Bullgari, konsumi rrit ekonominë me 9.6% në tremujorin II

Rritja ekonomike e Bullgarisë në tremujorin e dytë të vitit 2021 ishte jashtëzakonisht e fortë – 9.6% në bazë vjetore, sipas vlerësimeve të Institutit Kombëtar të Statistikave (NSI). Sidoqoftë, kjo nuk është një surprizë, duke pasur parasysh rënien drastike të PBB-së gjatë krizës në prill dhe në maj të vitit të kaluar.

Në bazë tremujore, rritja është shumë më modeste – vetëm 0.4% në krahasim me muajt e parë të këtij viti. Kjo është nën mesataren e rritjes së PBB-së prej 2% dhe 1.9% përkatësisht në BE dhe Eurozonë, dhe është ndër lëvizjet më të dobëta në baza tremujore në Bashkimin Europian.

Por ndryshimi mund të shpjegohet me faktin se ekonomitë e mëdha në Europë u tkurrën në tremujorin e parë, për shkak të masave pandemike dhe mesatarja e BE-së ra, ndërsa në Bullgari, PBB-ja u rrit me 2.5% në bazë tremujore.
Shumica e parashikimeve makroekonomike janë rritur javët e fundit dhe mbështeten në rritjen e PBB-së bullgare prej mbi 4% për vitin 2021. Megjithatë, rreziqet po shtohen – pasiguria politike, pandemia dhe paqëndrueshmëria ndërkombëtare në rritje mund të kërcënojnë rimëkëmbjen ekonomike.

Nxitësi më i madh i ekonomisë në tremujorin e dytë pritet të jetë sërish konsumi – me një rritje prej 6.7% në bazë vjetore dhe 2.5% në bazë tremujore. Një faktor domethënës është edhe heqja e kufizimeve kundër përhapjes së koronavirusit në periudhën prill-qershor, rritja e pagave në sferën publike dhe përmirësimi i tregut të punës. Nga ana tjetër, perspektivat më të mira për ekonominë në të ardhmen do t’u japin besim shtesë familjeve për të shpenzuar të ardhurat që zotërojnë.

Investimet janë rritur në tremujorin e dytë – treguesi i formimit të kapitalit fiks bruto u rrit me 4.2% në bazë vjetore dhe 0.6% në bazë tremujore. Shumica e parashikimeve makroekonomike presin rritjen e investimeve për shkak të Planit Europian të Rimëkëmbjes, por Bullgaria ende nuk e ka paraqitur atë. Është e mundur që ky vit të jetë relativisht i dobët për vendin, duke pasur parasysh paqëndrueshmërinë politike, sepse pasiguria për të ardhmen e politikave ekonomike në vend po pengon disa plane investimi të kompanive.
Tregtia e jashtme u tkurr lehtë në tremujorin e dytë – eksportet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 0.6% në bazë tremujore, ndërsa importet u tkurrën me 0.7%.

Sidoqoftë, të dhënat aktuale të çmimeve tregojnë një rritje si në mallra ashtu edhe në shërbime, që do të thotë se pjesa më e madhe e kësaj rritjeje ka të ngjarë të jetë për shkak të inflacionit. Megjithatë, në bazë vjetore, rritja ka qenë dyshifrore – 20.3% për eksportet e mallrave dhe shërbimeve dhe deri në 28.6% për importet.
Vlera e shtuar bruto u rrit me 8.2%, pas një rënieje prej 1.7% në tremujorin e parë.

Artikulli paraprak20 qytetet europiane me rritjen më të shpejtë të popullsisë; Tirana në vend të tretë
Artikulli tjetërWhatsApp më në fund do t’i lejojë përdoruesit të kriptojnë kopjet rezervë të bisedave të tyre në cloud