Borxhi i jashtëm bruto i Kosovës, i cili përfshinë borxhin privat dhe borxhin publik, në fund të shtatorit 2013 ka mbetur pothuajse në nivelin e njëjtë me tremujorin paraprak.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se vlera e borxhit të jashtëm bruto më 30 shtator 2013 ka shënuar 1.55 miliard euro. Borxhi publik ka një pjesëmarrje të ulët në gjithsej borxhin e jashtëm, me rreth 25 për qind.
“Vlera e borxhit publik deri në fund të shtatorit arriti në 387.8 milionë euro. Pjesa më e madhe e borxhit publik përbëhet nga borxhi i jashtëm i Qeverisë, i cili në fund të shtatorit 2013 ishte 324.6 milionë euro. Kjo vlerë është për 6.5 milionë euro më e vogël krahasuar me qershorin 2013 dhe kryesisht i atribuohet pagesës së kredisë së trashëguar nga Banka Botërore. Borxhi i sektorit privat në fund të shtatorit 2013 shënoi vlerën prej 1.16 miliard eurosh”, ka njoftuar BQK-ja.
Pjesa më e madhe e borxhit privat është në formë të kredive ndërmjet kompanive që janë në relacion të investimeve të huaja direkte (629.2 milionë euro), pasuar nga sektorët e tjerë të ekonomisë me 324.4 milionë euro) dhe huamarrjet e bankave komerciale me 206.9 milionë euro. Në kuadër të sektorëve të tjerë bëjnë pjesë institucionet financiare jobankare, korporatat jofinanciare, organizatat joqeveritare dhe ekonomitë familjare.
“Në kuadër të sektorëve të tjerë dominojnë kreditë tregtare të kompanive kosovare, importuese të mallrave me 161.1 milionë euro”, ka njoftuar BQK-ja.
Po ashtu, BQK-ja ka njoftuar se Kosova vazhdon të regjistrojë bilanc neto pozitiv të pozicionit të investimeve ndërkombëtare, i cili në fund të tremujorit të tretë të vitit 2013 ishte 428.9 milionë euro.
“Krahasuar me tremujorin paraprak, asetet e jashtme neto kanë shënuar rritje për 5.9 për qind, duke arritur vlerën 4.07 miliardë euro”, është thënë në raportin e BQK-së, i publikuar të premten.
Rritjes së aseteve të huaja më së shumti i ka kontribuar rritja e investimeve në letra me vlerë (115.9 milionë euro), pasuar nga rezervat ndërkombëtare (67.7 milionë euro) dhe investimet e tjera (34.4 milionë euro). Po ashtu, edhe detyrimet ndërkombëtare kanë shënuar rritje.
“Kjo rrije ishte për 2.2 për qind, duke shënuar vlerën 3.65 miliardë euro. Rritjes së detyrimeve të huaja më së shumti i ka kontribuar rritja e investimeve të huaja direkte në Kosovë (61.2 milionë euro), pasuar nga rritja e investimeve të tjera (17.0 milionë euro).”
“Deficiti i llogarisë rrjedhëse në tremujorin e tretë të vitit 2013 shënoi vlerën prej 96.5 milionë eurosh. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, deficiti u zvogëlua për 46.4 milionë euro. Kontribuuesi kryesor i deficitit të llogarisë rrjedhëse mbetet kategoria e mallrave (bilanci tregtar) që në këtë periudhë arriti vlerën 547.4 milionë euro, duke shënuar një zvogëlim në vlerë prej 64.1 milionë eurosh krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2012”, është thënë në raportin e BQK-së.
Në anën tjetër, kontribuuesit kryesorë në zbutjen e deficitit të llogarisë rrjedhëse janë transferët rrjedhëse (326.0 milionë euro), shërbimet (122.7 milionë euro) dhe të ardhurat (2.2 milionë euro).
