PRITSHMËRITË E BIZNESEVE, VIZIONI I TYRE DHE PARASHIKIMI PËR 2021

Kreshnik Robo,
Partner në Deloitte Shqipëri për Shërbimet e Këshillimit Financiar
Deloitte Shqipëri & Kosovë

Në mbyllje të vitit që lamë pas, së bashku me skuadrën e Departamentit të Shërbimeve të Këshillimit Financiar në Deloitte Shqipëri, nëpërmjet anketimit, pyetëm biznese të madhësive dhe sektorëve të ndryshëm mbi pritshmëritë e tyre për 2021.

Në anketë morën pjesë 123 drejtues të kompanive që operojnë në vend. Perceptimet e tyre mbi zhvillimet ekonomike i krahasuam me të dhënat e parashikuara nga institucione ndërkombëtare si EIU (Economist Inteligence Unit), IMF (International Monetary Fund) dhe EBRD (European Bank for Reconstruction and Development), për të patur një panoramë më të plotë mbi pritshmëritë e tregut\\\\\\\\\\.

Po çfarë na thonë rezultatet?

Nëse institucionet ndërkombëtare parashikojnë që rënia ekonomike e sektorit prodhues (industria) është 15% në 2020, drejtuesit e kompanive parashikojnë një rënie më të butë në nivel 5.6%. Ky ndryshim midis dy treguesëve të mësipërm vjen sepse ndërsa drejtuesit e kompanive e shikojnë rënien më shumë të lidhur ngushtësisht me sektorin ku operojnë, institucionet ndërkombëtare masin edhe tregues të tjerë si rënia e punësimit, fuqisë blerëse, ngadalësim apo shtyrje të investimeve të huaja etj.

Ndërkohë, në lidhje me sektorin e shërbimeve dallohet një përputhje e perceptimeve midis të dhënave të nxjerra nga pyetësori dhe institucioneve ndërkombëtare, në vlerat 5.3%-5.4%.

Nga sektori i prodhimit (industria) i ndikuar më negativisht nga pandemia është Industria e Rëndë dhe Përpunuese me 7.8% rënie aktiviteti, ndërkohë sektori energjitik, siç mund të pritej është më pak i ndikuar me një rënie prej 2.3% në 2020.

Po çfarë mendojnë drejtuesit e kompanive rreth zhvillimit të pritshëm ekonomik të kompanive të tyre në 2021 dhe më tej?

Sipas të dy burimeve, pyetësorit dhe institucioneve ndërkombëtare, faza e rimëkëmbjes gjatë 2021, parashikon të reflektojë afërsisht një rritje për të mbuluar rënien e 2020, si për sektorin e prodhimit dhe atë të shërbimeve.

Sipas institucioneve ndërkombëtare rimëkëmbjen më të lartë do ta regjistrojë sektori i prodhimit me 20% duke kaluar rënien e regjistruar më 2020 me 5%. Ndërsa sektori i shërbimeve do të rritet me 4.7%, 0.6% më pak se rënia e 2020.

Pritshmëritë e rimëkëmbjes nuk janë njësoj për të anketuarit, të cilët parashikojnë një vit 2021 të ndikuar nga efekti i pandemisë duke u rritur vetëm me 2.0% sektori i prodhimit dhe 2.7% sektori i shërbimit.

Kjo shmangie e lartë në % e rimëkëmbjes bazohet në të njëjtin argument si në pyetjen e parë ku analiza që bëjnë institucionet ndërkombëtare reflekton makroekonominë, përfshirë edhe vitin 2021, efektet e riinvestimeve post tërmetit dhe fushatën zgjedhore.

Siç mund të dallohet, rimëkëmbja e parashikuar nga të anketuarit është më e ulët dhe me efekt jo brenda vitit, por shtrihet më tej, ndërkohë institucionet ndërkombëtare parashikojnë të arrijnë në nivelin e para-pandemisë (2019) në fund të 2021.

Sipas bizneseve, rritja më e lartë do të shtyhet në kohë në 2022, kur dhe do të arrihet rimëkëmbja për të dy sektorët. Mestarisht gjatë periudhës 2021-2025, të anketuarit parashikojnë një rritje me 1.8% për sektorin e prodhimit (industria) dhe 1.5% për sektorin e shërbimeve. Ritmet e rritjes në afatgjatë, duket sikur përafrohen me parashikimet e institucioneve ndërkombëtare (industria 3.0% dhe shërbimet 1.0%).

