Baza e vetëkontrollit – Disiplina

“Një mendje e shtrirë nga një eksperiencë e re, nuk mund të kthehet kurrë pas, në dimensionet e saj të vjetra.”

Olivier Wendell Holmes

Dr. Park Seong – Hwang, president i Kompanisë Kumho dhe themelues i Kompanisë Ajrore Asiana, konsiderohet si një nga personat më të suksesshëm në Kore. Babai i tij e filloi rrugëtimin drejt suksesit si një shofer taksie dhe vendosi ta zgjeronte punën e tij. Fillimisht, ai bleu makinën me të cilën punonte, Pastaj bleu edhe një makinë tjetër. Kur filloi t’i vinte ne zbatim ëndrrat e tij, kompania e tij u zgjerua, e gjithashtu edhe ëndrrat e tij, derisa ndërtoi një pasuri të madhe. Por, qeveria ia konfiskoi gjithë çfarë zotëronte. Kjo ndodhi gjatë luftës koreane. Pas një kohe të shkurtër, ai burrë vdiq. Doktor Park e pa se çfarë i ndodhi babait të tij dhe vendosi të blinte një makinë dhe të punonte vetë si shofer. Pastaj bleu një makinë të dytë, me qëllim që të punonte me të një anëtar tjetër i familjes dhe e vazhdoi këtë metodë të investimit të fitimeve, derisa krijoi një perandori ekonomike. Pastaj vendosi t’i hynte një aventure të re, dhe bleu një autobus. Kështu ai mund të bartte më shumë njerëz dhe më shpejt. Puna e tij lulëzoi, prandaj ndërtoi një tjetër perandori nëpërmjet autobusëve që zotëronte. Ai vazhdoi të përparonte, nga një sukses, në një tjetër sukses më të madh, derisa u zgjerua duke hyrë në fushën e aviacionit dhe krijoi Kompaninë Asiana Airlines. Në fillim, pësoi humbje të mëdha dhe njerëzit e këshilluan ta linte këtë fushë, nga frika se mos humbiste gjithçka, por ai i injoroi këshillat e tyre dhe vazhdoi projektin e tij. Pas shumë pengesash dhe humbjesh financiare të mëdha në fillim, gjendja ndryshoi më vonë, dhe Kompania Asiana Airlines u bë një nga kompanitë fitimprurëse, me të ardhura që arrijnë miliarda dollarë në vit. Në një takim, në stacionin e famshëm të lajmeve televizive, “CNN”, Park u pyet për sekretin e suksesit të tij, dhe ai u përgjigj: “Sekreti i suksesit tim janë besnikëria dhe disiplina. E kam mësuar veten që me disiplinë të arrij atë që dua dhe të ndaj një kohë për punë dhe një kohë për familjen, si dhe një kohë për shëndetin. Unë ndiej kënaqësi të madhe në punën time, dhe çdo gjë që bëj, synoj të bëj shkëlqyeshëm.”

Ky është shembulli i një burri i cili ia filloi jetës nga asgjëja, dhe i cili arriti të bëhej një nga të pasurit e mëdhenj, për shkak të vënies së gjithë jetës së tij në shërbim të arritjes së qëllimeve. Kjo, gjithashtu, falë edhe besnikërisë dhe disiplinës së tij.

Më ka ndodhur njëherë, që një person të më kërkonte ndihmë për të zbritur në peshë.

Ai po më tregonte se jeta e tij ishte bërë një ngatërrim i vërtetë, kur pesha e tij kishte arritur në atë gradë. Ai i kishte provuar të gjitha rrugët e vështira për t’u dobësuar, por pa sukses. Kur e pyeta se, sipas tij, çfarë i nevojitej për të mbërritur në peshën ideale, ai u përgjigj: “Nuk e di, prandaj jam këtu”… Unë e pyeta se kur trupi i tij të jetë elegant, çfarë do të bënte për ta ruajtur këtë elegancë, dhe më tha: “Në këtë rast, do të praktikoj ushtrime sportive, të paktën tre herë në javë, do të ushqehem me ushqime të shëndetshme dhe do të shoqërohem me persona të shëndetshëm, ose me persona me një fizik shumë të mirë, që të bëj edhe unë ashtu si bëjnë ata”… Unë natyrshëm e pyeta përsëri, se përse nuk e bënte që tani këtë, por nuk m’u përgjigj. Ky person kishte një strategji të shkëlqyer për të rënë nga pesha. Ai në fakt e dinte metodën dhe e kishte mundësinë të bëhej elegant. Nëse e zbatonte, do të ndihej më mirë, jeta e tij do të ishte më e lumtur, por ai nuk e zbatonte këtë metodë, prandaj kishte ardhur tek unë, që t’i tregoja një plan të magjishëm!!!

