Ndryshe nga rusët, britanikët dhe francezët për një kohë të gjatë SHBA nuk po arrinte të ndërtonte një avion supersonik civil. Kjo qe një goditje e rëndë për amerikanët krenarë. Por tani avioni i parë privat supersonik amerikan po feston më në fund premierën.
Avioni i parë supersonik në SHBA u prodhua nga firma Boom, në Denver në Kolorado. Sallat e prodhimit u ngjajnë laboratorëve dhe jo uzinave, sepse ato përdorin aparate precizioni të lartë dhe aparate matëse me rreze lazer.
Baby Boom – i pari avion supersonik i financuar privatisht
Avioni XB-1, që prodhuesit e quajnë Baby Boom, është i pari avion supersonik i financuar privatisht që është ndërtuar ndonjëherë në botë. XB-1 është 21 metra i gjatë, ka një hapje krahësh 6,40 metra dhe mund të fluturojë deri në 2.2 herë më shpejt se shpejtësia e zërit, pra rreth 2700 km/orë, dhe një maksimum prej 1.900 kilometrash. Biletat për këtë avion nuk do të kushtojnë më tepër se sa biletat në business class për fluturimet e gjata sot.
Avioni i ri supersonik “Boing Overture Boom” është 51.8 metra i gjatë dhe ka një hapësirë krahësh prej 18.2 metra, dhe është mjaft më i vogël se paraardhësi i tij britaniko-francez Concorde me gjatësi 62 metra dhe hapje e krahësh 25.5 metra. Avioni i ri supersonik “Overture” ka një kapacitet prej maksimumi 75 pasagjerë, kurse Concorde e kishte kapacitetin 100 pasagjerë.
Treg i madh
Boom parashikon një treg të madh për fluturime të reja supersonike pas përfundimit të epokës së Concorde në vitin 2003. Shefi i kompanisë Blake Scholl parashikon 500 itinerare të mundshme për fluturime me dyfishin e shpejtësisë së zërit. Nga Londra në Nju Jork për tre orë e 15 minuta (në vend të shtatë orëve) ose nga San Francisko në Tokio për rreth pesë orë e gjysmë, në vend të njëmbëdhjetë orëve si deri tani.
Lajtmotiv i kompanisë Boom ishte që nga fillimi qëndrueshmëria dhe mbrojtja e mjedisit dhe të gjithë avionët e saj do të fluturojnë ekskluzivisht me benzol-bio. Përveç kompanisë Boom, edhe një kompani e dytë amerikane, Aerion Supersonic, planifikon të realizojë për disa vite projektin e saj për një avion privat supersonik dymbëdhjetë vendesh.