njëjta gjë me atë që është jashtë mendjes, atëherë kjo quhet dituri. Prandaj, një njohuri duhet të jetë e sigurt dhe legjitime. Por si duhet të arrijmë në dituri, kur edhe burimi ynë bazë i dijes, pra shqisat, na mashtrojnë? Le të shqyrtojmë tani disa nga përgjigjet që filozofët kanë ofruar për këto pyetje epistemologjike.

Tre tradita kryesore janë përpjekur të zbulojnë se çfarë mund të dimë, si fitojmë njohuri dhe shkallën në të cilën mund të jemi të sigurt për njohuritë tona. Ato janë konkretisht:

  • Epistemologjia ose empirizmi pozitivist është perspektiva epistemologjike që pranon se dija vjen vetëm, ose vetëm kryesisht, nga shqisat. Empirizmi stimuloi ngritjen e shkencave eksperimentale në shekujt XVII dhe XVIII. Veprat e John Locke (1632-1704), George Berkeley (1685-17 53) dhe David Hume (1711-1776) e promovuan atë. Shumica e empiristëve të mëparshëm ishin idealistë, ndërsa shumica e atyre të mëvonshëm janë materialistë. Në këtë libër, jemi fokusuar kryesisht me perspektivën materialiste të njohur si pozitivizëm, e cila është mbizotëruese sot.
  • Epistemologjia ose racionalizmi idealist është pikëpamja epistemologjike se arsyeja, jo shqisat, është burimi përfundimtar i dijes. Kjo qasje është në kundërshtim me empirizmin. Platoni (428-348 p.e.s.), Dekarti (1596-1650), Malebranche (1638-1715), Leibniz (1646-1716), Spinoza (1632-1677) dhe Hegeli (1770-1831) janë disa nga përfaqësuesit më të shquar të kësaj qasjeje dhe pohojnë se, duke u mbështetur vetëm arsyen, mund të marrim njohuri të sigurtë dhe të pagabueshme.
  • Epistemologjia multiplekse ose maratib al-‘ilm, nga ana tjetër, është këndvështrimi epistemologjik që shkon përtej dikotomisë midis perceptimit shqisor dhe arsyes të përfaqësuar nga dy traditat e mëparshme epistemologjike në Perëndim. Sipas kësaj qasjeje, njohuria mund të fitohet objektivisht përmes shqisave (el-hauas el-selime), arsyes (el-‘akl) dhe njohurive të përcçuara përmes raportimit (el-haber al-sadik). Ekzistojnë gjithashtu burime subjektive të njohurive si ëndrrat, intuita dhe zbulimi shpirtëror (kashf).

Ky seksion ka të bëjë me dy traditat kryesore epistemologjike të pozitivizmit dhe idealizmit, përkatësisht empirizmin dhe racionalizmin, që përpiqen ti përgjigjen pyetjes se çfarë mund të dimë, si e fitojmë këtë njohuri dhe sa të sigurt mund të jemi për të.

 

Epistemologjia Pozitiviste: Empirizmi

Epistemologjia ose empirizmi pozitivist është një këndvështrim filozofik rreth njohurive, i cili bazohet në supozimin ontologjik se realiteti është ‘aty jashtë’ pavarësisht nëse njerëzit mendojnë për të, apo jo. Realiteti që mund të reduktohet në materie dhe të shpjegohet në terma materialë është, pra, i arritshëm nëpërmjet përvojës shqisore. Kështu, epistemologjikisht, vëzhgimi dhe eksperimenti janë mënyrat përmes të cilave fillon të kuptuarit dhe, vetëm nëpërmjet konfirmimit empirik, në fund të fundit, mund të arrihet siguria dhe të merret njohuri. Arsyetimi, nga ana tjetër, varet nga kjo njohuri. Prandaj, arsyeja luan vetëm një rol dytësor në interpretimin e njohurive që marrim nëpërmjet shqisave tona. Siç mund ta kemi vënë re, epistemologjia pozitiviste i jep përparësi përvojës shqisore dhe jo njohurive racionale. E gjithë njohuria bazohet përfundimisht në përvojën. Prandaj, për një empirist, të gjitha njohuritë janë a posteriori (domethënë të nxjerra nga përvoja). Termi a posteriori i referohet induksionit, që nëkupton arsyetim që niset nga rastet e veçanta për të dalë në parime të përgjithshme (p.sh. Dielli ka lindur çdo ditë në të kaluarën, prandaj dielli do të lindë nesër).

