Dje, në seancën parlamentare të Kuvendit të Kosovës është miratuar Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.
Ky ligj i draftuar dhe propozuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në bashkëpunim me akterët përkatës, do të zbatohet ndaj autoriteteve dhe operatorëve ekonomik që tregtojnë produkte themelore në vend.
Qëllimi kryesor i këtij ligji është eliminimi i efekteve të rritjes së paarsyeshme të çmimeve si dhe mungesës së produkteve themelore në treg.
Në bazë të draftit final të prezantuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, produktet themelore në kuadër të këtij ligji janë: drithërat, miell gruri, buka, orizi, pastat, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa e kuzhinës, vezë pule, mishi i pulës, sheqeri kristalor, produktet e higjienës personale, lëndët e drurit për djegie.
Në këtë ligj përfshihen masat e përkohshme mbrojtëse që do të ndërmerren në raste të veçanta të destabilizimit në treg, shkaqet e caktimit të këtyre masave, mbikëqyrja për zbatimin e këtij ligji, si dhe sanksionet ndaj çdo shkelësi të këtyre masave që janë përfshirë në këtë ligj.
Ndër masat e përkohshme mbrojtëse në raste të veçanta të destabilizimit në treg, të bazuara në evidencë dhe analizë të mirëfilltë, sipas MINT-it, janë:
– kufizimi i sasisë që i shitet konsumatorit brenda periudhës së caktuar,
– ndalimi i largimit nga shitja e produktit,
– caktimi i marzhës tregtare për shitjen me shumicë dhe pakicë,
– caktimi i çmimit maksimal të lejuar,
– detyrimi i operatorit ekonomik për të ruajtur pjesën e caktuar të stokut të produktit,
– detyrimi i operatorit ekonomik për t’u furnizuar dhe për të ofruar për shitje produktet themelore si para caktimit të masave mbrojtëse, si dhe
– ndalimi dhe kufizimi i eksportit.
Ministria e Tregtisë thekson tutje se qëllimi është të ndalohet abuzimi me ngritje të çmimeve me qëllim të shtimit të përfitimit.
Ndryshe, nga MINT citohet se “projektligji në fjalë është në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe çdo vendim i marrë sipas këtij ligji do të jetë në përputhje me zotimet dypalëshe mbrojtëse që Kosova ka marrë në kuadër të MSA-së dhe marrëveshjeve tjera ndërkombëtare”./buletiniekonomik/
Comments are closed.