Qyteti i vogël finlandez, Lahti, është bërë një shembull i madh me programet në mbrojtje të mjedisit – brenda vitit 2025 do të jetë “Carbon neutral”
E gjelbra është e gjelbër. Por edhe shumë blu, herë kafe, shpesh e bardhë. Lahti, qyteti finlandez që ndodhet në Rajonin e liqeneve, rreth 100 kilometra në veriperëndim të qytetit të Helsinkit, është zgjedhur nga Komisioni Europian si Green Capital of Europe (Kryeqyteti i Gjelbër i Europës) për vitin 2021. Është qyteti më i vogël dhe më në veri që ka fituar ndonjëherë çmimin, i cili shpërblen këtë komunitet rekordesh në fushën e mjedisit.
Lahti ka braktisur plotësisht qymyrin dhe është pionier në ekonominë qarkulluese: aktualisht më shumë se 99% e mbetjeve shtëpiake riciklohen dhe qyteti ngrohet vetëm me lëndë të djegshme të ricikluara dhe me dru lokal të certifikuar. Emetimet e gazit serrë janë reduktuar me 70% krahasuar me vitin 1990. Kjo pasi Lahti synon të bëhet një qytet me zero emetime karboni deri në vitin 2025 dhe të krijojë një ekonomi qarkulluese me zero mbetje brenda vitit 2050.
Qyteti finlandez, relativisht i vogël, me 120 mijë banorë, i përkushtuar ndaj sporteve dimërore (në të janë zhvilluar 7 Kampionate Botërore të Skive në vendet nordike), beson prej vitesh në ekonominë e gjelbër dhe në menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve të tij, duke u frymëzuar te një moto konkrete dhe largpamëse “Zgjidhje lokale – Ndikim global”.
Një kuriozitet. Këtu ndodhet orkestra e parë simfonike dhe klubi i parë sportiv profesionist me emetime zero në botë.
Si pjesë e nismave të ndërmarra si “Green Capital”, u prezantuan për shembull “City Skis”, pajisje skijimi të dhëna hua falas, për të bërë ski, për shembull, pranë sheshit të tregut. Risia lindi nga ideja që njerëzit mund të marrin ski hua për të lëvizur në qytet, pikërisht si biçikleta apo mjete të tjera transporti.
“Të jetosh një jetë me zero emetime është e thjeshtë dhe e natyrshme. Jemi të parët në botë që kemi bërë të mundur shkëmbimin e emetimeve për lëvizjen e njerëzve, duke lehtësuar lëvizshmërinë ekologjike. Ne i nxisim qytetarët tanë por edhe udhëtarët të përdorin mjete transporti të qëndrueshme, duke i ftuar të lëvizin më këmbë, me biçikletë apo me mjete publike dhe natyrisht, gjatë sezonit të dimrit, me ski” – thotë Raija Forsman, CEO i Visit Lahti dhe anëtar i këshillit të Ski Club Lahti.
Ata që shkojnë Lahti, do të zbulojnë një qytet ku jetohet shumë mirë, kompakt, i cili mund të përshkohet më këmbë, i zhytur në mes të gjelbërimit, pranë një liqenit të madh Vesijärvi dhe i rrethuar nga pyje.
Në vitet ‘60-’70, industrializimi dhe urbanizimi i shpejtë, në pak kohë e shndërruan liqenin Vesijärvi, në të cilin pasqyrohet qyteti, në më të ndoturin në vend. Më pas, nëpërmjet konsorciumit Lahti City, u investuan më shumë se 100 milionë euro në zhvillimin e sistemit të transportit në qendrën e qytetit, duke ndërtuar parkime nëntokë, pista të reja për biçikleta dhe hapësira më të mëdha për të ecur më këmbë. Dhe falë projektit “Vesijärvi I”, në vitet ’80, liqeni u bë sërish i kristaltë – ujërat u pastruan nga mijëra tonë mbeturina, të cilat u zëvendësuan nga një milion peshq.
Lathi ka disa ndërtesa me arkitekturë interesante, si Kisha Ristinkirkko, e projektuar nga arkitekti i njohur Alvar Aalto; disa muze, ndër të cilët Muzeu i Radios dhe Televizionit; Heinola Art Museum, me koleksionin e tij prej porcelani dhe Muzeu i Skive.
Një qytet ku përvoja më e mirë përfaqësohet me ekskursione në natyrë, si për shembull në Parkun Kombëtar të Päijänne – një oaz natyror i mbrojtur në veri të qytetit. Këtu mund të zhytesh në ujërat transparente të liqenit gjatë verës jo të gjatë finlandeze, të bësh kanoe, kayak apo ekskursione përgjatë qindra kilometrave shtigje të shënjuara.
Lathi cilësohet edhe ci Çikago e Finlandës, për rëndësinë në industrinë e drurit dhe mishit (pikërisht si Çikago në SHBA). Qyteti finlandez, i zgjedhur Kryeqyteti i Gjelbër i Europës për vitin 2021, befasoi jurinë për angazhimin kundër krizës klimatike globale, me synimin për t’u bërë Carbon Neutral brenda 2025-s.
Me këto hapa, Lahti është dhjetë vite para krahasuar me objektivin kombëtar të Finlandës, për vitin 2025 dhe 25 vite përpara krahasuar me Bashkimin Europian, që synon të bëhet “Carbon Neutral” në 2050.
Personal carbon trading: sa më pak të ndotësh, më shumë fiton
Kjo është si një garë me pikë për qytetarët që zgjedhin të braktisin makinën për të lëvizur me mjete publike apo biçikletë në një qytet, ku në dimër, temperaturat arrijnë -10 gradë Celsius. Sistemi quhet CitiCAP dhe mbështetet në një aplikacion që llogarit sasinë e dioksidit të karbonit që prodhohet nga lëvizje të ndryshme. Në këtë mënyrë, sistemi shpërblen me “para virtuale” që mund të shkëmbehen në voucher për të përdorur falas mjetet publike, pishinat dhe qendrat sportive në vend.