Këto terma filozofikë mund të duken paksa të panjohura, megjithatë ju i përdorni ato në jetën tuaj të përditshme. Për shembull, kur jeni duke vozitur, ktheni timonin në drejtim të akrepave të orës për tu kthyer djathtas, jo majtas. Në rrethanat më të rrezikshme, ju vendosni jetën tuaj mbi këtë supozim. Çfarë ju bën kaq të sigurt për të? Ose, sa herë që përdorni hapësin e kanaçeve, macja juaj vrapon në kuzhinë duke menduar se po hapni ushqim për të. Sa herë që përdorni hapësen e kanaçeve, edhe pse po hapni një kanaçe për veten tuaj, e dini që do të funksionojë menjëherë, si gjithmonë. Jeni të sigurt, sepse sa herë që ktheni timonin në drejtim të akrepave të orës, makina lëvizte djathtas. Dhe sa herë që hapni një kanaçe, macja juaj vrapon në kuzhinë. Këto përfundime bazohen në probabilitet. Nëse diçka ka ndodhur në një mënyrë të caktuar në të kaluarën, atëherë ndoshta do ta bëjë këtë në të ardhmen, përveç nëse vërtetohet ndryshe. Është logjikisht e mundur që përvoja e ardhshme të jetë ndryshe, edhe nëse nuk ka qenë kështu asnjëherë më parë.

Për një empiricist, realiteti është objektiv edhe ontologjikisht edhe epistemologjikisht. Meqenëse realiteti atje është ontologjikisht objektiv, ne mund të kemi njohuri epistemologjikisht objektive të tij përmes përvojës shqisore. Prandaj, njohuria është neutrale dhe ekziston pavarësisht nga subjekti. Një teori e cila mbështetet nga epistemologjia pozitiviste, ose empirizmi, do të synojë në këtë mënyrë shpjegimin, përshkrimin dhe parashikimin e ngjarjeve shoqërore duke zbuluar ligjet universale pas fenomeneve të vëzhguara.

 

Epistemologjia idealiste: Racionalizmi

Dukshmëria e gjërave ndryshon vazhdimisht, por ky ndryshim është aq i ngadalshëm sa nuk jemi në gjendje ta kuptojmë lehtë. Nëse mendojmë për ciklin e ditë-natës, ndryshimin e stinëve dhe plakjen e qenieve të gjalla dhe veçanërisht të njerëzve, do të kuptojmë se asgjë nuk qëndron e njëjtë për një moment. Nëse njohuria e besueshme vjen vetëm nga shqisat, të cilat na ofrojnë informacion të dukshëm, siç argumentojnë empiristët, atëherë si mund të jetë e sigurt njohja e dukshmërive gjithnjë në ndryshim të gjërave? Ose si mund të jemi të sigurt për vërtetësinë e gjykimeve që bëjmë?

