Bëhu gati të përdorësh imagjinatën. Le të krijojmë një situatë hipotetike ku ti gjendesh në një zyrë dhe po bën një intervistë pune. Ndërsa ai/ajo, që pretendon të kesh epror në të ardhmen, të merr në pyetje në mënyrë të hollësishme për të testuar sa i/e aftë je, vjen koha kur ti ke të drejtë të bësh pyetje.
Pavarësisht se mundohesh të mos e mendosh pyetja “Sa e kam rrogën?” të vërtitet në kokë dhe është totalisht normale pasi edhe statistikat sugjerojnë se rreth 52% e njerëzve, që kërkojnë punë, bëjnë një kërkim para intervistës në lidhje me pagesat e punonjësve të kompanisë ndër vite. Megjithatë, kjo nuk ndalon që brenda kokës tënde të krijohet një debat që zhvillohet pakashum kështu:
- Pse të mos e pyes? Është llogjike që përderisa do të kryej një shërbim specifik, do të marr një shpërblim të caktuar për këtë gjë. Përpos kësaj 1 nga 5 komponentët kryesorë që çdo njeri në kërkim të një pune merr në konsideratë është pagesa mujore (4 komponentët e tjerë janë: rritja në karrierë; oraret e punës; vendndodhja; dhe kultura apo vlerat e kompanisë).
- Po sikur të jap përshtypjen që e vetmja gjë që më intereson të marr mbrapsht nga kjo punë është paga në fund të muajit? Paratë janë gjithçka që vlen dhe asgjë tjetër, as eksperienca e punës, as aftësitë e reja që do të zhvilloj, as edhe feedback-u njerëzor që mund të jetë edhe një letër rekomandimi e thjeshtë nga punëdhënësi në përmbyllje të marrëdhënieve të punës. Mos vallë kjo do të më bëjë të dukem si njeri i cekët e materialist?
- Pse duhet të dukem e tillë? Në fund të fundit paraja u krijua si mjet këmbimi që tregon vlerën e një shërbimi apo produkti të caktuar. Nëse në vend të parasë si mjet këmbimi do të përdornim ndjesitë, po njësoj do të pyesnim për sasinë e ndjesive me të cilat do të shpërbleheshim.
Padyshim që “paga me ndjesi” do të komplikonte shumë hallka në sektorë të tjerë të ekonomisë, megjithatë do të na bënte ne (humanët), më pak materialistë.
- Po sikur kjo pyetje të më ulë pikë në krahasim me aplikantët e tjerë konkurentë për të njëjtin pozicion pune ashtu si unë?
- Nuk ka pse, pasi paraja shërben si motivator. Jetojmë në kohën e kapitalizmit, ku arsyeja kryesore pse punonjësit janë prezantuar me idenë e bonuseve (komponent i cili konsiderohet si më i rëndësishmi në pagën totale nga 62% e punonjësve që e posedojnë këtë alternativë pune) është sepse jo të gjithë e bëjnë punën njësoj dhe për pasojë edhe pagat duhet të jenë të diferencuara. Duke ditur që unë mund të fitoj më shumë, nëse punoj më shumë dhe kam rendiment të kënaqshëm edhe unë jam më i/e motivuar për të investuar më shumë nga koha dhe energjia ime në arritjen e këtij qëllimi.
Ky debat vazhdon me po të njëjtin intensitet deri sa të marrësh një vendim. Duhet thënë se të dy zërat brenda kokës tënde ofrojnë disa argumenta mjaft të qëndrueshëm dhe lehtësisht të vërtetueshëm, por në fund je ti që duhet të bësh zgjedhjen tënde. Je ti që duhet të vendosësh nëse do ta pyesësh apo jo për pagën, punëdhënësin tënd pontencial. Cilado qoftë zgjedhja jote, sigurohu të shprehesh qartë dhe të mos lësh hapësirë për keqkuptime. Në fund të fundit, frika e keqkuptimeve që ndjekin pyetjen “Sa e kam rrogën?” është shkaktarja fillestare e këtij debati.
(Opinionet dhe mendimet e reflektuara nga kontribuesit nuk reflektojnë domosdoshmërisht orientimin e redaksisë)