Na ndodh shpesh të dëgjojmë njerëz të thonë se “Im atë nuk më ka dashur kurrë”, ose që “Nëna ime nuk më ka respektuar kurrë”, ose që “Vëllezërit e mi nuk më vlerësojnë.”
Ndoshta dikush thotë: Babai dhe nëna ime nuk kanë patur trajnimin e duhur për edukimin e fëmijëve ashtu siç duhet…
Unë u them këtyre: Më trego për një baba apo një nënë që kanë bërë trajnim për edukimin e fëmijëve, dhe që i kanë edukuar pastaj bijtë e tyre në mënyrën më të saktë të edukimit.
Ndoshta dikush mund të thotë: “Gjendja ime familjare ka qenë shumë e vështirë. Jam rritur nëpërmjet një trajtimi shumë të ashpër. Më kanë rrahur… më kanë fyer”… etj.
Një vajzë rreth moshës nëntëmbëdhjetë vjecare më erdhi në klinikën time private, dhe qante në mënyrë jo normale kur fliste për të atin. Ajo më tregoi se e urrente babanë e saj dhe nuk e duronte dot, dhe se parapëlqente më mirë të vriste veten sesa të bisedonte me të. Madje ajo kishte tentuar disa herë të bënte vetëvrasje, për shkak të egërsisë dhe ashpërsisë së babait të vet ndaj saj.
Pastaj, një ditë prej ditësh, ndodhi që babai i saj të më takonte në një nga mbrëmjet e mia, dhe sapo më pa, shpejtoi të më thoshte: Kam shumë nevojë për ty, të më ndihmosh në këtë problem. Unë dua të jem pranë time bije, por ajo nuk më duron aspak, dhe unë as që mund t’i afrohem asaj.
E shikon? Ai kërkonte të bënte gjithë ç’është e mundur, dhe përpiqej ta kryente detyrën e tij si prind në mënyrën më të plotë, sepse gjithsesi ai është prind.
…Kurse ajo donte të ishte e lirë, të dilte çdo natë… dhe nuk studionte, as nuk arrinte t’i merrte provimet. Pas gjithë këtyre veprimeve që ajo kishte bërë, këndvështrimi i saj për të atin ishte se ai ishte një njeri negativ, i cili donte ta burgoste me kufizimet e tij… se ai sillej ashpër me të dhe se e trajtonte me egërsi.
Kështu, ajo mbeti e bllokuar në atë justifikimin e saj, sipas së cilës, i ati e pengonte nga suksesi në jetën e saj, e ky është “justifikimi i gjendjes familjare”.