LG po mbyll biznesin e saj të smartphone-ve në të gjithë botën

LG-ja deklaroi këtë të hënë se do të mbyllë biznesin me humbje të telefonisë celulare në të gjithë botën dhe do t’i përqendrojë burimet e saj në “zonat e rritjes”, si pjesët përbërëse të automjeteve elektrike, shtëpitë e zgjuara, robotikë, zgjidhjet e Inteligjencës Artificiale dhe B2B dhe platformat e shërbimet.

Firma koreanojugore tha në një deklaratë se bordi i drejtorëve të saj e miratoi vendimin këtë të hënë. Kjo vjen pas deklaratës së kompanisë në janar, kur ajo tha se po rishikonte me vëmendje drejtimin e biznesit të saj të smartphone-ve.

LG-ja e cila ka mbajtur vendin e 3-të në tregun e smartphone-ve në SHBA për një kohë të gjatë, tha se do të vazhdojë të shesë aparate celularë deri sa t’i mbarojë inventari dhe se do të sigurojë mbështetje softuerësh për linjat ekzistuese të telefonave inteligjentë për një periudhë të caktuar kohe që do të ndryshojë sigurisht sipas rajonit.

Në të ardhmen e afërt, LG-ja do të vazhdojë të përdorë ekspertizën e saj në drejtim të tregut të teknologjive qe kanë lidhje me smartphone-t si 6G p.sh., për të forcuar pozicionin e saj në fusha të tjera të biznesit.

“Teknologjitë kryesore të zhvilluara gjatë dy dekadave të operacioneve të biznesit të LG do të ruhen dhe zbatohen për produktet ekzistuese dhe ato të ardhshme”, tha kompania në deklaratën për shtyp.

Ecuria e dobët financiare e biznesit të smartphone-ve të LG-së ka qenë e njohur prej disa vitesh edhe për publikun e gjerë. Por ashtu si edhe për shumë shitës të tjerë të panumërt të smartphone-ve Android, edhe LG-ja e ka pasur të vështirë për të ndryshuar situatën. / Techcrunch

Artikulli paraprakArsyet përse biznesi duhet të promovojë praktikat e punës, sidomos ato të paguarat
Artikulli tjetër11 këshilla menaxhimi për profesionistë të pavarur