Britanikët e klasës së mesme kanë më shumë gjasa të jenë paragjykues për Islamin, zbulon sondazhi

Afër 25% e grupeve më të larta shoqërore u zbulua se kishin paragjykime ndaj muslimanëve, krahasuar me më pak se një të pestën e njerëzve të klasës punëtore.

Klasat e mesme dhe të lartat kanë më shumë gjasa të kenë pikëpamje paragjykuese për Islamin sesa grupet e klasës punëtore, sipas një sondazhi nga Universiteti i Birminghamit.

Në një nga sondazhet më të detajuara të kryera mbi islamofobinë dhe format e tjera të racizmit në Britaninë moderne, të dhënat treguan se 23.2% e njerëzve nga grupet sociale të klasës së mesme të lartë dhe të ulët kanë pikëpamje paragjykuese për besimet islame krahasuar me 18.4% të njerëzve të pyetur nga grupet e klasave punëtore.

Sondazhi, i kryer në bashkëpunim me YouGov, zbuloi se grupi i popullsisë britanike ka pothuajse tre herë më shumë gjasa të ketë pikëpamje paragjykuese për Islamin sesa për fetë e tjera, me 21.1% të britanikëve të cilët besojnë gabimisht se Islami i mëson ndjekësit e tij se Kur’ani duhet të lexohet “krejtësisht fjalë për fjalë”.

“Janë njerëzit nga shtresa e lartë dhe e mesme, të cilët me sa duket kanë nivel të arsimit universitar, të cilët ndihen më të sigurt në gjykimet e tyre, por [kanë] gjithashtu më shumë gjasa të bëjnë një gjykim të gabuar,” tha Dr Stephen Jones, autori kryesor i raportit. “Është thuajse për faktin se ata janë më të arsimuar, por gjithashtu ata janë më të keqarsimuar, sepse kështu është paraqitur Islami në shoqërinë tonë.”

Gjetjet, të paraqitura në një raport të titulluar “Paragjykimi i tryezës së darkës: Islamofobia në Britaninë bashkëkohore”, u bazuan në intervistat me një mostër prej 1,667 personash e cila u bë midis 20 dhe 21 korrikut 2021.

Sondazhi zbuloi se më shumë se një në katër njerëz, dhe gati gjysma e votuesve konservatorë dhe të larguar, kanë pikëpamje konspirative për “zonat e ndaluara” të Sheriatit, ndërsa muslimanët janë grupi i dytë “më pak i pëlqyer” në Mbretërinë e Bashkuar, pas udhëtarëve ciganë dhe irlandezë. Në total janë 25.9% e popullsisë britanike të cilët kanë pikëpamje negative ndaj muslimanëve.

Sondazhi zbuloi gjithashtu se 18.1% e njerëzve mbështesin ndalimin e të gjithë migrimit mysliman në Mbretërinë e Bashkuar, që i bie të jetë një normë 4-6% më e lartë se e njëjta pikëpamje për grupet e tjera etnike dhe fetare.

Raporti fajson mungesën e censurës publike për islamofobinë, duke përmendur shembullin e deputetes konservatore Nadine Dorries, e cila kishte postuar në Twitter komentet mbështetëse të bëra nga aktivisti anti-islam Stephen Yaxley-Lennon (i njohur gjithashtu si Tommy Robinson), që ishte një arsye pse paragjykimet ishin kaq të përhapura.

“Ka mungesë kritike që ndalon islamofobinë dhe kjo duket se korrespondon me mënyrën se si trajtohet islamofobia në jetën publike,” tha Jones. “Anketa tregon qartë se është një paragjykim shumë i përhapur. Por thjesht nuk i jepet i njëjti lloj serioziteti si format e tjera të paragjykimit.

“Njerëzit që punojnë në poste publike, qofshin deputetë apo këshilltarë, janë larguar duke thënë gjëra për muslimanët që thjesht nuk do t’i shpëtonin nëse do të flisnin për lloje të tjera të pakicave. Kjo nuk do të thotë se edhe ato çështje të tjera nuk duhet të merren seriozisht, thjesht do të thotë se kjo formë e veçantë e paragjykimit nuk merr vëmendjen e duhur.”

Studiuesit rekomanduan që qeveria dhe figurat e tjera publike duhet të pranojnë publikisht mungesën e kritikës ndaj islamofobisë dhe se si ajo dallohet në krahasim me format e tjera të racizmit dhe paragjykimit. Raporti sugjeroi gjithashtu se organizatat e shoqërisë civile dhe organet e barazisë duhet të pranojnë sesi keq-arsimimi sistematik rreth Islamit është i zakonshëm në shoqërinë britanike dhe është një element kyç i islamofobisë.

Jones tha: “Askush nuk po bën thirrje për ligje që rregullojnë kritikën ndaj fesë, por ne duhet të pranojmë se publiku britanik është keq-edukuar sistematikisht rreth traditës islame dhe të ndërmarrim hapa për ta korrigjuar këtë.” /The Guardian/

Përktheu: EKONOMIA ISLAME

Artikulli paraprakPajisjet që ju hargjojnë rrymë edhe nëse nuk përdoren, por qëndojnë në prizë
Artikulli tjetërCilët janë klientët e tu?