Apple mbush 45 vjeç, nga origjina e emrit te themeluesi i tretë. Kuriozitete mbi historinë e saj

“Kompjuteri është një biçikletë për mendjen”. Kjo është ndër thëniet më të famshme të Steve Jobs mbi teknologjinë, si mjet për të rritur aftësinë njohëse të njerëzve.
Detaje të vogla që ndoshta nuk i dini nga historia 45-vjeçare e Apple e themeluar më 1 prill 1976

 

45 vjet kalojnë pa u ndier…

Ishte 1 prilli i vitit 1976, kur dy miq të rinj, nënshkruan një marrëveshje për të krijuar një kompani të re, të quajtur Apple. Që prej atëherë kanë kaluar 45 vjet dhe ajo ëndërr, ajo marrëveshje e parë mes dy 20-vjeçarëve, sot është bërë një shumëkombëshe me vlerë tregu që kapërcen 2000 miliardë dollarë dhe ka të punësuar 147 mijë persona në të gjithë botën.

Historinë e Apple e njohim, edhe produktet e saj të suksesshme: nga Macintosh në vitin 1984 te laptopi i hollë Macbook Air sot, nga iPod që revolucionarizoi mënyrën se si dëgjojmë muzikën tek iPhone, i cili nuk ishte smartphone i parë, por ai që përcaktoi pamjen dhe funksionimin e gjithë modeleve që përdorim ende sot.

Më pas dolën iPad, Apple Watch (që ka kapërcyer industrinë e orëve të Zvicrës) e në fund shërbimet. Sot bota e Apple është në tranzicion – nga hardware, vëmendja po përqendrohet gjithnjë e më shumë drejt software. Dhe në shekullin XXI ofron shërbimet iCloud, Apple Music, Apple Tv, Apple News, Apple Fitness dhe Apple Arcade. Nën drejtimin serioz dhe racional të Tim Cook, CEO i cili drejton kompaninë që nga vdekja e themeluesit Steve Jobs, sot Apple nuk është më ajo kompania rebele në vitet e saj të para.

Ajo sfidoi monopolin e IBM dhe u drejtohej atyre që donin “Think Different” (të mendonin ndryshe), të mendonin jashtë kutisë. Është një lider që udhëheq tregun dhe orienton rrugëtimin. Në 45 vite histori shumë gjëra kanë ndryshuar. Detajet e historisë dhe filozofisë së Apple bëjnë diferencën.

 

Tim Cook dhe kujtimi i Steve Jobs

Por përpara se të tregojmë ndonjë episod të shkurtër të historisë së gjatë të Apple, është vetë Ceo Tim Cook që përkujton përvjetorin. Në Twitter, ai kujton themeluesin Steve Jobs: “Më vijnë ndër mend fjalët e Steve shumë vite më parë: ‘Ishte një udhëtim i bukur deri më tani, por sapo kemi nisur’. Faleminderit të gjithë pjesëtarëve të familjes Apple për çdo gjë që kanë bërë për të pasuruar jetën tonë. Një dolli për këto 45 vite dhe të tjera!”

 

Themeluesi i tretë misterioz i Apple

Në të vërtetë, marrëveshja e nënshkruar më 1 prill 1976 nuk u firmos vetëm nga Steve Jobs e Steve Wozniak. Është edhe një themelues i tretë. Quhet Ronald Wayne dhe ai ishte ‘përbërësi’ i Apple me përvojë. Tashmë, punonjës i Atari, ai i ndihmoi dy të rinjtë në menaxhimin e kontrollit administrativ të kompanisë së sapokrijuar. Wayne u largua vetëm 12 ditë pas krijimit të saj. Ai ia shiti aksionet e tij, 10%, dy të themeluesve të tjerë, për 800 dollarë. Sot ndoshta mendon që ai ishte gabimi më i madh i jetës së tij. Ato aksione sot do të vlenin rreth 200 miliardë dollarë.

