Në Islam, përkufizimi i varfërisë nuk kufizohet vetëm tek ai që kërkon lëmoshë apo që duket i privuar nga të mirat materiale. Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka sqaruar se varfëria e vërtetë shpesh është e fshehur dhe prek ata që, ndonëse kanë nevoja, nuk shtrijnë dorën për të kërkuar. Në hadithin e mëposhtëm, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) jep një përkufizim të qartë për atë që është vërtetë miskin – i varfër në kuptimin e thellë të fjalës.
Abu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “I varfëri (miskini) nuk është ai që shkon rrotull njerëzve dhe largohet me një ose dy kafshata, apo me një ose dy hurma.” Ata (shokët e Profetit) thanë: “O i Dërguari i Allahut, atëherë kush është miskini?” Ai tha: “Ai që nuk ka mjaftueshëm për të përmbushur nevojat e tij, por nuk konsiderohet si i tillë (nga të tjerët), saqë bamirësia t’i jepet atij, dhe ai nuk kërkon asgjë nga njerëzit.”