Nëse analizojmë situatën e këtij burri, shikojmë se atij nuk i mungonte asnjë mundësi. Paratë nuk përbënin pengesë për të realizuar ëndrrën e tij, sepse ai shpenzonte mjaft në ilaçe dhe në metodat e ofruara nga tregu atë kohë. Përveç kësaj, ai kishte kohë mjaftueshëm për ta zbatuar planin e tij. Por çfarë ishte ajo që i mungonte, me saktësi?… Përgjigjja është se ai nuk e kishte disiplinën, e cila do ta bënte të vepronte drejt, për të realizuar qëllimin e tij. Prandaj, fokusimi im gjatë hapave të trajtimit të tij, ishte i përqendruar mbi disiplinën. Unë e ndihmova ta zbatonte planin e tij strategjik, duke bërë hapa të vegjël dhe duke u mbështetur kryesisht në vazhdueshmërinë e zbatimit dhe të disiplinës. Unë e ndihmova gjithashtu në zhvillimin pozitiv të imazhit të tij personal, gjë e cila e ndihmoi të arrinte në realizimin e qëllimit… Ai arriti të zbriste më shumë se 36 kilogramë dhe filloi të praktikon te më rregull ushtrime sportive, të paktën dy herë në javë. Kështu, jeta e tij u lumturua më shumë nga sa kishte qenë më përpara.

Në një nga ligjëratat e mia rreth zotërimit të vetvetes, unë u thashë pjesëmarrësve se ata kishin qenë të disiplinuar gjatë gjithë jetës së tyre.

Njëri nga ata më pyeti i habitur: “Nga e nxore këtë konkluzion?!”… Dhe unë pyeta njërin nga ata: “A je duhan pirës?”…

“Po” -tha ai…

Unë e pyeta: “Që kur pi duhan dhe sa cigare pi në ditë?”…

Ai tha: “E pi duhanin që dhjetë vjet dhe konsumoj një paketë në ditë”…

Unë i thashë: “A nuk të thashë që je i disiplinuar?… Ti pi nga një paketë cigare çdo ditë, me rregull, dhe kjo për një periudhë dhjetëvjeçare.”…

Pastaj pyeta një person tjetër: “A shikon televizorin me rregull?”…

Ai tha: “Po, pothuajse çdo ditë.”…

E pyeta: “Që kur e vazhdon këtë zakon?”…

Ai tha: “Pothuajse që dymbëdhjetë vjet.”… Nga kjo nxjerrim se ai është një person i disiplinuar në të shikuarit e televizorit.

Këta dy shembuj, sqarojnë masën e angazhimit. I pari ishte i angazhuar që ta hiqte qafe veten e tij, ndërsa i dyti ishte i angazhuar për ta humbur kot, kohën e tij!!! Pra, ne jemi gjithmonë të disiplinuar, por shumë nga ne e përdorin këtë disiplinë në formimin e zakoneve negative, si duhanpirja, ngrënia pa kufi, varësia nga alkooli dhe drogat, shikimi i televizorit me tepri dhe mospraktikimi i sportit…

Ndërkohë, personat e suksesshëm, e përdorin fuqinë e disiplinës personale në përmirësimin e nivelit të jetës së tyre, për të jetuar një jetë më të lumtur, për ta përmirësuar sasinë e të ardhurave, për ta ngritur nivelin e tyre të shëndetit dhe të jetesës në një gradë të përsosur.