Epistemologjia ose racionalizmi idealist është një këndvështrim filozofik mbi dijen që pohon se e gjithë njohuria nuk vjen nga përvoja shqisore, por nga arsyeja. Për një racionalist, është e mundur të arrihet siguria vetëm me anë të aftësisë sonë racionale. Ai i jep përparësi depërtimit racional dhe jo përvojës shqisore. E gjithë njohuria përfundimisht bazohet në arsye. Prandaj, për një racionalist, të gjitha njohuritë janë apriori, të marra pavarësisht nga përvoja. Një njohuri paraprake përfshin deduksionin, që nënkupton arsyetimin që nis nga e përgjithshmja për të dalë në përfundime specifike. Fjalia e mëposhtme është një shembull i arsyetimit deduktiv: ‘Të gjithë njerëzit janë të vdekshëm. Sokrati është një njeri. Prandaj, Sokrati është i vdekshëm. ‘

Sipas Platonit (428-348 p.e.s.), një filozof i shquar idealist grek dhe dishepull i Sokratit (470-399 p.e.s.), ajo që mund të njihet janë ato tipare të gjërave që nuk ndryshojnë fare. Shqisat tona na njohin vetëm me botën e paraqitjes, e cila është në ndryshim të vazhdueshëm. Ne nuk mund të fitojmë njohuri vetëm përmes pamjeve të dukshme të gjërave. Për të qenë në gjendje të marrim njohuri, duhet të ketë diçka të ngulitur dhe të pandryshueshme në botë. Këto tipare konstante quhen nga Platoni ‘Ide’ ose ‘Forma’ dhe njohja e tyre mund të arrihet vetëm nëpërmjet arsyes. Nëse shikoni gishtin e unazës dhe e krahasoni me gishtin e mesëm dhe të vogël, do të shihni se gishti i unazës është më i madh se ai më i vogli dhe më i vogël se ai i mesit. Si është e mundur që një gisht të jetë i madh dhe i vogël njëkohësisht? Për Platonin, një student që kupton këtë lloj problemi të krijuar nga shqisat do ta gjejë veten duke kërkuar kuptime ose natyrën reale të gjërave. Ashtu si në shembullin e paradoksit të gishtit, mospërputhjet e dukshme në botën e shqisave do ta dërgojnë studentin drejt botës së kuptueshme për të kërkuar ide platonike.

 

[…]

Një teori që mbështetet nga epistemologjia idealiste, ose racionalizmi, do të synojë, në këtë mënyrë, jo shpjegimin, por kuptimin e ngjarjeve shoqërore nëpërmjet interpretimit. Edhe pse racionalizmi përdor arsyetimin deduktiv në qendrimet e tij rreth njohurisë, një teori e mbështetur nga idealizmi do të përdorë metoda induktive, pasi realiteti është subjektiv dhe shpjegohet përmes marrëdhënieve dhe interpretimit jo-shkakësor.

Me pak fjalë, racionalizmi propozon supozimet e mëposhtme:

  1. Njohuria e ekzistencës, e cila është mendore, arrihet vetëm përmes mendjes sonë.

2. Depërtimi racional dhe jo përvoja shqisore është burimi përfundimtar i njohurive.

3. Perceptimi shqisor mund të na mashtrojë.

4. Synimet dhe vepruesit dhe veprimet janë të lidhura.

5. Shpjegimi shkakësor vlen vetëm për botën natyrore, jo për botën shoqërore.

Deri më tani, kemi mësuar se dy traditat kryesore në epistemologji, domethënë

empiricizmi dhe racionalizmi, pohojnë se ose shqisat ose arsyeja janë burimi përfundimtar i njohurive. Njohja e realitetit është ose a posteriori ose a priori. Në pjesën në vijim do të shpjegojmë një mënyrë të tretë të konceptimit të dijes dhe përvetësimit të saj, përkatësisht epistemologjisë multiplekse, e cila përpiqet të shkojë përtej dikotomisë së krijuar nga pozitivizmi dhe idealizmi.

 

Seksioni B

Epistomologjia multiplekse

 

Në pjesën e mëparshme, mësuam se çfarë është epistemologjia. Fillimisht shtruam pyetjen: çfarë është epistemologjia? Më pas kemi paraqitur dy llojet e epistemologjisë, përkatësisht epistemologjia materialiste dhe ajo idealiste. Materialistët argumentojnë se mund të mësojmë për objektet e jashtme përmes perceptimit shqisor, sepse ata supozojnë se gjithçka mund të vëzhgohet dhe matet. Idealistët argumentojnë se mund të mësojnë për botën e jashtme përmes arsyes, sepse ata supozojnë se gjithçka ekziston në mendjet tona dhe mund të kuptohet në mënyrë racionale. Kjo përbën një ndarje themelore në filozofinë perëndimore.

