Kreditimi / Mudaraba bashkëpjesëmarrëse në institucionet financiare

Kreditimi / Mudaraba bashkëpjesëmarrëse në institucionet financiare

Akademia Ndërkombëtare e Fikhut Islam

Vendimi nr: 123 (5/13)

 

Këshilli i Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam, degë e Organizatës së Konferencës Islamike, i mbledhur në sesionin e tij të trembëdhjetë në shtetin e Kuvajtit në datat 07-12 Sheual 1422 h. / 22-27 Dhjetor 2001, pasi mori në shqyrtim studimet e paraqitura në Akademi rreth çështjes: Kreditimi/Mudaraba bashkëpjesëmarrëse, dhe pasi dëgjoi diskutimet rreth temës, me pjesëmarrjen e anëtarëve dhe specialistëve të saj, vendosi si më poshtë:

 

Së pari: Përkufizimi i “Mudaraba-s Bashkëpjesëmarrëse”

Mudaraba bashkëpjesëmarrëse, është një shoqëri aksionare në të cilën investues të shumtë – njëherësh ose njëri pas tjetrit– i besojnë një personi fizik ose juridik investimin e pasurive të tyre. Në përgjithësi në këtë transaksion financiar, i lihet këtij personi në dorë zhvillimi i aktivitetit, atje ku ai sheh se investimi përmbush interesin, edhe pse ka raste kur mund të kufizohet në një lloj të caktuar investimi. Administruesi në fjalë (pra mudaribit) i lejohet, drejtpërdrejtë ose në mënyrë të nënkuptuar, përzierja mes pasurive të investitorëve, por edhe me pasurinë e tij. Ndonjëherë atij i lejohet edhe e drejta për të tërhequr tërësisht ose pjesërisht pasuritë e tyre, kur është e nevojshme dhe me kushte specifike.

 

Së dyti: Legjitimiteti i mudarabas bashkëpjesëmarrëse

Lejimi i këtij transaksioni bazohet në faktin se dijetarët islamë e kanë vlerësuar si të lejuar shumësinë e pronarëve dhe është gjithashtu e lejuar që edhe mudarib-i të marrë pjesë me pasurinë e tij në kapitalin me të cilin do të zhvillohet investimi. Ky transaksion është brenda formave të lejuara, nëse respektohen kriteret sheriatike të vendosura për mudaraben, dhe duke pasur parasysh natyrën e bashkëpjesëmarrjes në të, pa e nxjerrë atë nga kërkesat e sheriatit.

 

Së treti: Palët pjesëmarrëse në mudaraba

Të gjithë investitorët së bashku, janë zotëruesit e pasurisë. Marrëdhënia në mes tyre, duke përfshirë edhe mudaribin, nëse e përzien pasurinë e tij me të tyren, është marrëdhënie bashkëpjesëmarrje (mushareke, partneriteti). Ai që ka marrë përsipër të investoj me pasuritë e këtyre njerëzve quhet mudarib, qoftë ky person fizik ose juridik, siç mund të jenë bankat dhe institucionet financiare. Marrëdhënia në mes mudaribit dhe investitorëve është ajo e mudarabes (kreditimit), duke qenë se vendimet e administrimit dhe investimit janë në dorë të tij. Nëse mudaribi ia beson një pale të tretë investimin, ky është një akt mudaraba i dytë, mes mudaribit të parë dhe atij që i është besuar investimi (mudaribi i dytë) dhe nuk konsiderohet si ndërmjetësi mes investitorëve (pronarëve të pasurisë) dhe mudaribit të dytë.

 

Së katërti: Përzierja e pasurisë në muadarben bashkëpjesëmarrëse

Lejohet përzierja e kapitaleve të aksionarëve me njëri-tjetrin, ose me kapitalin e mudaribit, sepse kjo përmbushet me aprovimin e tyre të drejtpërdrejtë ose të nënkuptuar. Nga kjo përzierje nuk ekziston frika se mund të dëmtohet dikush në veçanti, sepse të gjithë kanë përqindjet e tyre në këtë kapital, por ndërkohë përzierja shton fuqinë financiare dhe zgjeron aktivitetin dhe fitimin.