 

Fondet e para, nga një furgon dhe një makinë llogaritëse shkencore

Kthehemi tek ai garazh në zemër të Silicon Valley, ku u ndërtua produkti i parë i shoqërisë, Apple. Për të krijuar kapitalin e parë, dy të rinjtë u detyruan të shesin sendet e tyre personale. Ishin dy të rinj pa para. Steve Jobs është pak më shumë se 20 vjeç, ndërsa Steve Wozniak, pesë vite më i madh. Për të mbledhur para për projektin e tyre të parë – një mikroprocesor i lidhur me një tastierë dhe monitor – paraardhësi i kompjuterit (PC), Jobs vendosi të shesë furgonin e tij Volkswagen, ndërsa Wozniak makinën e tij llogaritëse shkencore. Çmimi i Apple 1 ishte 666.66 dollarë. Nuk është një zgjedhje djallëzore, por më shumë një çështje komoditeti. Ishte më e thjeshtë të shkruaje të njëjtën shifër disa herë se sa të shkruaje 667. Kështu ka treguar më parë Wozniak. Në total janë shitur 200 ekzemplare të Apple 1.

 

Origjina e emrit Apple

Në lidhje me çështjen e emrit të zgjedhur, Apple, nuk ka një version zyrtar, por ka shumë supozime. E para lidhet me dietën që po ndiqte Steve Jobs në ato kohë, një dietë me fruta, që konsiston në ngrënien vetëm të mollëve, duke alternuar ditët. Pasioni i tij për këtë frutë mund të jetë origjina e emrit, por mund të jetë edhe një homazh për shkencëtarin Isaac Newton. Legjenda thotë se ai mendoi për gravitetin kur, ndërkohë që ishte i ulur nën një pemë, u godit nga një mollë që ra nga një degë. Në fakt, Newton shfaqej në logon e parë të Apple. Thuhet edhe se molla ishte një homazh për Alan Turing – informaticieni i famshëm – i cili në vitin 1954 vrau vetën pikërisht duke ngrënë një frutë me helm. Por kjo histori është përgënjeshtruar nga krijuesi i logos së parë, Rob Janoff, që e cilësoi në 2009-n një “legjendë të mrekullueshme urbane”

 

Kuptimi i shkronjës “i” përpara iMac, iPod, iPhone dhe iPad

Me siguri edhe ju do ta keni pyetur veten ndonjëherë pse qëndron shkronja “i” përpara gjithë produkteve të Apple. Nuk do të thotë “unë” siç mendohet shpesh spontanisht. Hipoteza e parë ishte që “i” i referohej “internetit”, që përcakton të gjitha ato pajisje që janë në gjendje të lidhen me internetin. Por shoqëria ka sqaruar më pas që “i” është shkronja e parë e fjalës “inovacion” dhe “individualitet”.

Një tjetër kuriozitet – një shkronjë tjetër që është shfaqur shpesh, veçanërisht tek iPhone është “s”. Smartphone i parë që ka pasur këtë shtesë është iPhone 4s. Shumë menduan se ajo shkronjë i referohej “Steve”. Jobs në fakt, kishte vdekur pak para se kjo pajisje të dilte në treg. Në të vërtetë “s” lidhet me “Siri”, asistenti zanor që u prezantua në këtë model.

 

Përse iPod quhet kështu

Origjina e emrit të iPod është kinematografike. Krijuesi i saj është copywriter Vinnie Chieco. Historia thotë që Steve Jobs kishte vendosur që slogani do të ishte “një mijë këngë në xhep” për të reklamuar pajisjen e tij, por nuk kishte menduar ende për emrin e duhur. Këtu shfaqet Chieco, i cili sapo e sheh, mendon menjëherë mendon për filmin “2001: A Space Odyssey” Dhe në veçanti për shprehjen “Open the pod bay door, Hal!“, Pastaj “Pod” i është shtuar shkronja traditë “i” e iMac dhe tashmë, produkti i ri është gati.

 

iPhone i parë

iPhone doli në treg në vitin 2007 duke revolucionarizuar të gjithë historinë e smartphone-ve. Në të vërtetë, iPhone nuk ka qenë pajisja e parë e lëvizshme e imagjinuar nga Apple. Në vitin 1993 kishte lindur Newton Message Pad, një kompjuter që mund ta merrje me vete, për të cilin kishin punuar prej 6 vitesh. U quajt PDA ose Personal Digital Assistant. Kishte një laps dhe një ekran touch. Steve Jobs, i cili në ato kohë ish larguar nga shoqëria – e urrente. Një nga vendimet e para që mori kur u rikthye ishte mbyllja e sektorit që merrej me Newton Message Pad. Një tjetër pajisje unike e lindur në atë periudhë, në vitin 1994, është QuickTake 100 – një nga aparatet e para dixhitale.

Burimi: Corriere della Sera