Në këtë seksion, do të mësojmë për një lloj tjetër epistemologjie, përkatësisht epistemologjia multiplekse, e quajtur maratib al-‘ilm në arabisht. Kjo pikëpamje epistemologjike kundërshton reduktimin pozitivist dhe idealist të burimeve të dijes në një nivel të caktuar dhe pranon se ekzistojnë të paktën tre nivele njohurish. Siç e përmendëm më lart, njohuritë mund të përftohen në një nivel përmes perceptimit shqisor (el-hauas al-selima), në një nivel tjetër njohuritë mund të përftohen përmes arsyes (‘akl), dhe në nivelin e tretë përmes shpalljes (el-haber el-sadik) (Senturk 2014).

 

Epistemologji Multiplekse

Epistemologjia multiplekse ka ekzistuar për shekuj me radhë në qytetërimet e lashta perëndimore dhe lindore, përpara modernitetit. Dijetarët myslimanë e kanë zhvilluar atë në masën më të lartë dhe e kanë përdorur gjerësisht në punën e tyre. Për këtë arsye do të fokusohemi më së shumti në përdorimin e tij në qytetërimin islam. Siç e dini, ontologjia përcakton epistemologjinë. Nëse besoni se lënda që po studioni ka nivele të shumëfishta, atëherë keni nevojë për një epistemologji për çdo nivel të ekzistencës. Për shembull, nëse besoni se qenia njerëzore ka trup, mendje dhe shpirt, atëherë, në mënyrë implicite, jemi duke supozuar se ekzistojnë tre nivele të ekzistencës. Për të studiuar trupin e një qenieje njerëzore, mbështetemi në burimet empirike të dijes (epistemologjia pozitiviste), dhe për të studiuar mendjen, mbështetemi në burimet racionale të dijes (epistemologjia idealiste). Po shpirti? Për të studiuar shpirtin, çfarë lloj epistemologjie do të përdorim?

 

Për të kuptuar botën materiale, studiuesit e qasjes multipleks mbështeten në njohuritë empirike, eksperimentet dhe vëzhgimet duke përdorur perceptimin shqisor. Kjo është arsyeja pse ata janë në një farë mënyre edhe empirikë, por vetëm përsa i përket nivelit material të ekzistencës. Për nivelin jomaterial të ekzistencës, ata përdorin epistemologjinë racionale. Për nivelin hyjnor të ekzistencës, ata përdorin shpalljen si burimin kryesor të dijes. Dije se arsyeja mund të na ndihmojë të përftojmë njohuri për ekzistencën e Zotit, por nuk mund të na tregojë se çfarë lloj cilësish zotëron Ai. Kjo është arsyeja pse ekziston nevoja për shpallje.

Siç mund ta shihni, ekziston një paralele midis niveleve të ekzistencës dhe niveleve të dijes. Brenda epistemologjisë multiplekse, njohuritë klasifikohen në mënyra të ndryshme. Në një nga këto klasifikime, njohuria është ose njohuri a priori ose a posteriori. Njohuria a priori quhet edhe dije e vetëkuptueshme: ajo nuk ka nevojë për ndonjë provë për t’u pranuar. Ju nuk keni nevojë për ndonjë provë për të vërtetuar se ekzistoni, apo jo? Pra, kjo është njohuri a priori. Nëse përpiqeni të provoni njohuri a priori përmes ndonjë prove tjetër, kjo do të na dërgoj në një rreth vicioz. Njohuritë apriori në arabisht quhen badihi ose daruri. Kjo lloj njohurie shërben si bazë ose pikënisje për të vërtetuar njohuritë a posteriori që kanë nevojë për vërtetim.

