Centralizimi vakëfeve në Perandorinë Osmane dhe në Turqi

Siç kemi parë gjatë mësimeve të mëparshme, toka të mëdha u transformuan në statusin e vakëfeve në Perandorinë Osmane, dhe shumica e këtij transformimi ndodhi pavarësisht politikës shtetërore që shpallte rreth 90% të tokave bujqësore si pronë shtetërore. Ky transformim ishte vënë re prej kohësh nga burrat e shtetit osman dhe akuzohej si shkaku kryesor për performancën e dobët të ushtrive osmane në fushëbetejat e Evropës.

Koçi Beu, një vëzhgues i mprehtë i situatës në fillim të shekullit XVII, argumentoi se disa individë, në mënyrë të pashpjegueshme, kishin përvetësuar tokat shtetërore si pronë private. Këto toka ishin pushtuar shekuj më parë dhe duhej të kishin mbetur si Thesar Publik i Myslimanëve, bayt al-mal. Këta individë, që ishin pranë Sulltanit dhe përfitonin nga pozita e tyre e privilegjuar, i kishin kthyer këto toka në vakëfe familjare, vakëfe ehli. Koçi Beu në raportin e tij shprehte dyshime për legjitimitetin e këtyre vakëfeve dhe sugjeronte që sulltani të bënte një inspektim të të gjitha vakëfeve të themeluara gjatë 200 viteve të fundit, të mbaheshin ato të ligjshmet, ndërsa ato që gjendeshin në kundërshtim me kanunin të rishpërndaheshin si timare (tımar).

Raporti i Koçi Beut është një nga shembujt më të hershëm të ankesave formale për sistemin e vakëfeve, ose më saktë për teprinë e tyre. Është domethënëse që vetëm 150 vjet përpara këtij raporti, një intelektual tjetër osman, Ashik Pashazade, kishte kritikuar ashpër përpjekjet për të shfuqizuar disa vakëfe. Kjo diferencë në qëndrimet e burrështetasve osmanë pasqyron prirjen universale të sistemit të vakëfeve për t’u zgjeruar, dhe çdo sistem që zgjerohet tepër provokon reagim. Ky zgjerim ndodhi në dëm të sistemit të timareve, me pasoja serioze ushtarake.

Zgjerimi i tokave vakëf në dëm të timareve ushtarake nuk ishte arsyeja e vetme për armiqësinë e shtetit osman ndaj vakëfeve. Siç kemi përmendur më herët, ndryshimi themelor në natyrën e shtetit osman përbënte një tjetër faktor thelbësor. Një element tjetër jetësor u shfaq me ardhjen e nacionalizmit. Shumësia e kombësive që jetonin në Perandori tradicionalisht ishte organizuar sipas të ashtuquajturit sistem millet, ku çdo kombësi (millet) gëzonte liri të plotë fetare. Me depërtimin e nacionalizmit evropian në Perandori dhe me zëvendësimin gradual të konceptit të bashkësisë osmane nga ndjenja kombëtare, sistemi i vakëfeve u bë një shtojcë e sistemit millet, duke përjetësuar ndarjet fetare dhe kombëtare. Si rrjedhojë, shteti filloi të ndiente se, për të rikthyer integritetin e Perandorisë, fuqia e autoriteteve fetare, qofshin ato myslimane apo të krishtera, duhej kufizuar dhe Perandoria duhej në një farë mase të sekularizohej. Situata u përkeqësua nga fakti që fuqia e autoriteteve fetare jo-myslimane u përforcua për shkak të mbështetjes që ata merrnin nga fuqitë e huaja bashkëbesimtare: francezët mbështesnin katolikët osmanë, ndërsa rusët ortodoksët osmanë, etj. Kështu lindi ajo që Blaisdell e quan “protektorati fetar”. Ky “protektorat fetar” u pasua shpejt nga “protektorati financiar,” i cili doli si rezultat i drejtpërdrejtë i huamarrjes së jashtme pas Luftës së Krimesë. Ky i fundit lejoi fuqitë e jashtme të ndërhynin drejtpërdrejt dhe në mënyrë dramatike në çështjet e vakëfeve. Ky presion, i ndjerë fuqishëm gjatë traktateve të Parisit, Londrës dhe Berlinit, u shpreh hapur që në vitin 1860 si përgjigje ndaj kërkesës së qeverisë osmane për një hua pas Luftës së Krimesë. Ndër kushtet e vendosura nga qeveria britanike ishin këto:

  • Shtetasve të huaj tu jepet e drejta të posedojnë toka shtetërore në të njëjtat kushte si shtetasit osmanë.
  • Sistemi i vakëfeve të shfuqizohej.

