Adhurimet Islame: Rruga drejt disiplinës dhe edukatës së përhershme

DISIPLINA NË ADHURIME

Nëse e analizojmë pak Sheriatin Islam dhe adhurimet ditore, që nga adhurimet e brendhshme që janë të padukshme, sikurse frika, shpresa apo mbështetja në Allahun (subhanehu ue teala) ose në adhurimet e dukshme sikurse namazi, agjerimi, haxhi, zekati.

Të gjitha këta adhurime e disiplinojnë besimtarin dhe besimtaren në shumë aspekte që kanë të bëjnë me edukatën e njeriut ndaj Zotit të vet, ndaj rrethit dhe ndaj vetes vet. Andaj nëse shohim namazin vijmë në përfundim që namazi në mes tjerash e edukon robin të jetë i përpiktë në kohë, zekati në mes tjerash e mëson të jetë i disiplinuar në aspektin financiar. Shkurtë thënë adhurimet ditore, vjetore ose jetësore e disiplinojnë besimtarin në respektimin e orarit kohorë, vendor dhe shumë më shumë se kaq.

Sheriati i Allahut (subhanehu ue teala) paraqet sistem jetësor individual dhe shoqëror që ofron sukses dhe stabilitet në jetën individuale dhe shoqërore. Pa pasur rregullues të jetës në suaza të mësimeve të Krijuesit jeta e njeriut bëhet e  mjerë në këtë botë dhe pason dështimi total në Ahiret. Është prej mëshirës së Allahut që kemi sistem besimi dhe jetese që na udhëzon në vepra dhe sjellje. Duke marrë pjesë në kryerjen e obligimeve fetare që burojnë nga Kurani dhe Suneti i Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) na mundësohet që të shijojmë mirësitë e Allahut (subhanehu ue teala) në dunja dhe korrjen e mirësive në Ahiret.

Thotë Allahu: ‘’Ti qëndro vendosmërisht ashtu si je urdhëruar, a bashkë me ty edhe ata që u penduan, e mos tejkaloni kufijtë se me të vërtetë Ai është Shikues i asaj që veproni’’. (Hud 112)

Është e qartë se njeriu nuk është çdoherë i fortë me iman, pra ka periudha që jemi dobët dhe periudha që jemi më fortë. Shumë prej vëllezërve dhe motrave ndodh që të rrëshqasin në situata të palakmueshme që në përgjithësi është rezultat i mosrespektimit të urdhërave të Allahut, andaj të qëndruarit fortë në parimet e Sheriatit është preventivë nga momentet e erta dhe zhvillimi i disiplinës që na jep konsistencë në adhurime është hapi kryesor që na mbron nga fundosja.

Pranimi se jemi të mangët dhe kemi nevojë për përmirsim është hapi i parë që të disiplinohemi. Thotë Allahu: ‘’Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli përderisa ata vet nuk e ndryshojnë’’. (Ra’d 11)

Kur njeriu vendos që ta ndryshojë veten për hir të Allahut, Allahu atë do e ndihmojë dhe mos preokupohemi me gabimet e të tjerëve përreth nesh, pasiqë secili në Ditën e Kijametit pyetet për veten e vet dhe jo për të tjerët. Vendimet tona që i marrim në jetë duhet të jenë në suaza të asaj që Allahu e do dhe që është i kënaqur me atë, dhe sprovat që na vijnë në jetë shpesh ndikojnë në përmirsimin tonë dhe dijetarët kanë thënë që sprova që e godet besimtarin nuk është për ta shkatërruar atë, por ëshët në favor të tij dhe është për përmirsimin e tij.

Vazhdueshmëria në adhurime dhe disiplinimi i vetes i mundëson njeriut që ta balancoj jetën nëpërmjet disa pikave të dobishme që do i përmendim në vijim:

  • Kryeji namazet ditore rregullisht.
  • Lexo Kuran rregullisht qoftë edhe pak.
  • Kërko dituri rregullisht, e sidomos dituri që ka të bëj me njohjen e fesë së Allahut.
  • Lexo libra në mënyrë konstante, dhe prezento nëpër ligjërata të ligjëruesve që kanë  dituri.
  • Shoqërohu me ata që janë të dobishëm dhe prej të cilëve mëson gjëra të reja që ndikojnë në përmirsimin e raportit tënd me Allahun (subhanehu ue teala).
  • Mbështetu në Zotin tënd.

Dhe dije se Islami paraqet mënyrë jetese dhe një prej gjërave që na mëson kjo fe është disiplinimi dhe edukata që  e rregullon jetën tonë dhe na siguron nga kaosi në të cilin janë futur shumë individ dhe shumë shoqëri. Kur ne e bëjmë këtë zgjedhje që ky Islam të jetë mënyrë e jetesës sonë, dalngadalë njeriu përmirsohet dhe i ndryshon pozitivisht shumë shprehi, mirëpo kjo nuk ndodh brenda një nate, porse ka nevojë për sakrificë dhe përpjekje të vazhdueshme e cila me lejen e Allahut sjell rezultate të kënaqshme për ne personalisht, por edhe për rrethin më të gjerë.

Përgatiti: Mr. Enis Arifi / riszgjimi.com

Artikulli paraprakSi ta kuptoni që një kompani nuk po ofron pagë “competitive” si në shpallje?
Artikulli tjetërRuajtja e pasurisë dhe jetës në Islam: Mësimet nga Surja En-Nisa, Ajeti 29″