 

 

Nivelet e burimeve të dijes në epistemologjinë multiplekse

 

Tanimë e dimë se për empiristët ose pozitivistët burimi kryesor i njohurive është perceptimi shqisor, ndërsa për racionalistët ose idealistët burimi kryesor është arsyeja. Studiuesit multipleks i klasifikojnë burimet e njohurive në dy kategori: objektive dhe subjektive.

 

Burimet objektive të njohurive në Epistemologjinë Multiplekse

Burimet objektive të njohurive përfshijnë perceptimin shqisor, arsyen dhe njohurinë e shpallur. Këto janë objektive në kuptimin që njerëzit mund t’i ndajnë ato me të tjerët dhe mund të provojnë diçka në mënyrë që edhe njerëzit e tjerë ta pranojnë atë.

Ne folëm tashmë për perceptimin shqisor, arsyen dhe njohurinë e zbuluar. Shpallja është një kategori që përfshihet nën informacionet e raportuara (el-haber el-sadik).

Ka shumë gjëra që as nuk i kemi parë dhe as i kemi menduar, por i kemi dëgjuar nga dikush i besueshëm dhe besnik, apo jo? Për shembull, si e dini se nëna juaj është vërtet nëna juaj? Ky është një fakt i raportuar, apo jo? Shumë gjëra që mendojmë se i dimë janë, në fakt, njohuri të raportuara, sepse nuk i kemi testuar apo vërtetuar në mënyrë racionale apo empirike. E gjithë kjo është njohuri e raportuar. Shumica e gjërave që mësojmë nga librat janë gjithashtu njohuri të raportuara. Shpallja konsiderohet një dituri e raportuar sepse të dërguarit e raportojnë atë dituri nga Zoti.

 

Burime subjektive të njohurive në epistemologjinë multiplekse

Studiuesit multipleks besojnë se ka edhe burime subjektive të njohurive. Një shembull i burimeve të tilla është intuita. Ndonjëherë, diçka e njohim në mënyrë intuitive. Kjo njohuri intuitive mund të jetë e drejtë ose e gabuar. Intuita dhe burimet e tjera subjektive të njohurive janë subjektive, sepse nuk mund tia provojmë njerëzve të tjerë korrektësinë e kësaj lloj njohurie të fituar përmes intuitës.

Një burim tjetër subjektiv i njohurive janë ëndrrat. Mendimtarët e mëdhenj, duke përfshirë August Kohler (v. 1948), Dimitri Mendeleev (v. 1907) dhe shumë të tjerë, kanë deklaruar se kanë fituar disa njohuri përmes ëndrrave. Është e mundur t’i konsideroni ëndrrat një burim njohurie, por nuk mund t’i provoni njerëzve të tjerë diçka që keni parë në ëndërr. A mendoni se një gjykatës në gjykatë mund të thotë: ‘Kam parë në ëndërr se ky person është i pafajshëm’? Jo. Ai vetë mund të besojë, bazuar në ëndrrën e tij, se personi është i pafajshëm, por kjo nuk ka ndonjë rëndësi në gjykatë. Kjo sepse në gjykatë duhen prova objektive për të vërtetuar apo hedhur poshtë diçka.

