Në Malajzi, sistemi i vakëfeve është shumë i ndërlikuar për shkak të mungesës së një ligji federal që t’i nënshtrojë të gjitha vakëfet në të njëjtat rregulla dhe dispozita. Edhe pse më vonë do të paraqesim një përmbledhje të strukturës organizative të sistemit të vakëfeve në Malajzi, mjafton të përmendet këtu se në Johor dhe në Territorin Federal është e mundur të krijohen vakëfe në formën e fondeve të parasë dhe llogarive bankare. Në pjesët e tjera të Malajzisë gjithashtu, me përjashtim të produkteve ushqimore dhe bimëve, vakëfet mund të jenë nga prona të paluajtshme ose të luajtshme. Kështu, kemi kushtin bazë të shkollës Shafi’i që pasuria themelore nuk duhet të jetë e konsumueshme.
Një zbatim interesant në Malajzi mund të vërehet në fushën e financave të larta. Të ardhurat e Departamenteve Fetare të shteteve të ndryshme, të cilat pjesërisht përbëhen nga të ardhurat e vakëfeve, janë investuar në Bankën Islamike të Malajzisë dhe në Kompaninë Takaful. Në fakt, 25% e kapitalit të Bankës Islamike të Malajzisë është siguruar nga këto departamente fetare. Sa i përket Kompanisë Takaful, në vitin 1991 kapitali i saj i paguar ishte i barabartë me 10,000,000 RM. Gjysma e kësaj shume ishte në pronësi të Bankës Islamike të përmendur më sipër, ndërsa gjysma tjetër në pronësi të departamenteve fetare.
Kështu, ajo që kemi këtu është investimi i të ardhurave nga vakëfet si financim përmes kapitalit të vet në institucionet e reja financiare islame. Në këtë pikë, mund të pyesim nëse kjo marrëveshje mund të quhet një vakëf monetar modern. Duke marrë parasysh që, ndryshe nga situata në Turqi ku paratë e dhuruara nga vakëfet historike u bashkuan për të formuar kapitalin e një banke të madhe, Vakıflar Bankası, duke humbur kështu personalitetin juridik në proces, në Malajzi paratë e investuara nuk ishin të dhuruara, nuk kishin personalitet juridik që nga fillimi dhe i përkisnin Thesarit Publik, bejt el-mal. Të ardhurat e gjeneruara nga Banka Islame e Malajzisë i kalojnë rregullisht Departamenteve Islame dhe përdoren për të mirën e komunitetit islam.
Për më tepër, paratë e investuara që i përkasin Departamenteve Fetare kanë një karakter të përhershëm, pasi mund të supozohet se departamentet nuk do të tërheqin normalisht këto fonde. Megjithatë, pavarësisht këtyre ngjashmërive, nuk mund ta konsiderojmë këtë marrëveshje si një vakëf monetar në kuptimin klasik, pasi kapitali i dhuruar nuk është në pronësi private, mulk. Gjithsesi, kjo marrëveshje është padyshim interesante dhe demonstron aftësinë e institucioneve financiare islame për t’u zhvilluar.
Një rast tjetër interesant, Ashabee kundër Mohammad Hashim, demonstron vlefshmërinë e vakëfeve monetare në Malajzi. Sipas këtij rasti, një testament parashikonte një fond prej 400 dollarësh për mbështetjen e gruas së testamentdhënësit dhe për shpenzime në “kandoori” (ritual fetar). Kjo dhuratë u konsiderua e pavlefshme, pasi nuk ishte e qartë se sa nga të ardhurat prej 400 dollarësh duhej të shpenzoheshin për gruan dhe sa për “kandoori”. Është e rëndësishme të theksohet se refuzimi erdhi për shkak të paqartësisë dhe jo për shkak të natyrës së kapitalit të dhuruar.
Në Singapor kemi informacion më të detajuar. Para së gjithash, në Singapor një vakëf përkufizohet si çdo dhuratë në tokë ose para për të mbështetur një xhami ose shkollë myslimane, ose për qëllime bamirësie. Sipas Raportit Vjetor të vitit 1995 të Mexhlis Ugama Islam Singapura (MUIS), autoriteti më i lartë për çështjet myslimane në Singapor, gjithsej janë regjistruar 47 vakëfe. Tetëmbëdhjetë prej tyre duket se janë (ose duhet të jenë) vakëfe monetare, që përbëjnë 38% të totalit. Kjo, sepse raporti i MUIS tregon se këto vakëfe nuk kanë asete fikse dhe nuk gjenerojnë të ardhura nga qiraja. Të ardhurat e tyre vijnë nga investimet e parasë, qoftë në formë depozitash bankare, dividendësh nga letrat me vlerë ose ri-vlerësime të tyre.