Kjo kërkesë u ripërsërit si një pozicion i përbashkët anglo-francez në vitin 1867. Presioni i “protektoratit financiar” arriti kulmin kur në vitin 1881 qeveria osmane shpalli falimentimin, gjë që çoi në krijimin e Administratës së Borxhit Publik, Duyûn-u Umumiye. Për shtetin osman, që po shtypej nga presioni financiar dhe fuqitë perëndimore, potenciali i madh i të ardhurave që përfaqësonin vakëfet duhet të ishte dukur i parezistueshëm. Ky potencial ishte, në të vërtetë, i jashtëzakonshëm: përfaqësonte 1/4 deri në 1/2 e buxhetit shtetëror gjatë shekullit të 18-të.

Në vitin 1909, me rrëzimin nga froni të Sulltan Abdulhamidit, politika e balancimit ndërmjet institucioneve perëndimore dhe tradicionale u braktis, duke anuar në favor të të parave. Nën këto ndikime, reformatorët osmanë kërkuan shfuqizimin e plotë të vakëfeve, duke argumentuar se përhapja e tyre e gjerë po dëmtonte ekonominë publike në favor të trashëgimtarive familjare. Kundër vakëfeve u ngritën parrulla me sloganet e Revolucionit Francez, sikur këto pasuri të ishin të ngjashme me pozicionin e pasurisë së Kishës Katolike para revolucionit.

Kështu u shfaqën dy forca të fuqishme, çuditërisht aleate në armiqësinë e tyre ndaj vakëfeve: fuqitë perëndimore që vepronin brenda kornizës së ideologjisë së tyre, të përshkruar më sipër, dhe shteti osman që gjithashtu dëshironte të revokonte vakëfet pasi ato kishin filluar të dominonin tokat e tij, të forconin nacionalizmin e millet-eve dhe të premtonin një burim të pasur të ardhurash për të lehtësuar presionin e “protektoratit financiar”. Fuqitë perëndimore nisën sulmin e tyre ndaj sistemit të vakëfeve në të gjitha frontet: në Afrikën e Veriut dhe në Indi, siç do të shohim më poshtë, ato nisën një debat juridik që kishte në shënjestër veçanërisht vakëfet familjare, ndërsa njëkohësisht ushtronin presion mbi shtetin osman.

Jemi tashmë në pozicionin për të parë se si shteti osman reagoi ndaj presioneve të jashtme si dhe ndaj nevojave të veta. Politika osmane mund të përmblidhet me një fjalë: centralizim. Si u realizua konkretisht ky proces është i njohur. Vështirësia në këtë rast nuk qëndron në mungesën e informacionit të detajuar, por më tepër në bërjen e përgjithësimeve të besueshme nga një pasuri e madhe të dhënash. Një përmbledhje e shkurtër e pikave kryesore do të paraqitet këtu, ndërsa lexuesit e interesuar për detaje më të hollësishme mund tu referohen dy burimeve kryesore.

Ndërsa diskutohet procesi i centralizimit, duhet mbajtur parasysh që vakëfi është një institucion që ka personalitet juridik. Kështu, nënshtrimi i vakëfeve nën juridiksionin e një autoriteti qendror shpesh përfshin shkeljen e këtij personaliteti juridik, duke bërë që një institucion që synonte të ishte autonom të përfundojë i nënshtruar.

Në përgjithësi, autonomia e vakëfeve respektohej në Perandorinë Osmane deri pothuajse në fund të shekullit të XVIII; shteti zakonisht nuk ndërhynte në funksionimin normal të vakëfeve dhe kufizohej në inspektime rutinë përmes sistemit gjyqësor. Gjatë kësaj periudhe, vakëfet osmane funksiononin si institucione autonome të decentralizuara sipas kushteve të përcaktuara nga themeluesit e tyre.

Është argumentuar se përpjekja e parë për centralizimin e sistemit të vakëfeve ndodhi në mesin e shekullit të tetëmbëdhjetë gjatë sundimit të Sulltan Mustafës III dhe arriti një pikë kthese gjatë sundimit të Abdulhamidit I. Në të vërtetë, ishte pikërisht Abdulhamidi I që hapi rrugën për krijimin e Ministrisë së Vakëfeve (Vakıf Nezareti), një ministri që arriti zhvillimin e saj maksimal nën djalin e tij, Sulltan Mahmud II, gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë. Kështu, babai dhe i biri, Abdulhamidi I dhe Mahmudi II, luajtën një rol vendimtar në centralizimin e sistemit të vakëfeve.