Vetdisiplina të mundëson praktikimin e ushtrimeve sportive, dhe si rezultat mbrojtjen e përformancës së mirë fizike…

Vetdisiplina të mundëson për t’i mbajtur nën kontroll emocionet e tua, në çdo rreth anë…

Vetdisiplina të mundëson të zgjohesh herët, të largohesh nga zakonet e këqija si duhan pirja, alkooli, ngrënia e tepërt, edhe nëse ato zakone të këqija kanë zënë vend tek ti qysh prej një kohe të gjatë.

Vetdisiplina do të të ndihmojë për ta ndryshuar atë programim negativ që ke dhe i cili i ashpërson sjelljet e tua, në një programim pozitiv, që të ndihmon t’i përqendrosh energi itë e tua drejt suksesit. Kjo është fuqia e vet disiplinës.

Është e lehtë, natyrisht, ta humbasësh kohën në gjëra të kota, ose të mos bësh asgjë, dhe ndoshta është më e lehtë për njeriun të vazhdojë të pijë duhan, në vend që të disiplinohet në ushtrime sportive…

Zakonet e këqija të japin kënaqësi, por për një kohë të shkurtër. Ndërkohë, janë pikërisht ato zakone, që të japin dhimbje dhe vuajtje afatgjata.

Njëherë, në një klub sportiv, më rastisi të takoja një zonjë në të njëzetat e saj, e cila gëzonte një fizik të mirë. Ajo i bënte ushtrimet sportive me përkushtim dhe seriozitet të madh, dhe kjo për të ishte gjëja më e rëndësishme në jetë… Unë e pyeta se sa kohë na nevojitet që të arrijmë në një fizik të një niveli të lartë siç e kishte ajo, dhe me buzëqeshje m’u përgjigj: “Që të kesh një nivel të tillë fiziku dhe ta ruash këtë gjendje, të duhet e gjithë jeta”… dhe shtoi se kur kishte qenë gjashtëvjeçe, kish te qenë shënjestër talljeje nga shoqet e saj në shkollë, ngaqë kishte qenë shumë e shëndoshë. Pastaj, ajo kishte vendosur t’i jepte fund kësaj dhimbjeje që ndjente… dhe që nga ajo kohë ajo vazhdonte të praktikonte ushtrime sportive, të paktën një orë çdo ditë; dhe e mbylli bisedën me mua duke më thënë: “Unë kam vetëm një trup, dhe vetëm një jetë që ta jetoj. Nëse nuk kujdesem unë për veten time, kush është ai që do të kujdeset për mua, atë herë?”

Kjo zonjë e re i kishte zbuluar sekretet e suksesit, dhe për shkak të përkushtimit të saj për ushtrimet sportive, dhe për shkak të vet disiplinës, ajo gëzonte këtë trup të rregullt, dhe një jetë të shëndetshme e të mirë. Zakonet e mira, ajo i kishte bërë pjesë të jetës së saj, në vend të zakoneve të këqija.

A njeh ndokënd që vendosi të praktikonte ushtrime sportive, dhe vërtet u regjistrua në klub të posaçëm për këtë, dhe shkoi një ose dy herë atje, pastaj ndaloi së shkuari më?

A njeh njerëz, të cilët me dëshirë filluan të mësojnë një gjuhë të re, u regjistruan dhe paguan kursin e gjuhës, blenë librat dhe frekuentuan me rregull mësimet në javët e para, pastaj filluan çrregullimin, mosfrekuentimin, dembelosjen për të shkuar në mësim sistematikisht, dhe më në fund, e lanë krejt studimin?… Sa prej nesh kanë blerë libra, që nuk i lexojnë asnjëherë të vetme?… Sa prej nesh kanë blerë audio-libra, që nuk i dëgjojnë kurrë, absolutisht?