Burime të tjera subjektive të njohurive përfshijnë frymëzimin dhe zbulimin shpirtëror (kashf). Keshfi mund të përkthehet gjithashtu si hapja e syrit të zemrës dhe përdoret nga sufitë si burim dijeje. Sufitë besojnë se kemi pesë shqisa të jashtme dhe pesë shqisa të brendshme, dhe këto shqisa të brendshme mund të aktivizohen përmes praktikës. Sufitë këmbëngulin në devotshmërinë, moralin e mirë, shërbimin vetëmohues ndaj të tjerëve dhe dhikrin (përkujtimin e Zotit) për të arritur këtë nivel. Këto praktika mund të rezultojnë në hapjen e syrit të zemrës. Në atë moment, sufiu mund të fillojë t’i shohë gjërat me syrin e zemrës. Kjo pranohet si burim legjitim i njohurive nga epistemologjia multiplekse por është, njëkohësisht, edhe subjektive. Nuk mund të thuash: ‘Me syrin e zemrës e pashë që ky person është i pafajshëm’. Ky nuk është vendi i duhur për të përdorur këtë lloj njohurie. Edhe në fushën e fesë, një fakih (jurist) apo një myfti nuk mund të bazojë një rregull fikhu (jurisprudence) në keshf. Nëse një myfti thotë: “Kjo është e lejuar (hallall)”, ai duhet të sjellë disa dëshmi nga Kurani ose ndonjë dëshmi racionale ose empirike të raportuar.

Ju mund të pyesni: “si i përdorin studiuesit e që i përkasn qasjes multiplex burimet objektive dhe subjektive të njohurive?” Duhet të dimë se në jetë ka fusha ku kërkohet një njohuri objektive, si në rastin e gjykatës. Një gjyqtar nuk mund të thotë: “Unë intuitivisht e di se ky person është i pafajshëm”. Kjo nuk do të pranohet, sepse ai duhet të ofrojë prova, qofshin ato njohuri empirike, racionale ose të raportuara, si p.sh. informacionin e përcjellë nga dëshmitarët, por mund të përftojmë disa njohuri në mënyrë intuitive dhe t’i përdorim për të zhvilluar hipoteza ose ide për një roman ose një poemë.

 

Nivelet e njohurive në Epistemologjinë Multiplekse

 

Dijetarët e qasjes multipleks e klasifikojnë diturinë në tre kategori kryesore: 1) ilm, 2) irfan ose ma’rifa, dhe 3) dituri hyjnore. Ilm-i është njohuria e fituar përmes perceptimit shqisor ose arsyes. Irfan-i ose ma’rifa është njohuri e fituar përmes përvojës së brendshme. Ky është dallimi ndërmjet ilmit dhe irfanit. Nëse dikush ka edhe ilm edhe irfan ose ma’rifa, do të thotë se ai ka njohuri racionale për diçka dhe gjithashtu e ka përjetuar atë. Dija hyjnore nuk është as ilm as irfan. Është krejtësisht ndryshe. Dija e Zotit është shumë e ndryshme nga dija njerëzore, sepse ajo nuk fitohet.

Zoti e di se si do të jetë bota para se bota të vijë në ekzistencë, sepse Ai është Krijuesi i saj. Ai e ka planifikuar atë, e ka projektuar dhe më pas e ka krijuar. Është si dija e një inxhinieri të makinës. Është ai që ka projektuar makinën përpara prodhimit. Ai nuk ka nevojë të studiojë makinën pasi është prodhuar sepse është ai që e ka prodhuar. Dija e Zotit i paraprin ekzistencës, por dituria njerëzore e pason atë.

Në arabisht, dija empirike quhet hissijat (perceptime), dituria racionale quhet aklijat, dituria e raportuar quhet naklijat (transmetimet), dhe njohuria shpirtërore keshfijat (dituria e zbuluar) dhe, gjithashtu, uixhdanijat (përvojat e brendshme). Njohuritë empirike, racionale dhe ato që përftohen nga raportimi i besueshëm janë objektive dhe detyruese, ndërsa njohuritë shpirtërore janë subjektive dhe jo detyruese. Nga këndvështrimi i epistemologjisë multiplekse, këto nuk janë reciprokisht përjashtuese. Ato nuk e mohojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, e plotësojnë njëra-tjetrën. Ne, qeniet njerëzore, i kemi të gjitha këto aftësi dhe kapacitete dhe epistemologjia multiplekse na ndihmon të operojmë me të gjitha, por duhet të dimë se ku është e përshtatshme për t’u përdorur secila njohuri, siç e keni parë në shembullin e gjykatës. Në gjykatë, një lloj i caktuar njohurish është i përshtatshëm; në jetën tuaj personale ndoshta një lloj tjetër njohurie është e përshtatshme.

