NOCIONI DHE KARAKTERISTIKAT E BQK-SË
Me 27 korrik 2010 Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin nr.03/L-209 për “Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës pasardhëse Autoritetit Qendror të Kosovës, është subjekt juridik publik bazuar në nenet 11 dhe 140 të Kushtetutës dhe të dispozitave të ligjit të lartcekur që ka autonomi administrative, financiare dhe menaxhuese. BQK-ja nuk regjistrohet në librin e regjistrimeve të bizneseve.
BQK-ja si subjekt juridik në bazë të nenit 3 të ligjit për këtë institucion ka kompetencë të plotë, po ashtu ka edhe kompetencë të veçantë që:
- Të hyjë në marrëdhënie kontraktore
- Të ndërmarrë procedura ligjore dhe të jetë subjekt i këtyre procedurave.
- Të fitoj, administrojë, mbajë dhe disponoj pronë të luajtshme dhe te paluajtshme
BQK-ja është institucion i pavarur në kryerjen e detyrave të veta, pra me këtë nënkuptojmë që në çdo kohë duhet të respektohet pavarësia e këtij institucioni, nga çdokush që mundohet që të ndikojë në anëtarët e organeve vendimmarrëse apo personelit të BQK-së. Por, nga kjo pavarësi nuk duhet nënkuptuar që BQK-ja nuk jep përgjegjësi për punën e vet, përkundrazi BQK-ja të paktën njëherë në vit, varësisht edhe prej nevojës raporton para Kuvendit të Republikës se Kosovës dhe para publikut në lidhje me realizimin e politikave dhe objektivave të saj.
BQK-ja si objektivat të saj që i ka të parapara konkretisht në nenin 7 të ligjit të lartcekur ku shprehimisht përcaktohen këto objektiva të cilat janë:
- Që të nxisë dhe të mbajë një sistem financiar stabil, duke përfshirë një sistem të qëndrueshëm, të sigurt dhe efikas të pagesave.
- Objekivi i dytë i cili i nënshtrohet objektivit parësor të saj është të kontribuoj në arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve vendore.
- BQK-ja mbështet politikat e përgjithshme ekonomike të Qeverise së Kosovës.
4.Vepron në pajtim me parimin e ekonomisë së tregut të hapur me konkurrencë të lirë, duke favorizuar shpërndarjen efikase të resurseve.
Për përmbushjen e këtyre objektivave parësore BQK-ja ka një varg detyrash per ti kryer ku do ti përmendim veç disa prej tyre ku përcaktohen në nenin 8:
- Përcaktimin dhe zbatimin e politikave të një sistemi financiar stabil duke përfshirë mbikëqyrjen e një skeme të sigurimit të depozitave, kryerjen e operacioneve të tregut, si dhe ofrimin e likuiditetit emergjent;
- Rregullimin, licencimin, regjistrimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve financiare
- Promovimin dhe mbikëqyrjen e sistemeve të sigurta, të qëndrueshme dhe efikase të pagesave, të kliringut dhe të shlyerjes së letrave me vlerë;
- Sigurimin e një furnizimi të duhur të kartëmonedhave dhe monedhave në Kosovë;
- Mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave ndërkombëtare;
Ndërkohë për t’i realizuar qëllimet e saja BQK-ja mund të hapë dhe të mbajë në librat e saj llogari të parave dhe letrave me vlerë për bankat dhe institucionet tjera financiare, bankat e huaja, institucionet financiare ndërkombëtare dhe sipas kërkesës që i drejtohen mund te mbajë edhe për qeveritë e huaja, organizatat ndërkombëtare dhe organizatat donatore. Por, nuk mundet që të hapë dhe të mbaje në librat e saj llogari për institucionet jo financiare dhe për personat fizik.
Banka Qendrore e Kosovës mundet që të veprojë edhe në tregjet financiare me blerje, shitje, huadhënie ose huamarrje të të drejtave dhe të instrumenteve të tregtueshme si dhe metaleve të çmuara, por mundet edhe te kryej operacione kreditore me bankat dhe pjesëmarrësit e tjerë të tregut që veprojnë në vendin tonë me huadhënie të mbështetur në kolateral adekuat. Këto veprime BQK-ja i bën për t’i përmbushur objektivat dhe detyrat e veta që i ka parashtruar para vetës.
MARRËDHËNIET ME KUVENDIN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS, QEVERINË DHE SHTETIN
Përgjegjësia e Bankës Qendrore para Kuvendit të Republikës së Kosovës specifikohet në nenin 29 të ligjit për Bankën Qendrore ku specifikisht thuhet “Guvernatori me kërkesë të Kuvendit të Republikës së Kosovës ose me nismën e vet, së paku një herë në vit, dëgjohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe nga komisionet e tij për objektivat e Bankës Qendrore të: BQK-ja dhe në të njëjtën kohë përgjegjësinë që ka ky institucion financiar karshi të zgjedhurve të popullit.
Po ashtu BQK-ja ka raporte të ndërlidhura edhe me ekzekutivin e vendit ku paraqitet si këshilltar financiar dhe agjent fiskal, ku për këtë raport bëhet fjalë edhe në nenin 30 te ligjit për BQK konkretisht janë këto dispozita:
- Banka Qendrore vepron si bankier dhe si këshilltar financiar për Qeverinë.
- Banka Qendrore mund, për dhe në emër të Qeverisë, të pranojë huazime të jashtme, të menaxhojë dhe të administrojë borxhe të tilla, si dhe të shlyejë të drejtat dhe detyrimet financiare të Shtetit ndaj palëve të jashtme.
- Banka Qendrore mund, sipas kushteve për të cilat do të merret vesh me Qeverinë, të veprojë si agjent fiskal për llogari të Qeverisë ose për agjenci tjetër publike të përcaktuar nga Qeveria.
- Banka Qendrore mund të operojë me regjistër të letrave me vlerë të emetuara nga Shteti.
Edhe pse ekziston një raport kaq i mirë në mes ekzekutivit të vendit dhe BQK-së, por ekziston një nen (neni 33) ku i ndalohet kreditimi direkt dhe indirekt i institucioneve të vendit dhe çdo agjencie tjetër publike nga ana e BQK-së, me përjashtim të kredive brendaditore për të siguruar funksionimin e rregullt të pagesave.