Është gjë e bukur të dëshirosh të kesh sukses dhe ta përmirësosh jetën tënde, dhe gjithashtu është detyrë të veprosh, të angazhohesh me përkushtim dhe të jesh fleksibil, por, nëse nuk ke disiplinë, që të vazhdosh çdo ditë dhe me të njëjtin entuziazëm, ti patjetër do të dështosh. Në sportin e karatesë, për shembull, kam takuar shumë persona që regjistrohen duke patur qëllim të shkojnë me rregull në stërvitje, për të arritur gradën më të lartë të shëndetit dhe për të fituar aftësinë për të mbrojtur veten. Ata fillojnë të stërviten, mësojnë hapat dhe lëvizjet e para të thjeshta, pastaj e lënë kursin, dhe vetëm një pakicë prej tyre arrijnë ta plotësojnë rrugëtimin dhe të marrin shiritin e zi. Shkaku kryesor për këtë është pasja e vetdisiplinës ose mungesa e saj.

George Bernard Shaw thoshte: “Kujdesu ta arrish atë që do, ose përndryshe do të jesh i detyruar të pranosh çfarëdo që të mund të arrish.”

Nëse kërkon në fjalor për fjalën “Vetdis iplinë”, do të gjesh se ajo nënkupton kontrollin mbi vetveten… Vetdisiplina është cilësia e vetme që e bën njeriun e zakonshëm të bëjë gjëra të jashtëzakonshme… Ajo është sinonim i vazhdueshmërisë në veprim… Ajo është forca që të çon në një jetë më të mirë. Doktor Ro bert Schuller, thoshte: “Mos lejo kurrë asnjë problem që të bëhet justifikim. Bëhu i disiplinuar, që ta zgjidhësh problemin.”

Një herë po mbaja një ligjëratë rreth Programimit neurolinguistik, në Havai, dhe gjatë qëndrimit tim atje, unë praktikoja sportin e vrapimit në mëngjes. Ndërsa vrapoja një ditë, ma tërhoqi vëmendjen një zonjë, e cila gjatë vrapimit, shtynte përpara një karrocë të vogël fëmijësh. Të qenurit një nënë që rriste një fëmijë, nuk e kishte penguar atë grua të praktikonte ushtrime sportive.

Kur Ron Scanlon ishte fëmijë, ai ishte shumë i dhënë pas sportit. Në vitin 1956, ai pësoi një aksident automobilistik dhe mjekët ia shpëtuan jetën për mrekulli, por mbeti i paralizuar që nga mesi e poshtë. Në fillim, ai e urrente karrocën e invalidëve, në të cilën rrinte ulur dhe rrinte duke mallkuar fatin e tij të keq. Kështu vazhdoi, derisa ndaloi nga kjo ndjesi pas njëfarë periudhe, dhe tha me vete: “Nëse unë do të vazhdoj të jem në këtë gjendje deri në fund të jetës sime, atëherë duhet ta shijoj jetën në gradën më të madhe të mundshme, në këto kushte që jam”… Pastaj ai u përpoq të regjistrohej në disa klube, që të praktikonte sportin e karatesë, por u refuzua për shkak të gjendjes së tij fizike. Më në fund, Bill Lasiter, trajner në Kong Fu, pranoi ta stërviste. Ron ishte gjithmonë i pari që mbërrinte në stërvitje, dhe i fundit që linte sallën. Ai vazhdoi të stërvitej dhe përparoi në këtë lojë, derisa mori shiritin e zi. Ai ishte shumë i fortë dhe i përdorte duart edhe karrigen e tij për të mposhtur çdo kundërshtar. Kur arriti moshën tridhjeteshtatëvjeçare, ai arriti nivelin më të lartë në Kong Fu. Në këtë pikë, ai u bë vetë mjeshtër dhe hapi shkollën e tij private, për të dhënë mësim në Kong Fu, shkollë e cila zinte rreth dyqind persona. Në një intervistë televizive, Ron u pyet për mënyrën sipas së cilës ai arriti ta mposhtte pikën e tij të dobët, dhe tha: “Kur ke një qëllim dhe e përqendron të gjithë energjinë tënde për ta arritur këtë qëllim, i vë në zbatim të gjitha mundësitë e tua që ke dhe je i disiplinuar, patjetër do të kesh sukses dhe do t’ia arrish qëllimit”.

