BE kërkon të standardizojë karikuesit e të gjithë smartfonëve. Apple nuk është dakord

Bashkimi Europian propozoi rregulla të reja të enjten që do t’i bëjnë portat USB-C standarde në të gjithë pajisjet si telefonat inteligjentë, tabletët, kamerat, speaker-at portativë dhe sistemet e lojërave të dorës.

Ky veprim është një pengesë për Apple, e cila përdor portën e vet “Lightning” në iPhone. Ndërsa rregullat e reja janë vite larg hyrjes në fuqi, Apple mund të detyrohet të bëjë ndryshime në produktin e saj.

“Konsumatorët europianë janë shumë të frustruar që karikuesit janë të papërshtatshëm për pajisjet e tjera dhe që i kanë grumbulluar nëpër sirtarët e tyre. Ne i dhamë industrisë shumë kohë për të dalë me zgjidhjet e tyre, tani ka ardhur koha për veprime legjislative për një karikues të zakonshëm,” tha shefja e teknologjisë së BE, Margrethe Vestager në një deklaratë.

“Kjo është një fitore e rëndësishme për konsumatorët dhe mjedisin tonë dhe në përputhje me ambiciet tona të gjelbra dhe dixhitale,” shtoi ajo.

Qytetarët e BE-së kanë mesatarisht tre karikues të telefonave celularë, sipas Komisionit Europian. Por 38% e konsumatorëve nuk kanë qenë në gjendje të karikojnë telefonin e tyre në të paktën një rast, sepse nuk kishin ngarkuesin e duhur në dorë.

Afërsisht 2.4 miliardë euro shpenzohen çdo vit për karikues të pavarur që nuk vijnë me pajisjet elektronike, sipas Komisionit.

Zyrtarët europianë po e nxisin industrinë e teknologjisë të standardizojë karikuesit për më shumë se një dekadë. Gjatë asaj kohe, numri i portave të karikimit të celularëve në treg ka rënë nga 30 në tre.

Apple tha se do të vazhdojë “të angazhohet me palët e interesuara për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje që mbron interesin e konsumatorit”.

“Ne mbetemi të shqetësuar se rregullorja e rreptë që urdhëron vetëm një lloj karikuesi mbyt inovacionin në vend që ta inkurajojë atë, e cila nga ana tjetër do të dëmtojë konsumatorët në Europë dhe në mbarë botën,” shtoi kompania në një deklaratë.

/CNN

Artikulli paraprakHapja e fabrikës së Teslas në Gjermani do të nxisë konkurrencën
Artikulli tjetërViber e tejkalon numrin prej një miliard instalimesh