Krijimi i Ministrisë së Vakëfeve dhe centralizimi i menaxhimit të tyre i dha shtetit mundësinë të ndërhynte gjerësisht në punët e vakëfeve. Themelimi i Nezaret u legjitimua me arsyetimin se të ardhurat e vakëfeve po liheshin në duart e kujdestarëve të dyshimtë. Por centralizimi, i cili supozohej të siguronte një kontroll më të mirë financiar të të ardhurave, dështoi keqazi në këtë drejtim: Ministri i Vakëfeve, Musa Safveti Pasha, pranoi se, pavarësisht të gjitha përpjekjeve të tij, nuk mundi as të përcaktonte shumën e përgjithshme të të ardhurave të vakëfeve. Pasardhësi i tij, Nafiz Pasha, gjithashtu nuk pati sukses. Ky dështim u bë temë diskutimi në Këshillin e Shtetit (Şurayı Devlet) në vitin 1868, kur u shqyrtua me kritika të thella menaxhimi i vakëfeve provinciale. Përfundimi i arritur nga Këshilli ishte një akt akuzues i përgjithshëm kundër administrimit të Ministrisë së Vakëfeve. Megjithatë, zgjidhja e propozuar nga Këshilli ishte si më parë dhe konsistonte thjesht në centralizimin e mëtejshëm.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i procesit të qendralizimit lidhet me kostot që shoqëroheshin me këtë proces. Kur vakëfet u themeluan gjatë epokës klasike, për shkak se menaxhimi qendror ishte i pamendueshëm, asnjë themelues vakëfi nuk kishte parashikuar masa për të mbuluar shpenzime të tilla. Me krijimin e Nezaret, megjithatë, qindra burokratë shtesë duhej të financoheshin nga vakëfet, të cilat nuk kishin burime të dedikuara për këtë qëllim. Për më tepër, duke qenë se shumica e vakëfeve tashmë kishin menaxherët e tyre, krijimi i një aparati qendror shkaktoi dyfishim të shpenzimeve dhe funksioneve, me pasojën që burimet që duhej të përdoreshin për shërbime përfunduan për të financuar pagat e një “ushtrie” burokratike.

Për më tepër, centralizimi solli me vete një potencial shumë më të madh për përvetësim fondesh. Duke qenë se, siç do të shohim më poshtë, mbledhja e taksave të detyrueshme për vakëfet ishte një pjesë e rëndësishme e procesit të centralizimit, burokratët e pandershëm që mblidhnin fondet e vakëfeve kishin mundësinë t’i mbanin ato për vete. Në fakt, Öztürk ka identifikuar 94 persona të tillë në vitin 1853. Kështu, një nga pasojat e centralizimit ishte se sistemi po mashtrohej nga vetë ata që supozohej të mbronin dhe menaxhonin atë. Për shembull, një raport nga një kujdestar i një vakëfi në Erzincan i vitit 1911 tregon se 88 dynymë tokë e këtij vakëfi ishte konfiskuar nga Ministria dhe disa individë të fuqishëm e shfrytëzonin atë tokë për qëllimet e tyre personale, duke mohuar të drejtat e të varfërve.

Një tjetër pasojë e centralizimit ishte se sistemi i vakëfeve tani mund të detyrohej t’i huazonte para sektorit shtetëror. Shuma totale që shteti i detyrohej sistemit të vakëfeve arriti në 1,737,602 kurush në vitin 1909.

Ndërkohë, krijimi i vakëfeve të reja u bë gjithnjë e më i vështirë. Në epokën klasike, krijimi i një vakëfi ishte mjaft i lehtë: themeluesi duhej vetëm të shkonte te një gjyqtar lokal dhe ta regjistronte vakëfin në gjykatë. Por në vitin 1863 shteti ndërhyri dhe vendosi kushte të reja e më të ashpra për krijimin e vakëfeve. Këto kushte praktikisht kufizuan krijimin e vakëfeve të reja dhe ata që dëshironin të bënin vepra të mira, sevap, në shekullin e nëntëmbëdhjetë preferuan të kontribuonin në vakëfet ekzistuese.

Goditja më e madhe ndaj sistemit osman të vakëfeve erdhi gjatë epokës së Tanzimatit, në vitet 1830, duke treguar se shteti kishte nisur të vepronte kundër sistemit që përpara se presionet e jashtme të arrinin kulmin në vitet 1860. U dekretua që të gjitha taksat që duhej të paguheshin vakëfeve nga fshatarët që kultivonin tokat e vakëfeve, nuk do të mblidheshin më nga kujdestarët e vakëfeve, por nga zyrtarët e thesarit. Deri në vitin 1847 ky rregull u zgjerua për të përfshirë të gjitha vakëfet e perandorisë, pa asnjë përjashtim.