 

Nivelet e Sigurisë në Njohuri

 

Studiuesit që ndjekin qasjen multipleks besojnë se ekzistojnë tre nivele kryesore të sigurisë në njohuri. Nëse dija është plotësisht e sigurt, ajo quhet jekin. Nëse është pjesërisht e sigurt, quhet probabël (dhan). Nëse është më pak se dhan, quhet dyshim (shek). Nëse nuk është fare e sigurt, quhet iluzion (uehm). Në jetë, shumë pak gjëra janë plotësisht të sigurta. Ne kryesisht mbështetemi në dhan në jetën tonë. Epistemologjia multiplekse pranon lloje të ndryshme njohurish bazuar në tre nivele të ndryshme sigurie. Këto nivele quhen ‘siguri si pasojë e diturisë’ (ilm el jekin), ‘siguri si pasojë e dëshmimit’ (ajn el-jekin) dhe siguri si pasojë e përvojës’ (hak el-jekin). Sa të sigurt jemi që Zanzibari ekziston? Nëse nuk kemi qenë në Zanzibar, por e dimë se ekziston nga librat ose nga dëgjimet nga të tjerët, njohuria jonë për ekzistencën e tij quhet ‘siguri me dije’ (ilm el-jekin). Nëse Zanzibarin e shohim nga një aeroplan, njohuria jonë për ekzistencën e tij quhet ‘siguri si pasojë e dëshmimit’ (ajn el-jekin). Nëse kemi qenë në Zanzibar, njohuritë tona për ekzistencën e tij quhen njohuri nga përvoja (hak el-jekin).

 

Përmbledhje

 

  • Pozitivistët besojnë se perceptimi shqisor është i vetmi burim legjitim i njohurive dhe se dija është objektive.
  • Idealistët besojnë se arsyeja është burimi i vetëm legjitim i njohurive dhe se dija është subjektive.
  • Studiuesit që ndjekin metodën multipleks besojnë se perceptimi shqisor, arsyeja, njohuritë e raportuara, intuita, ëndrrat dhe keshfi (zbulimi shpirtëror) janë të gjitha burime njohurish që mund të përdoren për nivele të ndryshme të realitetit. Ata gjithashtu besojnë se ka njohuri objektive dhe subjektive.
  • Dijetarët multipleks besojnë se ekzistojnë tre nivele kryesore të dijes, përkatësisht ilm, irfan dhe dituri hyjnore.
  • Studiuesit multipleks besojnë se ekzistojnë tre nivele kryesore të sigurisë në dije, përkatësisht siguria si pasojë e dijes, siguria si pasojë e dëshmimit dhe siguria si pasojë e përvojës.

 

 

Përktheu: Rezart Beka

 

Referenca

 

  1. Karamali, Hamza, “Ottoman Intellectual Heritage and Modern Challenges, Intervië ëith Recep Sentürk.” Kalam Journal of Islamic Theology. 2018.
  2. Plato’s The Republic. Neë York: Books, Inc. 1943.
  3. Sentürk, Recep. Islâ dünyasinda Modernlesme ve Toplumbilim: Türkiye ve Misir Örnegi. Istanbul iz Yayincilik, 2017.
  4. Wilson, John. Social Theory. Neë Jersey: Prentice Hall. 1983.
  5. Russel, Bernard. The Problems of Philosophy. Oxford and New York: Oxford University Press, 1983.
  6. Watt, Montgomery. The Faith and Practice of al-Ghazali. Oxford: Oneworld Publications. 1953.
  7. Nagel Thomas. “What Is It Like to be a Bat?” The Philosophical Review. 83 (4) 1974. 435-50.                                                                                                            /erasmusi/
Artikulli paraprakIslami dhe shoqëria civile
Artikulli tjetërTeologjia Islame ndërmjet tradicionalizmit dhe racionalizmit