“COVID-19 ndryshoi përgjithmonë blerjen në internet”

Gjenevë

Agjencia e Tregtisë dhe Zhvillimit e OKB-së (UNCTAD), përmes një studimi të kryer në rreth 3.700 konsumatorë në 9 ekonomi tregtare, vlerëson se pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) ka ndryshuar përgjithmonë shprehinë e blerjes në internet, transmeton Anadolu Agency (AA).

Studimi i titulluar “COVID-19 dhe tregtia elektronike”, shqyrtoi se si koronavirusi i ri ka ndryshuar mënyrën se si konsumatorët përdorin tregtinë elektronike dhe zgjidhjet digjitale.

Studimi është kryer me konsumatorë nga Brazili, Kina, Gjermania, Italia, Rusia, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut, Zvicra dhe Turqia.

“Pandemia COVID-19 ka përshpejtuar zhvendosjen drejt një bote më digjitale. Ndryshimet që ne bëjmë tani do të kenë efekte të qëndrueshme, përderisa ekonomia botërore fillon të rimëkëmbet”, tha Sekretari i Përgjithshëm i UNCTAD, Mukhisa Kituyi.

Studimi u krye nga UNCTAD dhe Shoqata “Suisse eCommerce Netcomm”, në bashkëpunim me Qendrën e Informacionit të Rrjetit Brazilian (NIC.br) dhe Inveon.

Sipas të dhënave, është shënuar rritje e rëndësishme e blerjeve në internet në shumicën e kategorive të produkteve.

Rritja në blerjet në internet gjatë COVID-19 ndryshon midis vendeve, me rritjen më të fuqishme të shënuar në Kinë dhe Turqi dhe më të dobëtat në Zvicër dhe Gjermani, ku shumë njerëz tashmë ishin të përfshirë në tregtinë elektronike.

Studimi zbuloi se gratë dhe njerëzit me arsim të lartë i rritën blerjet e tyre në internet më shumë se të tjerët.

Personat e moshës 25 deri 44 vjeç raportuan një rritje më të konsiderueshme krahasuar me ato të moshave më të reja. Në rastin e Brazilit, rritja ishte më e larta midis popullatës më të rrezikuar dhe grave.

Sipas përgjigjeve, tregtarët e vegjël në Kinë ishin më të pajisurit për të shitur produktet e tyre në internet, ndërsa ata në Afrikën e Jugut ishin më pak të përgatitur.

Sipas studimit, platformat më të përdorura të komunikimit janë WhatsApp, Instagram dhe Facebook Messenger, të gjitha në pronësi të Facebook.

Megjithatë, Zoom dhe Microsoft Teams kanë përfituar më së shumti nga rritja e kërkesës së aplikacioneve për video-thirrje në vendet e punës.

Studimi tregoi se në Kinë, platformat kryesore të komunikimit janë WeChat, DingTalk dhe Tencent Conference.

Rezultatet e studimit sugjerojnë se ndryshimet në aktivitetet në internet mund të mbesin edhe pas pandemisë COVID-19.

Shumica e të anketuarve, veçanërisht ata në Kinë dhe Turqi, thanë se do të vazhdojnë me blerjet në internet dhe do të përqendrohen në produktet thelbësore në të ardhmen.

Ata gjithashtu thanë se do të vazhdojnë të udhëtojnë më shumë në nivel lokal, duke sugjeruar një ndikim të qëndrueshëm në turizmin ndërkombëtar. /AA/

Artikulli paraprakSi e fitojnë kosovarët nënshtetësinë në Zvicër?
Artikulli tjetërProfesionet më të paguara në Gjermani – edhe ata që janë në fund të listës nuk marrin më pak se 1,600 euro