Rëndësia e këtij dekreti qëndron në faktin se vakëfet u vunë tani në mëshirën e autoritetit qendror. Prej këtij momenti, vetëm një përqindje e të ardhurave totale të mbledhura nga vakëfet do t’i kthehej sistemit të vakëfeve dhe madhësia e kësaj përqindjeje ishte plotësisht në diskrecion të shtetit. Për më tepër, nuk nevojitet një imagjinatë e jashtëzakonshme për të parashikuar se kjo përqindje do të binte me kalimin e kohës. Në fakt, pagesat e rregullta nga thesari shtetëror drejt arkës së vakëfeve kishin pushuar të bëheshin që në vitin 1845. Njëzet vjet më vonë situata ishte ende e njëjtë: këstet që duhej të paguheshin nga Thesari Qendror nuk u paguan asnjëherë në kohë apo plotësisht në Arkën e Vakëfeve. Me pak fjalë, Thesari Qendror praktikisht injoroi borxhet ndaj vakëfeve, gjë që çoi në një konflikt të vazhdueshëm midis Arkës së Vakëfeve dhe Ministrisë së Financave, një betejë që e para nuk kishte asnjë shans ta fitonte.

I pakënaqur vetëm me konfiskimin e të ardhurave të vakëfeve, shteti gjithashtu detyroi sistemin e vakëfeve të përfshihej në ndërmarrje ekonomike shtetërore që sillnin humbje. Një rast i tillë ishte fabrika e fijeve e themeluar me fondet e vakëfeve në vitin 1826. Fabrika kishte për qëllim prodhimin e fijeve për uniformat e trupave të reja si dhe për velat e flotës detare. Meqenëse shteti osman zbatonte një politikë blerjeje të mallrave nën çmimet konkurruese të tregut dhe nuk mbronte investimet vendase duke vendosur tarifa doganore ndaj konkurrencës së huaj, fabrika ishte e destinuar të pësonte humbje. Këto humbje, siç pritej, u mbuluan nga Administrata Qendrore e Vakëfeve (AQV). Rrethana të ngjashme u shfaqën edhe në rastin e një fabrike tjetër që prodhonte tekstile leshi në Beykoz pranë Stambollit.

Për më tepër, AQV u urdhërua të ndërtonte, së bashku me bashkinë, një linjë tramvaji në anën aziatike të Stambollit. AQV përfundoi duke siguruar si tokën për ndërtimin e depove të vagonëve, ashtu edhe financimin e linjave të tramvajit. Bashkia nuk pagoi asgjë. Më në fund, u krijua një kompani aksionare për tramvajet dhe AQV u detyrua të blinte aksione me vlerë 468,220 lira. Ndërkohë, kontributet nga publiku arritën vetëm në 22,000 lira. Në vitin 1941, u vendos që pronësia e kësaj kompanie t’i transferohej Bashkisë së Stambollit. Transaksioni u realizua me bashkinë që bleu aksionet e vakëfeve, me vlerë të paktën 468,220 lira, duke paguar vetëm 200,000 lira, dhe madje kjo shumë do të paguhej për një periudhë prej 15 vitesh pa interes.

Një tjetër rast domethënës i centralizimit dhe shkatërrimit të qëllimshëm të sistemit të vakëfeve ndodhi në vitin 1882, kur të gjitha të ardhurat e vakëfeve të lidhura me arsimin u transferuan te Ministria e Arsimit. Këto të ardhura ishin aq të rëndësishme sa që edhe pas 30 vjetësh financuan 80% të pagave të mësuesve të shkollave fillore.

Kështu, në përmbledhje, themelimi i Evkaf-ı Hümayûn Nezareti (Ministrisë së Vakëfeve) dhe centralizimi i menaxhimit të vakëfeve i mundësuan shtetit të ndërhynte gjerësisht në punët e tyre. Krijimi i Nezaretit u justifikua me arsyetimin se të ardhurat e vakëfeve ishin lënë në duart e kujdestarëve të dyshimtë. Disa prej tyre, me të vërtetë, mund të kenë qenë të pandershëm. Megjithatë, duhet pranuar se dëmi që mund të shkaktonte një kujdestar individual, zbehej krahasuar me dëmin që një zyrtar i korruptuar i nivelit të lartë mund të shkaktonte ndaj gjithë sistemit të centralizuar.

Artikulli paraprakCentralizimi i sistemit të vakëfeve
Artikulli tjetërKriza e vakëfeve në Egjiptin osman dhe pasosman