 

Së pesti: Vazhdimi i detyruar i mudarabes deri në një kohë të caktuar.

Mudaraba si normë është një marrëveshje jodetyruese, dhe çdo palë ka të drejtë ta anulojë atë. Në dy raste kjo e drejtë nuk lejohet:

  • Pasi mudaribi të ketë filluar nga puna, mudaraba bëhet e detyrueshme, deri sa investimi të jetë shndërruar në të holla reale ose të gjykuara si të tilla.
  • Nëse pronari i kapitalit, ose mudaribi, zotohet të mos e anulojë mudaraben deri në një afat të caktuar, atëherë ajo duhet përmbushur, sepse anulimi i saj bëhet pengesë për vazhdimin e investimit gjatë gjithë kësaj kohe.

 

Së gjashti: Vendosja e afatit për mudaraben.

Lejohet fetarisht që mudaraba të ketë një afat të caktuar, nëse për këtë bien dakord të dyja palët, pa qenë nevoja ta anulojnë atë asnjëra, por ajo merr fund vetvetiu me mbarimin e afatit. Efekti i mbarimit të afatit shtrihet vetëm mbi ndalimin e fillimit të proceseve të reja, por jo për çështje që s’ka përfunduar shlyerja e atyre ekzistuese.

 

Së shtati: Ndarja e fitimit me mënyrën e kuotave[1]në mudaraben bashkëpjesëmarrëse

Lejohet që fitimet e marra të shpërndahen duke përdorur mënyrën e kuotave , e cila merr parasysh shumën e çdo investuesi dhe kohën e qëndrimit të tij në investim. Kjo mënyrë bazohet në faktin se fondet e çdo investitori kanë kontribuar në fitim, në bazë të sasisë dhe kohës së tyre, ndaj dhe ndarja e fitimi, duke u bazuar te koha dhe sasia e kontributit, është mënyra më e drejtë. Vetë hyrja e investitorëve në mudaraben bashkëpjesëmarrëse, për nga natyra e saj është aprovim i nënkuptuar, ku hiqet dorë nga ajo e ardhur që nuk mund të arrihet. Gjithashtu është në natyrën e një ortakërie fakti që, ortakët përfitojnë nga fitimet e kapitalit të ortakut tjetër. Kjo metodë, nuk e pengon pjesëmarrjen në fitim, dhe përfshin pranimin e përqindjes që del nga llogaritja e aksioneve përkatëse.

 

Së teti: Komision vullnetar për mbrojtjen e të drejtave të investitorëve (komisioni i investitorëve):

Investitorët gëzojnë të drejtat e tyre ndaj mudaarib-it, (pra detyrime që ky i fundit duhet të përmbushë ndaj investitorëve) të cilat shprehen në kushtet e investimit të publikuara prej tij dhe të pranuara prej tyre, në mudaraba-n bashkëpjesëmarrëse. Në vështrimin e Sheriatit nuk është e ndaluar ngritja e një komisioni vullnetar, që zgjidhet nga ana e investitorëve, për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe për të monitoruar pajtueshmërinë me kushtet e rëna dakord në mudaraba, por pa ndërhyrë në vendimet e investimeve, me përjashtim të rasteve kur ndërhyrja bëhet si sugjerim dhe nuk është detyruese për mudarib-in.

 

Së nënti: Kujdestari i investimit (eminul istithmar):

Tek ky nocion përfshihet çdo bankë apo institucion investimi, që ka një vlerësim të lartë, përvoje të madhe dhe aftësi financiare të mjaftueshme. Asaj i jepet pushtet të marrë përsipër pasuritë dhe dokumentet e aseteve për t’i  siguruar ato, dhe për të parandaluar mudarib-in t’i përdorë ato në kundërshtim me kushtet e mudaraba-s. Në vështrimin e Sheriatit kjo gjë lejohet, me kusht që kjo gjë të jetë përmendur qartë në rregullore (e institucionit dhe mudaraba-s),në mënyrë që palët e interesuara të jenë të informuara, dhe me kusht që eminul-istithmar të mos ndërhyjë në vendime, por roli i tij të kufizohet në kontrollin dhe respektimin e kufizimeve fetare dhe teknike në investimet përkatëse.