Në kuadër të transfereve rrjedhëse, remitencat në tremujorin e tretë kanë shënuar vlerën prej 182.2 milionë eurosh ose 4.3 për qind më shumë se periudha e njëjtë e vitit 2012. Investimet e huaja direkte (IHD) në Kosovë në tremujorin e tretë të vitit 2013 kanë shënuar rënie të theksuar krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Vlera e IHD-ve në këtë periudhë ishte 61.5 milionë euro.
“Niveli më i ulët i investimeve në këtë tremujor ka qenë si rezultat i shpërndarjes më të madhe të superdividentës nga kompanitë e investimeve direkte në Kosovë.
Superdividenta nënkupton tërheqjen e kapitalit në nivel më të lartë se fitimi i akumuluar për periudhën referuese. Investimet në letra me vlerë tek jorezidentët, pa përfshirë letrat me vlerë që bëjnë pjesë në kuadër të aseteve rezervë, gjatë këtij tremujori janë rritur për 91.8 milionë euro. Rezervat ndërkombëtare në tremujorin e tretë 2013 janë rritur për 136 milionë euro”, është thënë bërë me dije në raportin e BQK-së.
Bilanci i gjendjes i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës
Gjatë muajit nëntor 2013 asetet e BQK-së janë zvogëluar për rreth 45 milionë euro në krahasim me tetorin 2013. Vlera e aseteve të BQK-së më 30 nëntor 2013 ishte 1.66 miliard euro krahasuar me 1.70 miliard euro sa ishte në tetor 2013. Rënia e aseteve i atribuohet kryesisht rënies së depozitave të Qeverisë në BQK.
Investimet e BQK-së jashtë vendi gjatë muajit nëntor kanë pasur një tendencë të lehtë rënëse (2.2 për qind) në krahasim me muajin paraprak, duke shënuar vlerën 1.50 miliard euro.
Edhe gjatë nëntorit 2013 ka pasur ndryshime në strukturën e investimeve të BQK-së jashtë vendit, janë rritur investimet në depozita, kurse janë zvogëluar investimet në letra me vlerë.
“Në fund të nëntorit 2013 investimet e BQK-së në depozita jashtë vendit shënuan vlerën 1.08 miliard euro krahasuar me 1.01 miliard euro sa ishte në tetor 2013. Investimet në letra me vlerë kanë rënë në 421.0 milionë euro nga 521.0 milionë euro sa ishin në tetor 2013. Depozitat e institucioneve të tjera në BQK në përgjithësi kanë mbetur në nivelin e njëjtë me atë të tetorit 2013”, është thënë në raport.
Bilanci i gjendjes së bankave komerciale
Gjatë nëntorit 2013 asetet e bankave komerciale janë rritur për 24.8 milionë euro ose 0.8 % krahasuar me muajin paraprak. Vlera e aseteve të bankave komerciale më 30 nëntor 2013 ishte 2.98 miliardë euro.
Në kuadër të aseteve, bilanci i bankave komerciale në BQK është rritur për rreth 17.1 milionë euro. Bruto kreditë e bankave komerciale shënuan vlerën 1.8 miliard euro, që paraqet një rritje prej 4.4 milionë eurosh nga muaji paraprak. Investimet e bankave arritën në 278,1 milionë euro, apo rritje mujore prej 6.4 milionë eurosh, shkruan Epoka e Re.
“Depozitat e klientëve në bankat komerciale në nëntor shënuan vlerën 2,36 miliardë euro krahasuar me 2,35 miliardë euro sa ishin në muajin paraprak. Rreth 48 për qind e depozitave janë të afatizuara. Raporti i kredive ndaj depozitave mbetet në nivelin 76 për qind. Huamarrjet e bankave, detyrimet e tjera dhe provizionet për kredi nuk kanë pasur ndryshime të rëndësishme gjatë këtij muaji. Fitimi i bankave komerciale deri në muajin nëntor 2013 shënoi vlerën 23.6 milionë euro.
Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, fitimi është rritur për 14.3 për qind.”, ka njoftuar BQK-ja.
Kapitali i bankave komerciale arriti në 251.1 milionë euro. Krahasuar me nëntorin e vitit 2012, kapitali është rritur për 3.4 për qind.
/ind/kohaislame