Hulumtimi i fundit nga Hatixhah Sheik Ebu Beker, një studente nga Singapori në ISTAC, ka zbuluar se këto tetëmbëdhjetë vakëfe ndodhen në një fazë kalimtare: ato fillimisht ishin vakëfe pronash të paluajtshme, por u sekuestruan nga shteti i Singaporit, i cili dha para si kompensim. Pra, bëhet fjalë për një rast të ibdal të detyruar (shkëmbim i pronës së vakëfit). Do të ishte shumë interesante të shihej se çfarë do të ndodhë me këto vakëfe në të ardhmen. Ato mund të shndërrohen plotësisht në vakëfe monetare nëse fillojnë të përdorin të ardhurat e gjeneruara nga kapitali i tyre për qëllimin e tyre origjinal. Po ashtu, mund të realizohet një istibdal i mëtejshëm, duke konvertuar paratë në pasuri të reja të paluajtshme.
Ajo që është e nevojshme në këtë rast është njohja se shuma e depozituar nga shteti vazhdon të përbëjë një vakëf, një procedurë juridike e rëndësishme që është e mundur në Iran.
Vlera totale e aseteve të këtyre vakëfeve kalimtare arrin në 1,054,263 dollarë singaporianë (S$). Duke pasur parasysh se vlera totale e të gjitha vakëfeve të regjistruara në Singapor është e barabartë me 92,885,669 S$, këto përfaqësojnë vetëm 1% të vlerës totale të vakëfeve të regjistruara në vitin 1995. Rritja ekstreme e vlerave të tokës në Singapor shpjegon këtë diferencë.
Kjo nënkupton se ndërsa vakëfet e pronave të paluajtshme janë bërë jashtëzakonisht të pasura, vakëfet monetare kanë mbetur të lidhura me normat e interesit të kohës. Një shembull për të ilustruar këtë është se kur MUIS ndërtoi katër shtëpi qyteti në një truall të njohur si Xhabbar Vakf, me një kosto prej 1.6 milionë dollarësh, të ardhurat vjetore nga qiraja u rritën 126 herë – nga 500 dollarë në 63,000 dollarë.
Rasti i veçantë i shoqatës Muslimin Trust Fund në Singapor
Një rast i veçantë që vlen të përmblidhet është ai i shoqatës Muslimin Trust Fund të Singaporit, e themeluar më 31 gusht 1904. Kjo shoqatë u themelua nga donacione në para të bëra nga kompania e njohur Alsagoff & Co., si dhe biznese dhe individë të tjerë myslimanë. Shuma totale e dhuruar arriti në 864.47 dollarë dhe kishte për qëllim financimin e varrimeve të myslimanëve të varfër, mbështetjen e jetimëve myslimanë, ndihmën për Shkollën Alsagoff, etj.
Fondi origjinal pritej të mbështetej më tej nga dhurimet bamirëse, sadaka, nëpër xhami. Në Objektivat e Shoqatës ishte përcaktuar që kutitë e lëmoshave të vendosura në xhami të hapeshin një herë në muaj dhe të ardhurat të përdoren si më poshtë:
- 2.5% e totalit do t’i dorëzohej Imamit të xhamisë për mirëmbajtjen e saj.
- 97.5% do të depozitohej në një llogari të hapur në Hong Kong and Shanghai Banking Co., në Singapor, në favor të shoqatës.
Paratë e depozituara (së bashku me interesin?) do të përdoreshin për qëllimet e përcaktuara të shoqatës.
Në vitin 1965, shoqata kishte një dispensar në ambiente të hapura, një shkollë arabe, një jetimore dhe administronte pesë xhami.
Si në Malajzi ashtu edhe në Singapor ekzistojnë vakëfe monetare, por ato janë në një gjendje të fjetur. Një pikë e përbashkët midis këtyre dy vendeve është centralizimi i tepruar i sistemeve të të vakëfeve. Ndryshe nga Turqia, nuk ka ndodhur një lëvizje dramatike dhe gjithëpërfshirëse për të shuar personalitetet juridike të vakëfeve dhe për t’i bashkuar ato në një bankë gjigante. Megjithatë, është e vërtetë që të gjitha vakëfet në Malajzi dhe Singapor, qofshin ato vakëfe monetare apo të pronave, janë ndikuar nga një centralizim masiv, një fenomen universal që meriton vëmendje të mëtejshme.