 

Së dhjeti: Vendosja e një norme fitimi për mudaraben dhe bonuse për mudaribin:

Është e lejuar fetarisht vendosja e një norme të pritur fitimi, si dhe rënia dakord me shkrim që nëse fitimi e tejkalon atë normë përqindje, mudaribi meriton pjesë nga ky fitim shtesë, por kjo pas përcaktimit të fitimit për secilën palë, sado qoftë sasia e fitimit.

 

Së njëmbëdhjeti: Përcaktimi i mudarib-it, në rast se mudaraba enaxhohet nga një person juridik (bankë ose institucion financiar):

Në rast se mudaraba menaxhohet nga një person juridik, si bankë apo institucion financiar, mudarib-i në këtë rast është ky entitet, pavarësisht ndryshimeve që ndodhin në asamblenë e përgjithshme, bordin ose vetë ekzekutivin. Nëse ndodh ndonjë ndryshim i tillë, kjo nuk ka asnjë ndikim në marrëdhëniet e ortakëve me mudarib-in, për aq kohë sa ato janë në përputhje me sistemin e publikuar dhe të pranuar për përfshirjen në mudaraba-n bashkëpjesëmarrëse.

Shkrirja e personit juridik që administron mudaraben me një person tjetër juridik, nuk ndikon në mudaraba. Megjithatë, nëse një degë e një personi juridik (p.sh. bankës) ndahet më vete dhe fiton një statut juridik tjetër të pavarur, atëherë investitorët kanë të drejtë të dalin nga mudaraba, madje edhe para përfundimit të periudhës së saj kohore.

Duke qenë se personi juridik e kryen mudaraban nëpërmjet punonjësve të tij, atëherë ai mban edhe peshën e shpenzime të tyre. Ai gjithashtu mban edhe të gjitha shpenzimet indirekte. Këto shpenzime mbulohen nga pjesa e tij e fitimit. Mudaraba mbart vetëm shpenzimet e bëra që kanë lidhje drejtpërdrejt me të, si dhe kostot e asaj që nuk janë detyrim i mudarib-it për t’i bërë, si p.sh. kostot e personave jashtë administratës së tij.

 

Së dymbëdhjeti: Përgjegjësia në mudaraba dhe gjykimi për përgjegjësinë e mudaribit:

Mudaribi është një administrues i besuar (emin). Ai nuk është përgjegjës për ndonjë humbje ose dëmtim, përveç nëse kjo ndodh për shkak të shkeljes apo mos kryerjes së detyrave të tij. Këtu përfshihen shkeljet e kritereve fetare ose kufizimet e përcaktuara të investimit që në fillim të tij. Kjo dispozitë vlen njëlloj si për mudaraban individuale ashtu dhe për atë bashkëpjesëmarrëse (ortakerie) dhe nuk ndryshon, qoftë kjo edhe nën pretendimin e analogjisë me qiranë bashkëpjesëmarrëse, apo kushtëzimit dhe detyrimit angazhues.

Nuk ka asgjë të keqe nëse një palë e tretë merr përgjegjësinë, në përputhje kjo me vendimin nr.30(5/4), paragrafi 9, të Akademisë ndërkombëtare të Fikhut Islam.

 

Burimi:http://www.fiqhacademy.org.sa/qrarat/13-5.htm

 [1]Metoda e kutotave është një metodë në të cilën kapitali shumëzohet me kohën, në mënyrë që të llogaritet pjesa e fitimeve të secilit.

Artikulli paraprakPuna në fushën e inxhinierisë dhe rastet kur përzihet hallalli me haramin
Artikulli tjetërPërfitimi nga pasuritë e zekatit për ndërtimin e shkollave dhe spitaleve, në vendet evropiane dhe themelimi i fondeve të zekatit në këto vende.