Turqia përgatitet të përdorë hidrogjenin për ngrohje

Falë mbështetjes së dhënë nga Autoriteti Rregullator i Tregut të Energjisë (EPDK), kompanitë turke të shpërndarjes së gazit natyror janë duke punuar mbi projektin e quajtur “Prodhimi i Gazit Natyror të Rinovueshëm – Energjia në Gaz”.

Në kuadër të projektit të lartpërmendur, në laboratorin e ngritur në Qendrën e Testimit, Matjes dhe Kalibrimit (GAZMER), e cila operon si qendër teknike e Shoqatës së Shpërndarësve të Gazit Natyror në Turqi (GAZBIR), u hap edhe një qendër kërkim-zhvillimi (R&D). Në këtë qendër në Konya kanë përfunduar studimet paraprake të performancës dhe vlerësimit të ndikimit në mjedis të injektimit të hidrogjenit në gaz natyror në një raport të caktuar.

Sipas analizave paraprake dhe studimeve të simulimit, u vërejt se efikasiteti i energjisë u rrit dhe emetimet e karbonit u ulën duke rritur me 20% pjesën e hidrogjenit në gaz natyror.

Me anë të këtij projekti, i cili është planifikuar të përfundojë deri në fund të vitit të ardhshëm, 6% e gazit natyror të lëshuar në rrjetin shpërndarës është planifikuar të furnizohet nga hidrogjeni. Kështu, hidrogjeni synohet të përdoret si një lëndë djegëse alternative për ngrohje pa qenë i nevojshëm një ndryshim i rëndësishëm në pajisjet e konsumatorit.

Artikulli paraprakInteresat personale dhe aktivitetet e përditshme
Artikulli tjetërKroacia përfiton 22 miliardë euro nga buxheti i BE-së