Koronavirusi nuk do ta vrasë zyrën, shkruan Dror Poleg për The Upshot. Aftësia për të punuar në distancë nuk do ta largojë pjesën më të madhe të njerëzve nga qyteti dhe nga zyrat, por do t’u krijojë mundësinë për shumë të jetojnë dhe të punojnë në mënyra dhe vende të reja – duke shkaktuar ndërkohë pjesën e saj të shqetësimit, thekson ai.
Edhe para pandemisë, kishte tregues problemesh me tregun e zyrave në ato pak qytete ku ishte e përqendruar e ashtuquajtura “klasa krijuese”. Në vitin 2018, migrimi neto në Nju Jork, Los Anxhelos dhe San Francisko ishte negativ, ndërsa ekonomia e SHBA shënoi rritje me 2,9%. Edhe qytete si Londra dhe Parisi po përjetonin një rënie të ngjashme.
Shpjegimi për rëniet – kryesisht kostot e larta të strehimit për shkak të kufizimeve në ndërtimet e reja – errëson forcat e tjera që po destabilizonin tregun tradicional të zyrave. Në mes të viteve 2010, Amazon, Facebook, Google, Apple e të tjera kompani nisën të ndanin selinë e tyre në baza të shumta.
Për kompanitë me rritjen më të shpejtë, të qenët në gjendje të shfrytëzonin njerëzit e talentuar kudo u bë më e rëndësishme se grumbullimi i gjithë ekipit në një vend. Qytetet e vogla ishin mjaft të vlefshme.
Kishte tregues më specifikë që tregonin se tregu i zyrave po shkonte drejt një krize. Ndërkohë që punëdhënësit po luftonin për më shumë njerëz të talentuar, shumë punonjës po shihnin se zyrat tradicionale mungonin.
Në vitin 2019, Leesman, një firmë që mat përvojën e punonjësve, analizoi se si vendi i punës ndikon te produktiviteti, krenaria dhe kënaqësia e punonjësve. Leesman gjeti se rreth 40% e punonjësve mendonin se vendi i punës nuk u krijonte mundësi të punonin në mënyrë produktive.
Pastaj pandemia detyroi shumë punonjës të vlerësonin zgjedhjet e tyre. Sondazhe të ndryshme kanë treguar se shumë janë të lumtur të vazhdojnë të punojnë në distancë dhe do të transferoheshin, nëse do t’u krijohej mundësia.
E megjithatë, këto data na tregojnë pak mbi botën post-Covid. Ata që patën një zhvillim të shpejtë në fillim mund të përjetojnë burnout (mbingarkesë) nëse do të qëndronin në shtëpi për një periudhë më të gjatë Ata që luftuan mund të bëjnë shumë më mirë pasi të përvetësojnë mjetet e reja. Dhe teknologjitë që na lejojnë të punojmë, të mësojmë dhe të socializohemi do të përmirësohen edhe më shumë me kalimin e kohës.
Burimi: The New York Times