Në nivel sektori, sipas të anketuarëve, në 2021 sektori i teknologjisë parashikohet të njoh rritjen më të lartë me 7.1%, ndjekur nga kujdesi shëndetësor me 4.8% dhe turizmi 4.4%.

Në një plan më afatgjatë, 2021-2025, sektori që parashikon rritjen më të lartë është Prodhimi dhe Industria e Rëndë me 9.5%, ndjekur nga Turizmi me 9.0%.


Po sipas tipologjive të kompanive a ka ndonjë dallim se si ato presin të rriten në 2021 për të asnjësuar efektin e pandemisë?

Nëse do ti analizonim numrat në varësi të moshës së kompanive që kanë qenë pjesë e të anketuarëve, dallohet që kompanitë që parashikojnë një rritje më të lartë janë kompanitë start-up, me deri 5 vite aktivitet, specifikisht 4.3% kompanitë që janë themeluar rishtazi (0-2 vite) dhe 3.7% ato me 3-5 vite operimi. Kjo rritje besohet të lidhet me fleksibilitetin dhe stadin e zhvillimit të start-ups, që siç mund të kenë një rënie më të lartë, kanë dhe një rritje më të lartë. Gjithashtu duke qenë Kompani të reja, mund të kenë dhe teknologjitë më të fundit që mund t’i kenë ndihmuar që të përballojnë krizën ose të dalin prej saj më “lehtë”.

Në 2021, në nivel madhësie, kompanitë e vogla kanë një rritje të parashikuar më të lartë me 2.8%, kjo në linjë me sa më lart ku kryesisht start-ups për shkak të madhësisë mund të përshtaten më shpejt ritmeve të tregut (si në rënie dhe në rritje). Më tej vijnë kompanitë e mëdha “too big to fail” me 2.2%. Këto kompani, për shkak të peshës që zënë në treg dhe rolit të tyre në ekonomi janë më “të qëndrueshme” në ritmet e tyre të rritjes. Segmenti që parashikohet të vuajë më shumë janë SME-të të cilat nga njëra anë nuk përfitojnë fleksibilitetin e kompanive të vogla dhe nga ana tjetër nuk kanë madhësinë e duhur në treg që të absorbojnë tkurrjet e tregut.


Cilat janë strategjitë e së ardhmes për kompanitë dhe ku/si parashikojnë të investojnë në të ardhmen?

Një pyetje me interes për të anketuarit është se si ata e shohin të ardhmen dhe strategjitë e tyre për të arritur rritjet e pritshme. Rezulton që 68% e sektorit të Mallrave të konsumit dhe shitjes me pakicë do të fokusohen në zgjerimin vendas të tregut, ndërkohë 90% e sektorit të prodhimit dhe industrisë së rëndë parashikon zgjerim rajonal dhe ndërkombëtar (kjo arsyeton dhe rritjen e parashikuar më të lartë nga sektorët e tjerë në 4 vitet e ardhshme me 9.5%).

Sektori i Industrisë së Shërbimve Financiare (“ISHF”) parashikon të fokusohet kryesisht (79%) në diversifikimin e produktit/shërbimeve. Kjo dhe si rezultat i pandemisë, ku shërbimet online janë bërë thelbësore. Kështu bankat kanë filluar të përshtasin shërbimet e tyre në funksion të nevojave të klientëve. Dallohet qartë dhe që në kuadër të diversifikimit të shërbimeve dhe produktit, ISHF-të janë sektori më i fokusuar në investimet teknologjike me 50%. Në linjë me ISHF, sektori i telekomunikacionit pritet të përqëndrohet në diversifikimin e produktit/shërbimeve (78%).

Pandemia vendosi në qendër të vëmendjes vendet me një sistem shëndetësor vulnerabël. Anketa tregon që sektori i kujdesit shëndetësor do të fokusohet njëkohësisht në zhvilime teknologjike dhe të kapitalit njerëzor.

Artikulli paraprakBaza e vetëkontrollit – Disiplina
Artikulli tjetërPanairi i Ndërtimit, Arkitekturës & Planifikimit Urban 2020, me fokus tek novacioni