Shkrimtari amerikan, Jim Rohn, thoshte: “Nëse ka një faktor të domosdoshëm për të vepruar me sukses drejt lumturisë dhe mirëqenies, ky faktor është vetdisiplina. Ajo i përmban çelësat e ëndrrave të tua dhe ajo është ura që bën lidhjen mes ideve që ke dhe arritjeve të tua, dhe ajo është baza e çdo suksesi. Mungesa e saj çon në dështim”.

Hanibali kishte thënë: “Nëse nuk e kemi gjetur rrugën e suksesit, atëherë duhet ta shpikim vetë atë.”

Vetdisiplina është çelësi nëpërmjet të cilit do të mbërrish në rrugën e suksesit… Ajo do të të ndihmojë që të ndryshosh zakonet dhe mendimet e këqija dhe të zhvillosh veprimet dhe mendimet pozitive që të zënë vendin e tyre… Vetdisiplina do të të bëjë të jesh gjithmonë entuziast, që nga fillimi i rrugës e deri në fund të saj. Prandaj, fillo që sot! Fillo t’i ndërtosh muskujt e vetdisiplinës, sepse ata janë muskujt e vetëm që mund të të ndihmojnë të veprosh në vazhdimësi, dhe që të sigurojnë nivelin më të lartë të suksesit… Duke filluar që sot, bëje vetdisiplinën një nga zakonet e tua dhe lejoje veten tënde të bëhet e fortë! Çliroje veten tënde nga çdo zakon negativ dhe vazhdo me durim në vetdisiplinën pozitive!

Milioneri Charles Givens thoshte: “Këmbëngulja e eliminon rezistencën.”

Ja tani një recetë për të arritur në vetdisiplinë:

1. Shkruaji dhjetë gjëra që dëshiron t’i bësh, por që nuk vazhdon në to!

2. Renditi ato sipas përparësisë!

3. Lexoji këto gjëra me zë të lartë, duke shtuar edhe frazën: “Unë mundem!”, dhe për shembull, nëse në krye të listës është: “E sistemoj zyrën time çdo ditë”, lexoje: “Unë mund ta sistemoj zyrën ti me çdo ditë”… Ose nëse në krye të listës është “Të bëj ushtrime sportive çdo ditë”, lexoje: “Unë mund të bëj ushtrime sportive çdo ditë”.

4. Tani mbylli sytë dhe imagjinoje veten tënde duke realizuar qëllimin tënd, pastaj hapi sytë përsëri!

5. Bëji detyrat që priten prej teje, tani, dhe mos bëj asgjë tjetër derisa t’i kryesh ato detyra! Bëji tani!

6. Kur cakton ndonjë takim, duhet të jesh korrekt me kohën, dhe mos e shtyj qoftë edhe për një minut të vetëm.

Fillo t’i ndërtosh gradualisht muskujt e vet disiplinës, dhe do ta gjesh veten të kthyer drejt një jete të mbushur me lumturi, shëndet dhe sukses… Një mësues thoshte: “Nëse dëshiron të bëhesh mjek, studio mjekësi; nëse dëshiron të bëhesh inxhinier, studio inxhinieri; dhe nëse dëshiron të jesh i suksesshëm, studio suksesin.”

Suksesi është në duart e tua… Ti e zotëron fuqinë të jesh, ose të punosh, ose të zotërosh, gjithë çfarë dëshiron.

Shikoje të kaluarën si të ishte një thesar përvojash dhe përdore me urtësi! Shikoje të ardhmen si një shpresë për lumturi, sepse “e djeshmja nuk është asgjë tjetër vetëm se një ëndërr, dhe e nesërmja nuk është gjë tjetër vetëm se një vizion, por ditën që ti e jeton siç duhet, është ajo e bën të djeshmen një ëndërr lumturie dhe të nesërmen një vizion shprese”.

Dhe kujto gjithmonë:

Jetoje çdo çast sikur të ishte çasti i fundit i jetës sate…!

Jeto me dashuri! Jeto me përpjekje

Jeto me besim! Jeto me shpresë!

dhe çmoje vlerën e jetës!

Artikulli paraprakKolonizimi i Kinës nëpërmjet borxhit
Artikulli tjetërPRITSHMËRITË E BIZNESEVE, VIZIONI I TYRE DHE PARASHIKIMI PËR 2021