Mjedis i hapur, për të hapur mendjet. Nis kështu, pak a shumë, në mesin e viteve ‘50, historia e ‘open space’ në zyra, revolucioni i mjediseve të punës, që nëpërmjet shembjes së mureve, dëshironte të lehtësonte ndërveprimin mes kolegëve, lëvizjen dhe elasticitetin e vendeve të punës.
Sot, kur kufijtë e hapësirave po kërkojnë një fortesë në mbrojtje të sigurisë fizike por edhe mendore (mjaft të mendosh mbi privatësinë dhe stresin mendor), zyra ‘open space’ duket se i ka orët e numëruara.
Një studim i Parlamentit Europian, i cili ka analizuar avantazhet dhe disavantazhet e ‘open space’ pas Covid-19, ka arritur në përfundimin se e ardhmja e tyre “është e paqartë, pasi sëmundjet përhapen më shpejt në një hapësirë ‘open space’, ku njerëzit janë më afër njëri-tjetrit”. A do t’u kthehemi dyerve? Është më vështirë të thuhet e më lehtë të imagjinohet.
Smartworking, e identifikuar si puna nga shtëpia, nuk perceptohet më si një zgjidhje e përkohshme e vlefshme për të bashkëjetuar me një emergjencë, por si një alternativë e çmuar e përhershme për të reduktuar shpenzimet (së pari ato të qirave). Me pak fjalë, para se të pyesim se si do të jenë zyrat post-pandemi, duhet të pyesim nëse do të rikthehemi në të njëjtat zyra. Por si mund ta imagjinojmë një jetë profesionale pa një hapësirë (ekskluzivisht) për punë?
Distancimi social, që kërkon një largësi të paktën një metër njëri nga tjetri, godet në mënyrë të pashmangshme paradigmat e zyrës së hapur, dhe sipas asaj që thonë studiuesit, do të vijojë si një mënyrë e organizimit të punës “për ato kompani që kanë nevojë për një bashkëpunim të ngushtë në grup dhe për të kursyer kostot në plan afatgjatë “. Ashtu siç ndodh sot për ‘home office’, dje ‘open space’ bëri rrugë në zemër të interiorit (edhe) për të zvogëluar kostot fikse të kompanisë. Me një ndryshim të madh: workstation në shtëpi janë krijuar për të na ndarë e jo për të na bashkuar.
Pavarësisht pandemisë, zyrat ‘open space’ kishin dhënë anët e tyre negative – mundësitë për shpërqendrim rriten, produktiviteti zvogëlohet. Një raport i Parlamentit Europian shkruan se duhen mesatarisht 25 minuta për t’iu rikthyer punës pas një shpërqendrimi. Mungesa e mureve izolues ose strukturave për izolimin akustik rrit në open space zhurmat dhe ndotjen akustike.
Nga ana tjetër, ekranet dhe pajisjet, përfshirë telefonat, tabletët dhe kompjuterët, shkaktojnë lodhje më të madhe që vjen nga mbingarkesa e vazhdueshme e informacionit të marrë. Qendra Daneze për Kërkime në Mjedisin e Punës ka zbuluar se ditët e sëmundjes lidhen në mënyrë të ngushtë me ndarjen e hapësirës së zyrës.
Një studim te 2403 punonjës tregoi se punonjësit që punonin në një hapësirë ‘open space’ me më shumë se 6 persona regjistronin 62% ditë të sëmurë më shumë krahasuar me kolegët që kishin një zyrë më vete. Është e pamundur të mos mendosh për efektin ngjitës në të punuarit pranë
Një studim i fundit nga Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve në Korenë e Jugut tregon se sa me lehtësi mund të përhapet koronavirusi në një hapësirë pune më shumë punonjës. Për shembull në një call center me 216 punonjës, 94 prej tyre rezultuan pozitivë ndaj virusit. Studiuesit mendojnë se epidemia ndodhi gjatë 16 ditëve duke filluar nga 21 shkurti 2020 dhe më shumë se 90% e të infektuarve ishin të përqendruar në një vend me dendësi punonjësish në zyrë.
“Open space is over” – pohoi Amol Sarva, Ceo i shoqërisë së interior design për zyra, Knotel, klientët e së cilës përfshijnë Uber dhe Netflix. Megjithatë, revolucioni do të kërkojë një reagim zinxhir të mbrojtjes që nuk lidhjet vetëm me ndryshimin e planimetrisë së hapësirave, por edhe një ndryshim radikal të jetës së zyrës që kemi njohur deri më sot. Ndoshta do të jetojmë në dhoma private, por shumë të vogla. Ndoshta do të punojmë me kolegë që nuk do t’i takojmë kurrë, të paktën ballë për ballë. Ose ndoshta do të kthehemi tek zyra e dashur “ju lutem trokisni”?
Burimi: Elle Decor /monitor.al/